Ramona Tullumani: Për një ëngjëll mbrojtës

1367
Sigal

Në këto kohë të vështira që po jetojmë, të mbyllur në shtëpi dhe sa më afër njerëzve që duam, nuk ka si mos na shkojë mendja te ata që mungojnë. Kujtojmë momentet më të bukura dhe ndoshta plot mall shikojmë fotografi e dëgjojmë edhe regjistrime apo shfaqje, që mbeten një thesar i pazëvendësueshëm. Këto bëhen edhe më të çmuara kur e di që të munguarit e ditëve të sotme nuk të përkasin vetëm ty, por të gjithëve. Artdashësve, artistëve e publikut mbi të gjitha. Një prej tyre ishte Ramiz Kovaçi.

Gjithmonë kam menduar se kam qenë një mbesë me fat dhe e mbushur plot dashuri, pasi kam qenë një fëmijë i rrethuar nga artistë dhe njerëz që e donin artin. Shpesh kam dëgjuar njerëz, të cilëve nuk ju pëlqejnë t’i etiketojnë si mbesa apo vajza e dikujt. Përkundrazi unë gjithmonë e kam pasur për krenari. Jam ndjerë e veçantë, e mbushur nga diçka që sot po e kuptoj gjithnjë e më shumë çfarë vlere ka patur. Është shumë e rëndësishme që njeriu të arrijë të krijojë një emër në këtë botë të vështirë, të arrijë të vlerësohet për atë që është realisht. Por kjo peshë shtohet kur historia e familjes dhe kontributi i saj për artin të “detyron” dhe të nxit të ecësh përpara.

Është shkruar shumë për gjyshin tim. Çdo vit ështe e pamundur të mos e kujtojmë ditëlindjen e tij. Në një libër, ne kemi treguar shumë nga jeta e tij artistike, por dhe ajo familjare me bashkëshorten Nikoleta Kovaçi. Sot ai libër është diçka shumë e çmuar për familjen tonë.

Si soprano, unë do të kisha dashur shumë që në të gjithë karrierën time, Ramiz Kovaçi të ishte i pranishëm, por fatkeqësisht kjo ka qenë e pamundur. E parë nga sytë e një fëmije 6-vjeçar, gjyshi im ishte diçka shumë e shtrenjtë për mua. Njeriu më i ëmbël, më i dashur në botë. Edhe sot, gjithmonë i kam sytë me lot kur i dëgjoj zërin ose kur shikoj një foto të tij. Nuk ka gjë më të mrekullueshme kur njeriu ka një ëngjëll mbrojtës, një ndër njerëzit më të shtrenjtë e të veçantë. Edhe pse vitet kanë qenë të pakta, ky person ka shenjuar diçka shumë të fortë tek unë që më mban lidhur gjithmonë, çdo ditë, çdo moment të jetës. Shpesh thonë se nuk mjafton sa momente qëndron me një person, por intensiteti i këtij qëndrimi bashkë. Shumë pak vite zgjasin sa një jetë.

Asnjëherë nuk jam shprehur kështu për gjyshin tim. U kam treguar njerëzve kush ishte ai, duke qenë e bindur se ata e njihnin më mirë se unë. Kam folur për të me shumë krenari, por asnjëherë për emocionet dhe ndjenjat e mia si mbesa e Ramiz Kovaçit. Ky artikull dhe këto pak fjalë të thëna, në ditë të vështira për të gjithë, janë diçka shumë e sinqertë dhe e dashur për mua.

Përvjetori i lindjes së gjyshit tim është kthyer në një datë shumë të rëndësishme për mua. Kur isha e vogël, i thërrisja “Mizi”, ky emër kaq i dashur dhe i mbushur me nostalgji për mua. Kam një kujtim shumë të vëçantë me gjyshin, në një nga provimet e mia të pianos. Në një rast e kam shoqëruar, ndërsa ai pranë meje këndonte. Ndihesha krenare dhe plot lumturi, sepse ndërsa ai, një njeri kaq i madh i skenës botërore, këndonte aty pranë meje, unë me ato gishtat e vegjël e shoqëroja plot pasion. Një kujtim ky që do më mbetet gjithmonë në memorie, si një nga momentet më të veçanta të fëmijërisë sime. Sa do të kisha dashur që të kisha pasur edhe shumë të tjera si këto momente, por ndoshta fakti që është vetëm një, e bën atë diçka kaq të çmuar.

Rolet, shfaqjet, operat e kënduara pafund brenda dhe jashtë vendit e kanë bërë Ramiz Kovaçin një bariton me përmasa botërore, për cilësinë e profilin e të cilit skena shqiptare ka nevojë. Vitet e fundit të jetës, ai i kaloi në Turqi, duke arritur në majat e karrierës edhe në skenat botërore si bariton operistik. Vitet ne Sofje, si student, ku njohu edhe bashkëshorten dhe dashurinë e jetës, Nikoleta Lillova, ishin momente shumë të bukura, që ai i kujtonte shpesh. Më pas, lindja e vajzës, Rajna Kovaçi dhe vitet e kaluara në Romë, në konservatorin e Santa Cecilies, plotësuan karrierën dhe jetën e një artisti të madh. Dhe Ramiz Kovaçi, i treguar nga bashkëkohësit dhe ata që e njohën, ishte vërtet një artist i madh. Sot ai mbetet një vlerë e pazëvendësueshme e artit e skenës shqiptare dhe jo vetëm.

E kujtoj në këtë ditë të lindjes së tij me shumë mall e me shumë dashuri, duke dashur të përcjell tek ju këto kujtime në pak rreshta.

Për Mizin tim me mall…Gëzuar ditëlindjen tënde …