Raporti i Antimafias italiane: Shqipëria furnizues kanabisi dhe tranzit për drogërat e forta

293
Sigal

 Implikimi i Policisë së Shtetit dhe deklarata e kreu të SPAK, Arben Kraja : Do të hetohet për zyrtarët që mund kanë lejuar apo favorizuar aktivitetin kriminal nga Shqipëria drejt vendeve të BE

 

 

Shqipëria konsiderohet një vend tranzit për drogërat e forta dhe furnizues kanabisi, sipas një raporti të antimafias italiane. Po sipas raportit, paratë e fituara nga aktiviteti kriminal investohen në turizëm dhe ndërtim. Ndërkohë që nga Shqipëria dërgohen drejt Italisë tonelata të tëra me drogë, te cilat më pas shpërndahen nëpër vendet e BE-së , në vendin tone, Policia e Shtetit mburret me aksionet e antimafies italiane. Si ka mundësi që Italia alarmohet për sasinë marramendëse të trafikimit të drogave të lehta dhe të forta, ndërkohë që nuk kemi asnjë skaf të kapur, asnjë kamion të bllokuar me tonelata drogë që shkojnë drejt Italisë?  Si ka mundësi që droga certifikohet në kamionë nga agjencitë doganore të funksionarëve të shtetit dhe ish-drejtues lokalë  të bashkive dhe policia nuk ka asnjë funksionar të arrestuar ?! Kjo tregon se strukturat e policisë janë të implikuara sipas zinxhirit komandues nga baza, deri tek kupola e Policisë së Shtetit. Ndërkohë që policia harxhon miliona euro për mjete luksi, gjoja operacionale dhe pajisje të tjera dhe ato nuk japin rezultate. Po milionat për dronat specialë që fluturojnë si laraska nëpër rrugë dhe nëpër kodra gjoja për zbulimin e hashashit , për çfarë qëllimi janë mare? Për të goditur grupet e organizuara, apo për t’i zbuluar dhe mbyllur duke u bërë ortak me përqindje me bandat dhe kultivuesit e kanabisit?  Po përse nuk përdoren këta dronë, në vijën bregdetare për të zbuluar  bazat e nisjes  së skafeve dhe avionëve të vegjël të mbushur me thasët e drogës që po helmojnë Italinë dhe vendet e tjera të Europës. A ka përgjegjësi Policia e Shtetit për bazat e nisjes së drogës nga territori shqiptar ?  Nëse po, përse nuk ka asnjë rezultat, por mburret me aksionet e homologëve italianë?  Kush është përgjegjës për këtë krim që po na mban larg Europës , e cila ka vendosur dy kushte për integrimin dhe që i takojnë pikërisht Policisë së Shtetit. Dhe kushtet për policinë janë krimi dhe trafiku i drogës dhe prostitucionit.  Por sikur të mos mjaftonte droga që po çmend Italinë dhe Europën, edhe trafiku i “mishit të bardhë”, ka alarmuar antimafien italiane dhe qëndrën europiane të krimit, kontrabandës dhe prostitucionit pranë BE-së. Ndërkohë dje, policia Italiane goditi një nga bandat e drogës që furnizohej nga Shqipëria. Por ky aksion i policisë Italiane, u trumbetua me mburrje nga policia shqiptare, ndërkohë,  që duhej të përbënte alarm se si ka mundësi që dhjetra tonë drogë kaluan nga kufijtë shqiptarë dhe nuk ka asnjë skaf të bllokuar! Në njoftimin e djeshëm thuhet se: Operacioni “Riviera”, i iniciuar nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e  Operacioneve  Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja, Itali, pati si qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, me aktivitet trafikimin e narkotikëve në rajonin Emilia Romagna, Itali. Ndërkohë që Italia deklaron dhjetra të arrestuar, nga pala shqiptare deklarohet se:  Vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi të strukturuar criminal, ku janë arrestuar 2 persona, a thua se këta dy persona po mbushin Italinë me drogë! Këta me siguri do jenë ato cironkat e vogla të  Adriatikut,  sepse bosët e mëdhenj janë të paprekshëm nga Policia Shqiptare. Madje edhe kur kapet ndonjë skaf nga pala shqiptare,  ai është ose i braktisur dhe bosh, ose i djegur, nga bandat që kanë transportuar sasinë e drogës drejtë Italisë dhe Greqisë. Pak muaj më parë prokurori i Antimafias italiane,  Federico Cafiero De Raho gjatë një takimi në Romë me kreun e SPAK-ut Arben Kraja u kërkoi  hetim të thelluar për kapjen dhe vendosjen para drejtësisë së kokave të trafikut. Ai u shpreh se suksesi i operacionit do të ishte bashkëpunimi mes dy vendeve për të goditur grupet kriminale me skuadra investigative. Nga ana e tij,  Kreu i SPAK-ut Arben Kraja,  deklaroi se: Po hetojmë zyrtarët e përfshirë në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendeve të BE-së. Madje i ndodhur  në në krah të prokurorit të anti-mafies italiane në Romë, gjatë conferences,  kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, u shpreh se në Shqipëri do të hetohet për zyrtarët që mund kanë lejuar,  apo favorizuar aktivitetin kriminal. “Erdha në Romë në datë 7 shkurt, firmosëm memorandumin e bashkëpunimit dhe ideja ishte se duhet të ishim konkretë dhe sot jemi konkretë me operacionin që zhvilluan. Skuadrat e përbashkëta hetimore janë përgjigjja më e mirë që i jepet krimit të organizuar që funksionon në nivelin ndërkombëtar. Falenderoj “Eurojust”,  për ndihmën skuadrat investigative. Operacioni ishte i suksesshëm, me koordinim perfekt në të njëjtën kohë. E reja që kemi sjellë në Shqipëri me këtë hetim, është se nuk jemi kufizuar vetëm me hetimin, por edhe hetim dhe akuzë për pastrim të veprës penale (pastrim parash). Jemi të vendosur që të vijojmë me të njëjtin ritëm edhe me skuadrat e tjera investigative të përbashkëta. Në Shqipëri do të hetojmë përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore që kanë lejuar apo favorizuar aktivitetin kriminal. Kushdo që të jetë i përfshirë dhe do të provohet do të dërgohet para gjyqit”-  tha Kraja. Kjo tregon se të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit që lejuan kanabizimin, grumbullimin dhe dërgesat me skafe, avionë dhe maune drejt italisë dhe Europës duhet të hetohen dhe të vendosen para përgjegjësisë, dhe jo të gradohen dhe të emërohen sa në një qark në  tjetrin, nën bekimin dhe urdhërat e firmosur dhe vulosur nga drejtuesit e Policisë së Shtetit. Nëse nuk ndëshkohen këta drejtues, atëherë kjo tregon se ata janë ortakë dhe në shërbim të kupolës dhe grupeve kriminale të veshura me pushtet.