Rikthim në stolin e Kombëtares së Basketbollit/ Ponari prezanton grekun Antonios Doukas

42
Sigal

Rikthimet janë gjithmonë të bukura. Sidomos kur bëhet fjalë për njerëz që e njohin Shqipërinë, mentalitetin dhe sportin në vend.

President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari prezantoi sot në ambjentet e Akademisë “Goga Basket” trajnerin e ri të Kombëtares për Meshkuj, grekun Antonios Doukas.

Gjatë fjalës së tij, z.Ponari u shpreh ndër të tjera se, tekniku grek është një emër i njohur i sportit të koshit, me eksperiencë ndërkombëtare në trajning dhe njohës i mirë i basketbollit në Shqipëri pasi më parë ka drejtuar jo vetëm Kombëtaren por edhe ekipin e Tiranës.

Marrëdhënia e tij me lojtarët, njohja që kishte me to, por edhe dëshira e tij sepse Doukas për një vit ka qenë edhe trajner i Tiranës. Pra ka një njohje më të madhe se trajnerët e tjerë edhe pse kishim disa alternativa. Doukas menduam se është më afër mentalitetit shqiptar dhe njohjes së ekipeve”, tha ndër të tjera Ponari.

Ndërkohë për grekun Doukas drejtimi i Kombëtares Shqiptare të Basketbollit është një nder.

Kur një president të telefon për të drejtuar kombëtaren nuk mund të thuash jo. Unë nuk zgjodha Shqipërinë, por federata më zgjodhi mua dhe jam shumë krenar për këtë. Do përpiqem të bëj përzgjedhjen më të mirë të lojtarëve që janë të disponueshëm për të ndërtuar një kombëtare sa më kompetitive dhe për të marrë rezultatet më të mira të mundshme”, tha tekniku helen.

Trajneri i ri duhet të nisë menjëherë punën pasi më 19 Korrik Shqipëria përballet me Rumaninë; më 26 Korrik viziton Sllovakinë; 3 ditë më pas Rumaninë dhe pret më 5 gusht Sllovakinë. Ndeshje këto të vlefshme për para kualifikueset e Eurobasket 2025

Ndërkohë aktivitetet ndërkombëtare të kësaj vere vijojnë edhe me ekipet e tjera kombëtare U20/18/16 për djem dhe U18/16 për vajza.