Presidenti Meta: Së bashku kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri.

352
Sigal

Krenar dhe i nderuar që së bashku me Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), shpallëm sot nga Institucioni i Presidentit, nisjen e lëvizjes kombëtare: #NEJEMI1. Së bashku kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri.
Qëllimi i demokracisë, i ligjit dhe të drejtave të njeriut – shtyllat ku mbështeten shtetet demokratike – është të mbrojë çdo qytetar nga padrejtësitë, dhuna, abuzimi dhe shkeljet e integritetit dhe dinjitetit njerëzor. Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një ndër abuzimet më të rënda kriminale dhe mizore që mund të ndodhë në një shoqëri.
Është momenti që, të gjithë së bashku, jo vetëm të ngremë zërin për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, por njëkohësisht edhe të përmirësojmë politikat, kuadrin ligjor dhe të ngremë barriera për të ndalur dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve.
Nevojitet hartimi i një ligji të posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve në internet; Ndryshimi i Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur me fokus të veçantë mbrojtjen nga dhuna seksuale; apo Krijimi i Regjistrit Kombëtar të të dënuarve për krimet seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri.
Rritja e ndëshkueshmërisë është çelësi i suksesit për të ardhmen. 🇦🇱