Rektori i UT: Kushte të pamundura për rifillimin e mësimit në auditore

329
Sigal

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, në një lidhje me Skype për Syri TV, është shprehur se, institucionet që ai drejton e kanë të pamudnur të rinisin procesin mësimor në auditore.

Sipas Konit, nuk ka patur asnjë takim me ministren e Arsimit.

“Me ministrinë nuk kemi bërë asnjë takim”, tha Koni.

A është gati UT për të rinisur mësimin?

“Në kushtet e pandemisë Covid-19 dhe në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore ne ndodhemi në kushtet e karantinës. Kjo edhe në sajë të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe zgjatjes së periudhës së fatkeqësisë natyrore natyrore deri më 23 qershor. Këto dy akte e bëjnë të pamundur zhvillimin e mësimit në auditore. Jemi duke punuar për ta vlerësuar këtë situatë, për të hapur në mënyrë të pjesshme dhe më pas do mbajmë një qëndrim si Senat i Universitetit”, tha Koni.

Sa i përket debatit për zgjedhjet në universitet dhe i pyetur nga gazetarja Armela Ferko se, “kur nuk ka studentë, si do zhvillohen këto zgjedhje?”, rektori i UT dha këtë përgjigje:

“Më 14 janar 2020 ministrja e Arsimit ka nxjerë urdhrin për zhvillimin e procesit zgjedhor për periudhën nga data 9 prill deri më 7 maj. Për shkak të epidemisë, ministrja e ndryshoi urdhrin duke ndryshuar afatet dhe duke i caktuar zgjedhjet për në 12 qershor. Është e pamundur të zhvillohen pasi institucionet janë të mbyllura”.

Sipas Konit, pa urdhrin e Rektorit nuk mund të zhvillohen zgjedhje.