Radio Evropa e lirë/ Opozita në Shqipëri po kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama

549
Protestuesit duke mbajtur në duar tymues. Tiranë, maj, 2019.
Sigal

Protestuesit janë përplasur me Policinë e Shtetit në Tiranë pasi kanë hedhur shishe molotovi në drejtim të Kryeministrisë dhe ndërtesës së Kryesisë së Kuvendit. Ata, po ashtu, në drejtim të këtyre ndërtesave hodhën edhe mjete të forta dhe ngjyrë të zezë.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe vazhdimisht u ka bërë thirrje që të largohen dhe mos të dëmtojnë pronën publike.

Për përshkallëzimin e situatës gjatë protestës ka reaguar presidenti Ilir Meta, i cili iu ka bërë thirrje palëve të ruajnë qetësinë.

“Presidenti i Republikës Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, thuhet në një deklaratë të shkurtër për media nga Presidenca e Shqipërisë.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar përmes një statusi në Twitter duke u bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna dhe sulmi ndaj institucioneve.

Kjo është protesta e 12 në radhë që nga 16 shkurti kur partitë opozitare Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u larguan nga Parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e tyre si deputetë në Kuvend.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që garanton organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre.

Në anën tjetër, Qeveria në krye me Edi Ramën, ka thënë se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 qershor qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre.