Reformë territoriale dhe jo thjesht bashkime territoresh

544
Sigal

Territori është objekt i shkencës dhe jo i burokratëve të paditur, të cilët s’dinë as kuptimin e fjalës “territor”

 Nga Faik Islami

 Po përjetojmë kohën, të ngjashme me të Perandorisë së vonë Romake. Atë të fundit të saj, me dukurinë e përgjithshme, ku ajo çka kërkonin njerëzit dhe që u servirej prej qeverisësve, ishte mënyra e paraqitjes gjendjeve krejt steriotipe, me të dhëna të pasakta, të cunguara, pa i kushtuar asnjë vëmendje të vërtetave, të cilat në çdo rast, ishin mjaft të vështira për t`i njohur. Kishte vite të tëra që nuk po thirreshin më për këshillime në kuvendet mendjet e ditura, filozofët, njerëzit e shkencës, historianët dhe ata të traditës, por vendimet për problemet zhvillimore dhe sidomos ato të perspektivave të “Territorit të Perandorisë”, i merrnin njerëzit me pushtete të forta, pa formimet e nevojshme, vendime që siç flet ajo histori ishin jo vetëm të pasakta, por veshur me sajesa e mashtrime. Fundin e atij mentaliteti qeverisës të territorit na e ka provuar historia me fundin tragjik të Perandorisë më të madhe të kohërave.

