Vende vakante për anëtarë të këshillit të lartë gjyqësor

621
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 37 dhe 276, pika 8, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpall vendet vakante për 2 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës.

Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) të jenë shtetas shqiptarë;
b) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist;
c) në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë (IAL) ose pedagogë të brendshëm ose të jashtëm jomagjistratë në Shkollën e Magjistraturës;
ç) të jenë personel akademik të kategorisë “profesor” ose “lektor”;
d) në kohën e kandidimit të mos jenë rektor ose Drejtor i Shkollës së Magjistraturës
dh) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
e) të mos kenë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit;
f) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
g) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente;
gj) në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.

Secili prej institucioneve të arsimit të lartë që kanë në përbërje të tyre si njësi kryesore fakultete të drejtësisë, të akredituara sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, si dhe Shkolla e Magjistraturës, të fillojnë procedurat për shpalljen e thirrjeve të interesit, për depozitimin e kandidaturave dhe të dokumentacionit përkatës, si dhe për verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të kandidatëve, sipas parashikimeve të neneve 37, 39, 40 e në vazhdim, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.