Rikthehen grabitjet e parave në Rinas

503
Sigal

Gati pas tre vitesh, skenari i grabitjes është i njëjtë. Një makinë, këtë herë me mbishkrimin “Hetimi tatimor” ka thyer rrethimin e sigurisë së Aeroportit të Rinasit dhe ka grabitur autoblindat që bënin transportimin e parave të një banke të nivelit të dytë. Një ngjarje që përsëritet me të njëjtën lehtësi, sikur askush të mos kishte reaguar nga ngjarjet e mëparshme, ku grabitësit arrijnë të çajnë perimetrin e aeroportit të vetëm ndërkombëtare në vend, që presupozohet të ketë masa të larta sigurie.

Nuk ka të dhëna paraprake se sa është shuma e parave të grabitura. Policia ka bërë të ditur se ka ndjekur grabitësit dhe një prej tyre është vrarë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë “pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.

Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një  helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.

Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit”, përfundon njoftimi i policisë.

 

Vjedhjet

Gjatë periudhës 2015-2017 u vodhën katër banka gjatë transportit fizik të parave brenda 18 muajve, duke ngritur pikëpyetje për masat e sigurisë. Shoqata e Bankave në atë kohë në reagimin mbi ngjarjen e ndodhur në datën 9 shkurt 2017, në rrugën për në Rinas, ku një grup kriminelësh kanë ndaluar dhe grabitur eskortën që po transportonte vlera monetare tha se përgjegjësinë e transportit e kanë shoqëritë e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF), që janë licencuar për transportimin e vlerave monetare, si dhe të bëjnë sigurimin e godinave, vlerave monetare në kasafortë dhe në lëvizje.