E përmendim këtë fakt historik, përballë zhvillimeve tek ne, posaçërisht për problemin jashtë mase të madh, jetikun, atë të territorit, ose siç gabimisht edhe është emërtuar “Ndarje territoriale”, pasi në rastin konkret me atë ligj që u miratua, në realitet flitet për bashkime dhe jo për ndarje të territorit. Realiteti qeverisës i territorit tek ne është i gjithi më dramatik se ai i Romës së Vonshme, nëse hedhim sytë për të parë me vëmendje gjendjen, pamjen e përgjithshme, ku fare lehtë shihet ajo çka i është bërë në këto vite tokës në përgjithësi, tokës arë në veçanti, territorit të gjithë. E kemi masakruar në të gjitha drejtimet. Mirëpo bie në sy fakti që askush nuk e shikon problemin si territor, si problem jetik për sot dhe sidomos perspektivën, si problem qeverisës me sensin zhvillimor të tij, por thjesht si një lloj veprimi bashkues për mirë nga pozita dhe bashkues për keq nga opozita e disa individë me interesa krejt meskine. Kjo ndodh, sepse, sa merret vesh, askush nga të dy krahët nuk e ka të qartë ç`farë duhet kuptuar me fjalën territor. Nuk e marrin vesh mirë si ata që u morën me atë që e quajtën ndarje edhe pse realisht bënë bashkime, por në mënyrë të veçantë ata që e kundërshtojnë bashkimin, duke e quajtur ndarje territoresh. Me territor duhet kuptuar një sipërfaqe toke, subjekt i juridisksionit të një shteti, të një province, të një komune a bashkie, apo të çfarëdolloj tjetër pushteti. Pra. territori qenka një sipërfaqe toke me të gjitha format e saj të paraqitjes, me ekosisteme, që ndryshojnë në vartësi të ekspozicioneve dhe të lartësisë nga deti, me sipërfaqe të ndryshme të tokave fushore dhe atyre kodrinore e malore, me resurse të ndryshme mbi e nëntokësore, me burime ujore krejt të ndryshme, me infrastruktura gjithashtu të ndryshme, me mundësi jetese të ndryshme për gjithë gjallesat dhe padyshim edhe me tradita gjithashtu të ndryshme të jetesës njerëzore dhe të kulturës. Parë me këtë përqendrim të nevojshëm, për ta njohur në detaje cilindo territor, veprimi ndarës apo bashkues mbi të përbën një objektiv thelbësor të domosdoshëm, për një analizë faktoriale të disiplinave të shumta shkencore. Kuptohet lehtë se lipset jo më një kundërshti apriori i këtij problemi jetik, por përqendrimi serioz në një debat me të vërtetë shkencor, si për ta mbrojtur, por sidomos për ta kundërshtuar veprimin “thjesht bashkues “, apriori të drejta, që pozita realizoi  mbi territorin. Vërehet se kundërshtimet janë kryekëput të karakterit empirik, aspak shkencor dhe që tregojnë një injorancë të plota nga mosnjohja e thellë e problemit kaq të madh, që përjeton territori, toka në përgjithësi mbi pasojat e tij, për   perspektivën zhvillimore të krejt vendit. Pozita e mori shumë lehtë problemin. E pa atë thjesht si gjendje, si mentalitet shkatërrues qeverisës shkatërrimtar mbi territorin, i cili medoemos duhej ndryshuar. Shumë vonë u pa, por më mirë vonë se kurrë! Por në vend që këtë ta zbërthente, pas përcaktimit të një sërë kritereve mbi të cilat do të duhej të niste analiza shkencore faktoriale e gjithë të problematikës, bazuar në parametra shkencorë, të pazbatuar për mbi njëzet e ca vite, e pa thjesht si problem të një “vijëzim skicografik bashkuese territoresh”. Sigurisht, dhe këtë në mënyrën krejt empirike. Në krye të komisionit u vendos Bashkim Fino, të cilit sërish mund t`i binte “hasua”, për  vend kryeministri, por që të mund udhëhiqte ai punën për zgjidhjen e problemit shumë dimensional të territorit, të tokës në përgjithësi, një nga problemet më të mëdha të shtetit, kjo vetëm në këtë vend mund të bënte vaki, siç edhe bëri! Apo