“Rilindja” në krizë, nxjerr në shitje edhe qentë e policisë për të mbushur…buxhetin!

617
Mos u çuditni, por punët e financave të shtetit shqiptar, duket se janë katandisur deri në atë farë derexheje krize financiare, sa janë nxjerr në shitje edhe… qentë e policisë së shtetit! Të lindur, të rritur e të përdorur në shërbim policor në shumë aksione të shumta antikrim, duke “luftuar” me “përkushtim ndaj detyrës” dhe justifikues të plotë të “bukës” që u jepte shteti, sikur të jenë gjetur në rrugë, më në fund një pjesë e këtyre qenve, besnikë më tepër se të zotët, janë nxjerr… në shitje! Janë nxjerr në shitje, me ankandin e organizuar e të njoftuar nga Ministria e Financave, që drejtohet nga ministri Shkëlqim Cani, i cili premtoi dhe trumbetoi, se jo vetëm do të shpëtonte ekonominë dhe financat shqiptare nga kriza e krijuar, por edhe se do të krijonte një mirëqenie të lartë për shqiptarët. Ky nuk është lajm rruge”, por njoftim zyrtar i bërë prej Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë, në “Buletini Prokurimeve Publike” Nr. 14, datë 14 prill 2015 dhe përsëritur në “Buletini Prokurimeve Publike” Nr. 15, datë 20 prill 2015. Në njoftimin e saj zyrtar, Ministria e Financave njofton të interesuarit që duan të blejnë qentë, se… “Në zbatim të VKM Nr. 926, datë 29.12.2014 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet, apo transformohet dhe procedurën e shitjes” (i ndryshuar), shpall për shitje me VAM fillestar, qentë në administrim të Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit, Tiranë…”. Në njoftim, publikohet “Gjendja civile” e qenve që nxirren në shitje, me emrat, datëlindjet, vendndodhjet (vendbanimet), çmimet fillestar të shitjes, dita dhe ora e shitjes së tyre. Vendi, ose “pazari” i shitjes së qenve të policies së shtetit, sipas njoftimit të bërë nga ministria “Cani” është caktuar të jetë Selia e Kryeministrisë! Dita e “pazarit” për shitjen e qenve të policisë është caktuar 6 maji 2015. Sipas njoftimit zyrtar, në shitje ka dalë qeni me emrin “Beli” 8 vjeç, lindur më 20 shkurt 2007, ose 2 ditë përpara se të bëheshin zgjedhjet lokale, me çmim fillestar 8 mijë lekë, ose sa një pension invalidi. Në shitje ka dalë qeni me emrin “Xheku” 7 vjeç, lindur më 6 mars 2008, ose 9 ditë përpara shpërthimit të Gërdecit, me çmim 8 mijë lekë, ose sa fondi ditor i larjes së makinës të ministrit Veliaj. Në shitje ka dalë qeni me emrin “Noksi” 10 vjeç, lindur më 13 shtator 2005, ditën kur ish-qeverisja e PS dorëzoi pushtetin tek PD edhe ky me çmim 8 mijë lekë, ose sa pagesa e funeralit të një shqiptari. Në shitje ka dalë qeni me emrin “Ivani” 6 vjeç, lindur më 7 dhjetor 2009, ose në ditën kur Gjykata Kushtetuese pranoi padinë e PD, për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja edhe ky me çmim 8 mijë lekë, ose aq sa ministri Beqja harxhon për çdo ditë mëngjesin në malin e Dajtit. Në shitje ka dalë qeni me emrin “Kani” (anglisht “Cani”) 3 vjeç, lindur më 17 nëntor 2012, ose në datën e çlirimit të Tiranës, por ky me çmim 20 mijë lekë, ose sa paga minimale zyrtare që ka caktuar qeveria për… popullin! Në shtije ka dalë qeni me emrin “Iaza” 8 vjeç, lindur më 30 mars 2007 edhe ky me çmim 8 mijë lekë, ose sa një pension fshati! Në shitje ka dalë edhe qeni me emrin “Sota” 6 vjeç, lindur me 7 dhjetor 2009, ditën kur BE hapi negociatat për liberalizmin e vizave “Shengen” për Shqipërinë edhe ky me çmim 8 mijë lekë! burime nga Ministria e Financave, na konfirmuan se shitja e qenve të policisë është bërë jo se atyre u kishte ikur nuhatja, apo se nuk njihnin dhe kërcënonin shtetarët e rinj, por për faktin se nuk i ushqejnë dot më, mbasi qentë e policisë e kanë koston e ushqimit 80 mijë lekë të reja në muaj, ose sa paga e dy policëve instruktorë të qenve… Por ka edhe “fjalë”, sikur qentë po shiten për të mbushur buxhetin e boshatisur të shtetit… pas vjedhjes së thesarit të shtetit!
Sigal