“Rilindja” nxjerr nga sirtarët vendimet e harruara, miraton vendime të reja “për hallet e popullit”

650
Përparim HALILI
Fushata e premtimeve zgjedhore për votat e 25 qershorit 
Historikisht në Shqipëri, kështu janë sjellë pushtetet, partitë dhe shtetarët me popullin: në çdo prag zgjedhjesh, duke ofruar këngë, muzikë, premtime, përqafime dhe… pas votimeve, ata mbylleshin në zyrat dhe luksin e tyre, ndërsa populli mbetej i shpërfillur në hallet ku e kishin zhytur qeverisjet e tyre. Ndërsa në kohën e votimeve të diktaturës, pastroheshin qytetet e lyheshin trungjet e pemëve dhe bordurat e trotuareve me gëlqere e premtohej vetëm si slogan “jeta e lumtur”, në këto 25 vite bëhen premtime për punësime masive, për ndërtim shkollash, urash, ujësjellësish, rrugësh, për pensione e paga të larta, për mjekësi moderne e falas, për ilaçe e transport me çmime të ulëta, për strehim, për të drejta të barabarta me shtetarët dhe familjarët e tyre dhe shumë premtime të tjera, të cilët përsëriten prej 25 vitesh, madje edhe nga të njëjtit politikanë që po prej kaq vitesh sundojnë në pushtet e në opozitë, sipas një kalendari dhe pazari në mirëkuptim mes tyre, shpesh edhe duke kaluar nga një parti në tjetrën me gjoja pozicione “kundërshtarësh”. Koha ka dëshmuar, se këto premtime nuk realizohen pas asnjë procesi votimi. Në fushatat e 25 viteve, nga të gjithë politikanët janë bërë mbi 150 mijë premtime me objekt “hallet e popullit”, 60% e të cilave të përsëritura deri sa janë kthyer në batuta komike prej popullit. Është prezent një akt demagogjik që përdoret sa për të zhvatur vota, sipas të cilit partitë në pushtet, në 40 ditët e fushatave kryejnë dhe nisin ndonjë investim minimal nëpër fshatra e lagje, që pas fushatës i lënë përgjysmë. Miratojnë ndonjë vendim social-ekonomik për shtresat në nevojë, nxjerrin nga sirtarët vendimet e pa zbatuara prej 4 vitesh, duke i ricikluar me premtime të reja dhe pas votimeve, i lënë përsëri në harresë. “Çudia” qëndron në faktin, që këto vendime hidhen në qarkullim vetëm në prag zgjedhjesh parlamentare e bashkiake. Kjo po ndodh edhe në këto zgjedhje. Vetëm në muajin e fundit, janë miratuar 49 vendime sociale, që kanë lidhje me “hallet e popullit”, me problemet e biznesit, të profesorëve, mësuesve, mjekëve, minatorëve, naftëtarëve, peshkatarëve, fermerëve, bizneseve të vogla, punonjësve të administratës e shërbimeve publike. Sot, po publikojmë dy nga këto vendime, të cilat kanë vetëm efekt elektoral… 

Shtyhen deri më 30 maj 2017, aplikimet për bursat universitare të fëmijëve të invalidëve, jetimëve, ushtarakëve të vrarë në detyrë, ish-të përndjekurve politikë, fituesit do shpallen më 23 qershor 2017 
Ankthi për vota, ka “ndezur motorët” e “Rilindjes” e cila po miraton me shpejtësi të madhe nga 5-6 vendime të reja sociale-ekonomike për shtresat në nevojë, por edhe po rikthen për zbatim vendimet e lëna në harresë prej muajsh e vitesh, të pa zbatuar edhe pse ka pasur shumë protesta e greva urie nga këto komunitete. Pas faljes së detyrimeve financiare dhe gjobave në tatime e dogana për individët dhe bizneset që kanë shkelur ligjin, dje Këshilli i Ministrave ka shtyrë për në datën 30 maj 2017, VKM nr. 903, datë 21.12.2016, me të cilin akordonte bursa për studentët e shkëlqyer të regjistruar në Institucionet e Arsimit të Lartë, që janë anëtarë të familjeve të të policëve e ushtarakëve të vrarë në detyrë, të invalidëve, të verbërve, ish- të përndjekurve politikë dhe jetimëve. Sipas këtij vendimi, afati përfundimtar për të aplikuar për bursë studentore studimi, ishte caktuar deri në datën 31 janar 2017. Mirëpo qeveria nuk e hapi aplikimin deri në datën 31 janar 2017, duke e lënë në harresë. Kujtojmë, që në gazetën “Telegraf”, kanë ardhur shumë reagime për moszbatimin e këtij vendimi, duke denoncuar faktin e shpërfilljes së tyre. Mirëpo, duhet se hapja e fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit dhe në për kryetarin e Bashkisë-Kavajë, “rilindja” ka nxjerr vendimin nga sirtari dhe ka njoftuar se ka hapur aplikimet për këto bursa studentore. Këto aplikime, që qartazi duken si marifet për të mbledhur vota nga këto familje dhe të afërmit e tyre, do të bëhen po sipas VKM nr. 903, datë 21.12.2016, por me një ndryshim në vendim. Konkretisht, aplikimet që nuk u hapën deri në 31 janar 2017, do të pranohen deri në datën 30 maj 2017. Burimet të “Telegraf” nga ministria e Arsimit, bëjnë me dije, se fituesit e këtyre bursave, do të shpallen në datën 23 qershor, pra vetëm 2 ditë para se këta studentë dhe familjarët e tyre të shkojnë përpara kutive të votimit. 
Ja vendimi i ndryshuar, miratuar në datën 22 maj 2017
1. Pika 13, e VKM nr. 903, datë 21.12.2016, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
13. Afati për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për studentë të regjistruar në IAL-të publike përcaktohet për çdo vit, në urdhrin e ministrit që përcakton edhe planin e shpërndarjes së bursave për vitin akademik.”.
2. Përjashtimisht për vitin 2017, afati për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për studentë të regjistruar në IAL-të publike do të jetë data 30 maj 2017. 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Falen detyrimet që ish-minatorët në pension invaliditeti, kanë ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, 
Ligj nr. 72/2017 datë 27.4.2017 Për faljen e detyrimeve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të personave në pension invaliditeti, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të personave në pension, sipas ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të krijuara për shkak të punësimit gjatë kohës së përfitimit të pensionit

Neni 1 
Falen detyrimet ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të personave në pension invaliditeti, sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të personave që kanë marrë pension, sipas dispozitave të ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, në përputhje me gjendjen e papaguar në datën 31.12.2016, të cilat kanë rezultuar si shkak i punësimit të tyre gjatë kohës që përfitonin pensionin e invaliditetit apo pension si punonjës që ka punuar në miniera, në nëntokë. Procedurat e zbatimit të faljes së detyrimeve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe zbatohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. 

Neni 2 
Falja, sipas nenit 1, të këtij ligji, përfshin edhe detyrimet e njohura me vendim të gjykatave, ndërsa çështjet në proces gjykimi nuk përbëjnë objekt konflikti gjyqësor dhe pushohen. Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Instituti i Sigurimeve Shoqërore të evidentojë dhe të zbatojë të gjitha procedurat administrative dhe dokumentare të evidentimit të detyrimeve të falura. Detyrimet e personave të përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji, të cilat mund të krijohen për shkak të punësimit pas datës 1.1.2017, nuk falen. 

Neni 3 
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e nenit 1 të tij. 

Neni 4 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. 
Sigal