dhe ministri i figurshëm Çuçi, i cili djersiti plot herë, kur i duhej të mbronte mënyrën e “matjeve bashkuese” të cilën ai vetë e quante “ndarje territoriale”. Nuk na zunë sytë dhe nuk na dëgjuan veshët të fliste ndonjë shkencëtar i tokës, i ambientit, i nëntokës, i ekonomisë, i topogjeodezisë, i hartografisë, i njohjes së dinamikave urbane e sidomos të popullsisë, i statistikave, i Akademisë Shkencave, jo që jo. Është e habitshme se si kjo e fundit në përmendjen sepse as e fundit nuk u pa të kishte zërin përfundimtar mbi këtë problem të përmasave të jashtëzakonshme. Kjo është me të vërtetë tragjike! Duam të themi se problemi i territorit është objekt i një sërë disiplinash shkencore dhe jo i burokratëve të paditur, të cilët as që ja kanë idenë edhe vetë kuptimit të fjalës “territor”, pale më problematikës tepër komplekse të tij, në krejt vendin. Kthyer ashtu në një problematikë tepër dramatike, parë dhe gjykuar në mënyrë po dramatike, me të vetmen të mirë se skicimet sipas kufijve të njohur ndoqën “vektorin bashkues” të sipërfaqeve. E duke ditur nga sa thotë profecia, mundet të hamendësojmë se bashkimi i sipërfaqeve tokësore, gjer para miratimit të ligjit ishin juridiksione të pushteteve vendore, do të mund të sjellin fuqizimin e munguar të punës me territorin, me tokat, nëse këtej e tutje, ligjet do të marrin seriozitetin e munguar tërësisht, për territorin. Opozita, në kushte akoma më të mjerueshme, për kundërshtimin, nuk niset nga analiza shkencore e faktorëve, e munguar tërësisht gjatë punës për ndarjen territoriale (siç ajo e quan ), por i referohet asaj që ajo e quan përfundim apo  sinteze të gabuar, ngritur në ligjin bashkues  tashmë. Edhe pas miratimit të ligjit bashkues ajo gjene i quan ndarje territoresh. Gjithë kurajo, nëpërmjet figurave të gjithëgjendshme nëpër ekranet, shprehet se nuk do ta njohë atë ligj dhe ato territore të përbashkuara tashmë. Një tjetër gjemë që i kanoset territorit në të ardhmen, nga që këtu nuk prin shkenca, por injoranca e plotë e interesave meskine partiakësh mjeranë. Jo vetëm për tetë vite vazhdoi masakrimi mbi territorin, se territori është problemi më jetik i një shoqërie. Edhe njerëzit edhe kafshët edhe bimët edhe drurët, janë variable të një ekosistemi të caktuar, të një territori të caktuar, shprehur  në ndryshimet mes tyre. Çdo veprim mbi territorin  jep ndërveprime mbi tërësinë e faktorëve bashkëveprues, përfshirë edhe mbi njerëzit. Këtë lipset ta njohin dhe mësojnë mirë të gjithë ata që kundërshtojnë apriori “matjet përbashkuese” të thjeshta, bërë nga pozita. Do të mjaftonte e thëna shkencore, për t`ia bërë të qartë çdo kundërshtuesi dhe hedhur tej   kundërshtimet  absurde, se edhe sikur  me matjet me hapa, me litarët, që nisen nga koha e Gilgameshit, me kompaste, që e nisën grekët e lashtë, me topogjeodezinë e kohës moderne apo me fotogravimetrinë ajrore  të sotme, ose edhe me litarët modernë  prej neiloni, shkalla e gabimit bërë nga pozita me këtë matjen bashkuese që miratoi, do të ishte diku tek pesë të mijtat, në vartësi të tërheqjes së litarëve dhe asgjë më shumë…! Për kaq gjë të jetë gjithë ky kundërshtim këmbëngulës, shtrirë gjer në kufijtë e marrëzisë? Nuk vjen e keqja nga kjo mënyrë “matjeje bashkuese” empirike, por nga analiza e munguar e gjithë faktorëve bashkëveprues mbi territorin, me pasojë mungesën e një sinteze, që do të sillte një reformë të plotë territoriale. Këtë, gjënë thelbësore nuk po e thotë askush. Se, duke parë e dëgjuar ankesat e qeverisësve vendorë të territorit, komunarët respektivisht, barku i tyre “flet” për “dashurinë e pakufishme “, për territoret.

