Rikthimi i vizave/ Ja si do të udhëtojnë qytetarët shqiptarë nga 1 janari i 2021

399
Sigal

Nga 1 janari i vitit 2021 një shqiptar nuk mund të udhëtojë më drejt BE-së nëse nuk është i pajisur me një vizë elektronike me vlefshmëri 3 vjeçare.

Sistemi Evropian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) do të nisë funksionin dhe çdo qytetar shqiptar duhet të aplikojë për të marrë miratimin, se ai mund të udhëtojë drejt destinacionit të përzgjedhur.

Edhe pse thuhet se është një sistem sigurie, ETIAS duket se është një vizë elektronike për çdo qytetar, që duhet të paguajë edhe një tarifë prej 7 eurosh.

Zyra e BE-së në Tiranë sot ka sqaruar se çfarë është ky sistem që do të aplikohet vetëm për qytetarët e Shqipërisë dhe jo për qytetarët e Malit te Zi, Maqedonise dhe Serbise.

Informacion mbi Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) për shtetasit shqiptarë

Lexoni informacionin e paraqitur më poshtë për të kuptuar se çfarë është ETIAS-i dhe se cilat do të jenë ndikimet e fillimit të zbatimit të ETIAS-it për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në zonën Shengen.

Çfarë është ETIAS-i? 

ETIAS-i është një sistem i automatizuar IT aktualisht në fazën e zhvillimit dhe nuk është ende në përdorim. Ai pritet të fillojë nga funksionimi në fund të vitit 2022.

Shtetasit nga 62 vende, përfshirë Shqipërinë, SHBA-në, Kanadanë apo Australinë, do të duhet të përdorin ETIAS-in.

Të gjithë shtetasit shqiptarë gëzojnë të drejtën të aplikojnë për ETIAS-in sepse Shqipëria është dhe do të vijojë të jetë një vend pa viza për BE-në.

A është autorizimi për udhëtim i ETIAS-it një vizë e re? 

Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave, sikurse Shqipëria, do të vijojnë të udhëtojnë, por thjesht do t’u kërkohet që të marrin një autorizim nëpërmjet ETIAS-it para udhëtimit të tyre.

Autorizimi për udhëtimet ETIAS nuk rivendos detyrimet që kërkohen për vizat. Nuk ka nevojë të paraqiteni në një konsullatë për të bërë një aplikim dhe nuk merret asnjë e dhënë biometrike.

Aplikimi online ETIAS plotësohet brenda vetëm pak minutave. I vetmi dokument që do t’ju nevojitet për të aplikuar në ETIAS është pasaporta e vlefshme. Kostoja për të marrë një ETIAS është 7€ për person, ndërsa personat nën moshën 18 vjeç përjashtohen nga pagesa e kësaj tarife.

Pas miratimit, autorizimi ETIAS është i vlefshëm për tre vjet, për një numër të pakufizuar hyrjesh në të gjitha vendet e zonës Shengen, nëse nuk qëndron më shumë se 90 ditë në një periudhë prej 180 ditësh.

Cilët janë objektivat e ETIAS-it 

Për BE-në, objektivi kryesor është forcimi i kontrolleve të sigurisë për personat që udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, me qëllim përforcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e migrimit të parregullt.

Gjithashtu, do të përmirësojnë manaxhimin e kufijve duke thjeshtëzuar burokracinë dhe vonesat për udhëtarët kur paraqiten në kufi.

Synimi është që të sigurohet një vlerësim i koordinuar i rreziqeve që paraqiten nga shtetas të caktuar të vendeve të treta në Vendet Shengen.

Pritet që ky sistem të ulë në mënyrë të qenësishme numrin e refuzimeve të hyrjes në pikat e kalimit të kufirit, bën të ditur zyra e BE-së në Tiranë.