Rilindësit dhe atdheu

855
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Dashuria për Atdheun, ndjenjë e shëndetshme natyrale

Dashuria për Atdheun është ndjenjë e shëndetshme natyrale, e cila me pak përkujdesje kultivohet lehtë. Kurse prirja e kundërt, mosdashuria për Atdheun, është rrjedhojë e disa faktorëve këmbëngulës. Injoranca e thellë për shumë shekuj ku u zhyt populli ynë, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, e të gjitha institucioneve kulturore, e natyrisht mungesa e strukturave shtetërore, e zbehu shqiptarizmin dhe e la atë në një nivel primitiv, ku me vështirësi e kapërceu folklorizmin. Në këto kushte, përballja me kultura të huaja ishte tronditëse për shqiptarët, ku krijoi dy faktorë që të shëmbëllenin me ringjallnin e kulturës së vendit të vet, ose ta largonte përfundimisht prej Atdheut. Në prag të çlirimit të Shqipërisë ishin të pranishëm këta dy faktorë atdhedashuria e disave dhe shqiptarizmi, e kundërshqiptarizmi te disa të tjerëve. Natyra unike e gjuhës shqipe baza për mitin kombëtar. Periudha e Skënderbeut 1443-1468, përfaqëson të parin faktor të nacionalizmit shqiptar. Ky faktor u venit me pushtimin osman dhe u ringjall në vitin 1878, pas Kongresit të Berlinit, i cili vendosi që disa troje shqiptare të ishin jashtë Perandorisë Otomane dhe t’u bashkëngjiteshin Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë.

Konsolidimi i mendimit nacionalist shqiptar

Në shek. XIX filloi konsolidimi i mendimit nacionalist shqiptar, që u quajt periudha e Rilindjes Kombëtare. Shqipëria në këtë periudhë ishte e ndarë në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës. Vet shoqëria shqiptare ishte e ndarë në dy grupime kulturore në gegë dhe toskë, ku në Shqipëri bashkëjetonin besime fetare myslimanë, bektashinj, ortodoksë dhe katolikë. Toleranca popullore ishte e shoqëruar me tolerancën fetare, kjo e provuar dhe e vërtetuar në shekuj. Kjo vlerë nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. Ishte e nevojshme, për të mos thënë e detyrueshme të çmohej. Ky ishte një shembull i vlerësuar ballkanik, në kohën që gadishulli ishte i përfshirë nga furtuna shoviniste, intoleranca e urrejtja etnike e deri tek krimet e rënda të ushqyera prej saj. Kjo nuk ishte një dukuri e rrallë. Në mjaft vende të botës ka një përqindje të popullsisë me prirje kriminale, ka edhe një përqindje me prirje të mbrapshtë kundër Atdheut të vet. Kjo dukuri është e njohur nga kohërat antike, kur në grekët e vjetër gjendeshin njerëz e prijësve që bashkoheshin me armiqtë e Greqisë. Dhe në kohën tonë, ka grupimet të ndryshme politike, nga ato ekstremiste e terroriste, etj., ku cilësi e parë e të cilëve është urrejtja kundër vendit të tyre dhe bashkimi me çdo forcë tjetër që është kundërshtar i tij. Shqetësimi i rilindësve lidhur me këtë hall të madh tregon se prirja kundër-shqiptare e një pjesë të shqiptarëve ka qenë një rrezik i ndjeshëm për Shqipërinë. Dhe një prirje e mbrapshtë nuk mund të mbetet gjallë për një kohë të gjatë, pa u ushqyer.