Kundërshtime i bën “vijës së thjeshtë bashkuese” edhe Bollanoja edhe Dulja. Ngrenë ata zërin nisur  nga pozita politike etnike. Pozita politike “separatiste” mbi territorin, mbi tokën! Një injorancë e plotë e dijeve minimale të shkencës së thjeshtë. Sepse cilido që e njeh Rivierën e Himarës e di se aty mundësitë e veprimtarisë njerëzore, të punës mbi territorin përkatës, janë minimale për popullsinë e zonës. Çdo veprimtari jetësore kryhet mbi një territor të caktuar, i cili nuk mund të shtohet përveçse pakësohet prej veprimtarisë shkatërruese të natyrës dhe sidomos kur atë e nxit edhe veprimtaria  anormale e njeriut. Veprimtari pune në këtë rivierë mund të sigurohet për dy, e shumta tre muaj të vitit. Ku mendojnë t`i sigurojnë njerëzit “minoritarë” të Dules dhe Bollanos and Co me punë? Merret me mend se pjesën tjetër të kohës jetësore aktive, këta kundërshtues të flaktë të bashkimit territorial tokësor e gjejnë si zgjidhje…me emigracion në Greqi dhe jo tek një shpërndarje sa më afër uniformës të tokës arë  dhe asaj bujqësore, në vartësi të numrit aktual të popullsisë dhe dinamikës e zhvillimit perspektiv të saj. Gjykojnë për sot dhe jo për Shqipërinë, për Himarën e viteve dymijë e pesëdhjetë e më shumë! Ndryshimet territoriale vijnë vetëm si domosdoshmëri e qeverisjes më të mirë të territorit në funksion të ritmeve të popullsisë dhe mobilizimit të resurseve. Në fakt, këtyre kundërshtuesve u mungon gjykimi i një truri me aftësi minimale abstraguese. Ose janë të liq në pakufi. Këta dhe shumë si këta, akoma nuk e kanë të qartë se ky vend, Shqipëria, do të lulëzojë dhe do të përparojë vetëm kur të vihet mbi baza shkencore toka, bujqësia, agro-turizmi, krejt territori. Kur të bëhet reforma e plotë e territorit e cila do të ketë si synim të saj, jo thjesht skicimet hartografike të kufijve territorialë, me synim bashkimet, me pasoja grindjet meskine, për numër deputetësh, por që nëpërmjet një menaxhimi shkencor të tokave, një qeverisjeje të bazuar në tërësinë e faktorëve bashkëveprues, mbi territore të ndryshme të vendit, të kemi zhvillime përafërsisht të barabarta. Ky duhet jetë dhe me siguri do të jetë një ditë, synimi për bërjen e reformës, që na mungon për territorin. Qeveria me këtë që realizoi e mori diplomën e shkollës së lartë. Se e hodhi hapin e parë. Arriti të bëjë disa skicime hartografike  përbashkuese. Por kurrsesi nuk e ka nisur punën e madhe që pritet. Analizën faktoriale pse territori “x” ju bashkua territorit “y”? Cilat ishin gjendjet statistikore para këtij bashkimi, ku arrit me këtë dhe cilat do të jenë perspektivat. Sa është toka arë për frymë, në secilën zonë dhe sa arrihet me bashkimet. Sa janë të ardhurat për frymë në gjendjen para bashkimit, sa do të synohet dhe cilat do të jenë faktorët mobilizues për vitet e krejt shekullit? Cilat ishin dallimet mes zonave dhe cilat do të jenë rrugët e pakësimit të ndikimeve në ato dallime. Sa janë ritmet e shtimit të popullsisë në zonat para bashkimit dhe sa përllogaritet të arrijnë në vitet…dymijë e pesëdhjetë dhe plot të tjera, probleme të cilat, pas analizës dhe konkludimit në një sintezë të plotë shkencore, qeverisjet i kthejnë në objektiva kombëtarë për “qeverisjen e territorit”. Parë me këtë sy gjendja e territorit shpreh një mentalitet të caktuar qeverisës, i cili medoemos duhet të kthehet në mentalitet për gjithë shoqërinë. Ndaj është e udhës që pozita dhe sidomos opozita, t`i hyjnë tash e tutje me themel, “shkollës së mesme profesionale”, për ta mësuar problematikën tepër komplekse të territorit! Puna me territorin nuk ka filluar akoma edhe pse një ligj u miratua! Nuk duket ogurmbarë, që, sapo u miratua ligji, kryeministri në rol shefi të katedrës e Koçua në rol studenti, mblidhen e ofrojnë objektiva zhvillimore mbi Himarën, mbi bregdetin, mbi territore, që realisht janë aspak të studiuara mbi baza shkencore. Nga doli rezultati se pikërisht në Himarë duhet të nisin investimet e para  dhe jo, ta zëmë, në fushën e Tragjasit, për ngritjen e një kompleksi agro-prodhues ku mund të punësohen disa qindra njerëz? Që këtu na lind e drejta të themi se kurrsesi nuk po flitet mbi objektiva zhvillimore, por thjesht bëhet propaganda deklarative dhe spekulative. Përveç investimeve në infrastrukturë, ku dhe ajo duhet parë shkencërisht me impaktin që sjell mbi territorin, çdo pare e hedhur si investim nuk i shërben territorit. Nuk ka askush dyshime se problemin e kanë absolutisht të panjohur, kur problemi nuk analizohet shkencërisht. Cili autoritet shkencor konkludoi se investimet, po të nisin në Himarë, do të jenë më efektive se investimet në tokën arë të krejt komunës, ku në qendër është vetë Himara me gati pa tokë arë? Kush e tha se nga efektiviteti i investimit mbi territor të shfrytëzueshëm për prodhimtari të lartë bujqësor, sikurse është lugina e Lumit të Vlorës, Komuna e Vranishtit etj, sillen edhe investime, për agro-turizmin dhe turizmin e buzëdetit të Himarës? Askush, nuk e ka këtë të drejtë nëse ajo nuk analizohet shkencërisht! Territori, problematika komplekse për të, duhet të kapet fuqishëm nga shkenca dhe jo nga injoranca e politikbërjeve. Diokleciani u bë i famshëm sepse për ta shpëtuar rrënimin e Perandorisë themeloi sistemin qeverisës të “Tetrakisë” (qeverisjes me sundim të katër vetëve bashkë, duke e ndarë kontrollin e perandorisë mes dy “augustëve” dhe dy “çezarëve” (tituj ato), që të katër nga Iliria. Rama, për të sjellë “rilindjen”, themeloi qeverisjen “Duale”, me një “august nga PS” –ja dhe një “çezar nga LSI-ja”. Por këto shfaqjet mbi punën për ringjalljen e territorit, sjellin brengosje, sepse veprohet me empirizëm të skajshëm, pa u bazuar në shkencë, në njohjen,në traditën. Shtuar kësaj edhe shembulli tepër tragjik, i  heshtjes mbytazi, shoqëruar prej vapës përvëluese të  këtij gushti, nga ana e qeverisjes duale me “August”dhe “Cezar”, karshi vathës kusare të Bankës së Shtetit, të qeverisur si “territor” i pesë a gjashtë imansëzëve, rreth një strumbullari dinsëz, ku vetëm është shpërdoruar e vjedhur, ku është grabitur gjaku i fukarasë, përbën gurin e parë, shumë të rëndë, vetëhedhur përmbi këmbët edhe të Agustit edhe të Cezarit. Shembull që të nxit të hamendësosh se territori, me tërësinë e problematikës së vetë, lipset të rishikohet mirë nga ana e pozitës dhe opozitës, për të mësuar, e para, si ta bëjnë reformën dhe, e dyta, për të mësuar mirë e bërë nesër në qeverisjen. E gjithë politika ka nevojë të ndryshojë mendësinë për territorin duke njohur problematikën komplekse, duke thirrur shkencën t`i paraprijë reformimit tërësor të këtij problemi jetik. Lipset të mësohet mirë prej politikës me mendësinë mbi njëzet vjeçare, se njerëzve u ka ardhur shpirti në majë të hundës, prej këtyre qeverisjeve kusare, shkatërruese e rrënuese mbi territorin, mbi gjithë jetën e tyre.

