Rindërtoi banesën e dëmtuar nga tërmeti , banori gjobitet dhe procedohet penalisht

482
Sigal

Ismet Shetaj nga fshati Shetaj i komunës Ishëm dhe në mungesë të interesimit dhe kthimit të përgjigjeve nga autoritetet lokale, nisi me shpenzimet e veta rindërtimin e banesës së dëmtuar nga tërmeti në të njëjtin vend ku kishte banesën e vjetër dhe me të njëjtën sipërfaqe. Ky veprim i ka kushtuar një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra, procedim penal për ndërtim të paligjshëm dhe vendim për prishjen e objektit.

I zoti i banesës thotë për A2 se disponon lejen e dhënë nga njësia vendore, ndërsa pretendon se nuk ka shtuar asnjë sipërfaqe të ish-banesës së vjetër që tërmeti e bëri të pabanueshme dhe të cilën me investimin e tij vendosi ta rindërtojë për t’u siguruar çatinë mbi kokë të 12 anëtarëve të familjes së tij, mes të cilëve 4 fëmijë.

Zonja e shtëpisë, Bukuria, thotë se që pas dëmtimit të banesës nga tërmeti, kjo familje jeton me vështirësi të shumta në çadër, ndërsa dorën e shtetit nuk e ka ndjerë në asnjë moment, përveç gjobitjes dhe ndjekjes penale.