 

Nderim dhe mbrojtje

Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqiptar, pushtimi osman në shek. XV, copëtimi i Shqipërisë në fillim të shek. XX dhe izolimi i saj nga bota për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të shek. XX, nuk krijuan tek shqiptarët doktrina shfarosëse dhe urrejtje kundër të tjerëve. Kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit, i atij që është i ardhur, i huaj, mik ose bujtës, është një dukuri që vjen nga kohët antike dhe ka qenë një nga gurët themelorë të qytetërimit shqiptar. Nderim nuk është shpikje dhe as cilësi e elitës shqiptare, por e popullit që u vërtetua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhjetëra mijëra italiane të mbetur në Shqipëri në mëshirën e popullsisë së armatosur shqiptare, pas kapitullimit të Italisë, nuk u prekën aspak prej saj, përkundrazi u morën në mbrojtje. Është dukuri dhe fakt i njohur që Shqipëria ishte nga vendet e rralla në botë, që nuk dorëzoi asnjë hebre tek nazistët. Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u mundua ta armiqësonte popullin shqiptar me gjithë botën, kryesisht me botën perëndimore, por nuk ia doli dot. Me rënien e komunizmit, populli shqiptar dëshmoi ndaj të huajve evropianë dhe amerikanë ndjenjë miqësore.

Rizgjimin e Atdhedashurisë

Shkojmë përsëri tek rilindësit. Në kohëra të vështira, ata duhen lexuar e rilexuar gjithmonë. Duke shfletuar rilindjen shikojmë se përveç shqetësimit themelor, çlirimin e Shqipërisë dhe pavarësisë së saj, ishte dhe një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: rizgjimin e Atdhedashurisë. Lidhja e Prizrenit, e cila pasoi Kongresin e Berlinit, shënon përpjekjen e parë për institucionalizimin e nacionalizmit dhe njëkohësisht të kombit shqiptar. Lidhja e Prizrenit kërkonte bashkimin e trojeve shqiptare në një territor të vetëm me autonomi të plotë nën Perandorinë Osmane. Lindi kështu nocioni i Shqipërisë Etnike, ku për herë të parë shqiptarët shprehën aspiratat kombëtare. Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim dhe thirrja “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar” dëshmojnë këtë të vërtetë tepër të qartë dhe dëshpëruese. Një pjesë e shqiptarëve ishin ftohur me Atdheun e tyre. Turqizimi i qindra mijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjesë tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me fenë, tregojnë se ndjenja patriotike tek kjo pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë sa paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin Atdheun e tyre me një Atdhe tjetër, një pjesë kishin turp të quheshin shqiptarë, të tjerë me lehtësi viheshin në shërbim të forcave kundërshqiptare. Rilindasit u përpoqën shumë t’i bindnin shqiptarët se nuk duhet të turpëroheshin nga vendi i tyre. Atdheu i tyre ishte i bukur, gjuha e tyre ishte madhështore, ajo renditej në një prej 6 gjuhëve themelore të Evropës dhe një nga 10-12 gjuhët themelore të Botës. Shqiptarët ishin racë e bukur trupërisht dhe tepër të aftë mendërisht, se kishin histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin një arsye për t’u ftohur me Atdheun, por përkundrazi, për t’u afruar më fort rreth tij. Aksioni i tyre për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madh dhe më i gjëri aksion kulturor në krejt historinë tonë shqiptare. Rrallë herë emërtimi i një lëvizje përkonte plotësisht me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes Shqiptare. Në të vërtetë ishte Rilindja Kombëtare që Rilindi Shqipërinë, ishte ajo që lindi Shqipërinë moderne.

Rilindësit qëmtuan në kulmet e ndritura

Që lëvizja të ishte e suksesshme, rilindësit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqiptarëve. Rilindasit qëmtuan në kulmet e ndritura, duke mos ndalur në njollat e saj. Me këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqiptarëve, kryesisht virtytet pa dashur të ndalen në cenet e tyre, që për hir të vërtetës, nuk ishin më të pakta se virtytet. Kjo ishte rrjedhojë logjike e qëllimit të lëvizjes: rifitimit të besimit të humbur. Një arsye tjetër që e përligjte vizionin e tyre pozitiv ishte propaganda kundërshqiptare, që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe dhe greke. Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallë herë ishte parë në fytyrën e dheut. Përballë kësaj furtune të sëmurë, rilindësit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm. Në vend që të binin në nivelin e saj, duke u përdhosur dhe vetë nga balta e kundërshtarëve, ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare. Ky vizion optimist i rilindësve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e me vonë prej Gjergj Fishtës, u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.