 . 31 korrik 2014 u miratua në Kuvendin e Shqipërisë Reforma administrative territoriale

. 61 njësi administrative territoriale do të ketë harta e re

. Për zonat me densitet të lartë, numri i popullsisë duhet të jetë rreth 30 mijë, për zonat me densitet mesatar, 20 mijë dhe ato me densitet të ulët, 10 mijë banorë. Përjashtohen nga ky rregull njësitë aktuale, të cilat në shumicë banohen nga minoritetet.

 

 

Duhet të funksionojnë parimet gati federaliste të ndarjes territoriale

Reforma territoriale në Shqipëri ka dështuar

Nga Spartak NGJELA

Shumë zhurmë dhe shumë kundërshti ka për reformën territoriale në Shqipëri. Ajo, për mendimin tim ka dështuar. Në Shqipëri duhet që të funksionojnë parimet gati federaliste të ndarjes territoriale. Bashkimet e mëdha territoriale, për të cilat “qajnë” injorantët e Partisë Demokratike, janë kapitalizmi në veprim, dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me tregun, prodhimin e mallrave dhe me taksat si dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Shqipëria duhet ndarë domosdoshmërisht në katër ose pesë rajone të mëdha, të cilët duhet të drejtohen nga presidenti i rajonit i zgjedhur nga populli me votë të përgjithshme të rajonit. Imagjinoni sesa i vogël do të duket kryeministri shqiptar pas katër ose pesë presidentëve te rajoneve. Secili do të ketë punën e tij. Shumë mirë që u krijuan njësitë e mëdha territoriale në bazë bashkie, por ky duhet të jetë vetëm fillimi. Edhe më shumë duheshin zmadhuar njësitë bashkiake me shkrirjen e komunave. Po kush kupton? Nuk duhej të kishte lëshime për “kopsa” të vogla territoriale, se kjo dëmton zhvillimin kombëtar në funksion të tregut. Gjithsesi, duhet vijuar derisa të arrihet te rajonet për një gati federalizëm shqiptar. Por, a e di kryeministri aktual shqiptar këtë? Mbetet për t’u parë. Por ja sesi më shkruan një miku im nga Gjermania për federalizmin gjerman, që është një intelektual i integruar me jetën elitare në Gjermani. “Specialistët italianë dhe francezë thonë se janë minimumi 100 vjet mbrapa efektivitetit dhe strukturave të federalizmit gjerman”, shprehet ai, dhe vazhdon në analizën e mëposhtme: “Mundësitë e zhvillimit rajonal t’i krijon vetëm Federalizmi. Këtu në Gjermani sistemi funksionon vertikalisht, por nga poshtë lart. Çdo qytet e ka buxhetin të kushtëzuar nga mbledhja e taksave brenda vetes. Konkretetisht, për shembull, një qytet i vogël që quhet Verl (domethënë Patosi) është më i pasur se qyteti disa herë më i madh si Gütersloh (domethënë Fieri). Ka firma më të fuqishme të cilat mbahen në bazë të tatimeve më të ulëta, për të qenë më atraktivë. Pasi mbahet buxheti i qytetit, pjesën që ngelet, ky ia kalon njësisë më të madhe administrative, dhe kjo, pasi mban pjesën e vetë, shumën që ngelet ia kalon Landit. Landi, në fund, ia kalon Kancelares Merkel pjesën e vetë si qeveri federale. (Sigurisht, sipas proporcionit që është saktësuar më ligjin fiskal). Asnjë lloj aksesi nuk ka Kancelari mbi buxhetet e qyteteve… Specialistët italianë dhe francezë thonë se janë minimumi 100 vjet mbrapa efektivitetit dhe strukturave të federalizmit. Nuk është e rastësishme që Zvicra dhe Gjermania funksionojnë në mënyrë perfekte. Shumë mediokër thonë: “Gjermanët punojnë shumë”. Jo, kanë federalizëm, ku Kancelari ka deleguar mbi 70% të pushtetit që zotëron në shtete të tjera. Këta e ndajnë pushtetin pa asnjë lloj kompleksi. Janë vërtet homologë të Saliut!!! …Ndarja territoriale në Shqipëri, për aq sa munda të lexoj dhe pas një konsulte me një mikun tim politikan në CDU, është e dështuar pa u startuar”. Kështu shkruan miku im dhe unë e dhashë të plotë. Sigurisht, federalizmi nuk mund të zbatohet i plotë në Shqipëri, por ai duhet imituar në strukturën e tregut me anë të rajoneve të mëdha që shpreha më lart. Kush nuk kupton se çfarë është tregu i brendshëm dhe zhvillimi si aktor i një tregu global, nuk mund ta drejtojë dot më Shqipërinë.