Pas dy ditëve me reshje të dendura shiu në qarkun e Kukësit, kanë nisur reshjet e dëborës, me intensitet të ulët deri mesatar, kryesisht në zonat e thella malore. Shiu i ka lënë vend borës, e cila ka sjellë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave.
Në qytetin e Kukësit, bora nuk ka shkaktuar probleme serioze në qarkullim. Ndërkohë, reshjet e borës janë mesatare në zonat e thella malore, si Valbona dhe Shishtaveci, ku trashësia e saj ka kaluar rreth 10 centimetra.
Subjektet kontraktore kanë vijuar punën me kapacitet maksimal për pastrimin e borës, inerteve dhe kriposjen e rrugëve nacionale. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. Po ashtu, aksi Morinë–Kukës–Tuneli i Kalimashit i Rrugës së Kombit mbetet i hapur dhe i qarkullueshëm.
Kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit është e angazhuar në pastrimin e autostradës, ndërsa mjetet borëpastruese ndodhen në terren për të mbajtur hapur këtë arterie të rëndësishme që lidh Shqipërinë me Kosovën.
Bashkitë, me kapacitetet e tyre, po punojnë për eliminimin e pasojave të shkaktuara nga reshjet e shiut në infrastrukturë. I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç njësive administrative Bicaj dhe Ujmisht në Bashkinë Kukës, ku ende vijon puna për rikthimin e energjisë.





















