Rindërtimi i Thumanës, tërmeti nxjerr problemet e pronësisë

292
Sigal

Thumana ishte ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, me shumë jetë të humbura dhe shtëpi të dëmtuara. Mbi 9 muaj nga tragjedia për një pjesë të familjeve që nuk kanë shpresë. Tërmeti shkundi jo vetëm shtëpitë e Thumanës por dhe pluhurin që kishte mbuluar ndër vite parregullsitë në dokumentet e tyre të pronësisë. Nga bashkia e Krujës pohohet se problemet me këto dokumente dhe vështirësitë në shpronësime, ishin ndër arsyet e vonesës së punimeve për ndërtimin e lagjes së re pranë fushës së sportit.

Për t’iu përshtatur projektit të ri po shemben jo vetëm shtëpitë e pabanueshme por edhe të tjera që nuk kishin pësuar dëme të rënda. Rast i tillë është ai i Besnik Gjucit, i cili duhet të boshatisë banesën e tij deri të premten. ”Lajmëruan nga Komuna, duhet të largosh gjërat. Unë kam kërkuar vlerë monetare, jam pajtuar me to, në qoftë se i marr, normalisht”.

Pak metra më tutje ka ende banorë që jetojnë në çadra, disa kanë marrë lekët e po i ndërtojnë vetë, por ka dhe raste të çuditshme si ai i familjes Xhixha. Pjesëtarët e familjes Xhixha kishin ndërtuar shtëpitë në tokën e babait, brenda të njëjtit oborr. Pas tërmetit të nëntorit, u zhvendosën në një çadër e më pas u futën në listën e trajtimit me bonus qiraje. Vetëm një muaj më parë, sipas Lirie Xhixhës, u zbulua se një pjesë e pronës së tyre figuronte në emër të tjetërkujt, çka e bënte të pamundur përfitimin e rimbursimit apo dhe një banese të re. ”Rezultoj se banoj në liqenin e Thumanës, ndërkohë që familja ime ka 120 vjet që banon këtu”.