Qytetari: Ja si abuzohet me fondet publike

735
Sigal

Letër e hapur/ Pogradecari Fari Liçko apel institucioneve më të larta shtetërore për mosndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Ploçë

Letër e hapur

Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministrit të Shqipërisë;  Z.Ilir Meta, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë

Për  dijeni: Z.Erion Braçe, Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë; Bankës së Mirateve të  Bashkuara; Ministrit të Transporteve; Shtypit dhe mediave vizive; Z. B.Collaku, Aktivistëve të Shoqërise Civile; Z.A.Goxhaj, Shoqërisë për Mbrojtjen e Konsumatorit

 I nderuar Z.Kryeminister!

Siç jeni në dijeni dhe nga dy letrat që ju kam dërguar, përgjigjet tuaja kanë qenë standardet e dikurshme si: “Do e kemi parasysh; Faleminderit; Takohu me Nën/Prefektin” etj.. Shumë më të lehtë e kishit të ngarkonit Zv/Kryeministrin z.Niko Peleshi, i cili është njohës i mirë i qarkut tonë.

Kjo tregon se problemet që unë ngre në dyja letrat, ose nuk i keni lexuar ose nuk ju kanë pëlqyer, për këtë jam i detyruar t’i bëj publike në shtypin e shkuar dhe vizive për të bërë të mundur që djersa e popullit tonë të vuajtur mos të shkojë kot. Ashtu siç e kam cituar edhe në letrat që ju kam dërguar, unë kam punuar për 20 vjet në zonën e të dy Mokrave dhe në rrethin e Pogradecit, ku mendohet të kalojë autostrada.

Që në fillim po ju them se ky investim prej 150 milion dollarësh për 42.7 km rrugë, nuk i shërben aspak Mokrës. Po ju sjell disa argumente bindëse, pse nuk duhet bërë ky investim që nuk i shërben kësaj zone:

• Rruga 42.7 km bëhet në një terren tepër të vështirë, në të cilin ndodhen 5 miniera Qymyr-Guri, si ajo e Beragozhdit, Verdovës, Potkozhanit, Homezhit, Selces terren në të cilin nuk gjendet asnjë pjesë shkëmbore. Kjo do të bëjë atë që shtresat e zhavorrit me mijra metra kub duhet të merren nga 20 deri 100 km larg ose më saktë nga 2 vende nga ura e Bushtricës dhe Pogradeci vajtje-ardhje.

• E gjithë rruga kalon mbi vreshta, pemëtore dhe toka buke, që duhet të shpronësohen rreth 200 hektarë.

• Rruga kalon vetëm mbi 5-6 fshatra nga 40  fshatra që përfshihen në këtë segment.

Lind pyetja: Kujt do t’i shërbejë kjo rrugë?

• Mokra e poshtme është më e madhe se ajo e sipërmja, nuk ka nevojë për asfalt, sepse e ka deri në qendër të komunës, madje dhe më thellë, e cila fillon nga Qafë-Thana dhe është 20 km e asfaltuar.

• Mokra e sipërme e ka asfaltin deri në Minierën e Vërdovës, duhen rreth 10-15 km asfalt në rrugën e gatshme për t’u asfaltuar.

Theksoj,  në qoftë se do bëhet kjo autostradë përsëri Mokra e sipërme do të kalojë nga Miniera e Vërdovës, në vetëm 3 km rrugë të paasfaltuar, e cila shkurton 50 km rrugë po të kalojë nga Qafë–Plloca. Të dyja Mokrat kanë nevojë për rrugët brenda për brenda fshatrave, që me një punë të vogël të organizuar si dhe me ngritjen e 4-5 baxhove dhe depove për grumbullimin e prodhimeve, emigrantët mokrarë me gjithë makinat e tyre të shumta dhe të mësuar tashmë me biznesin do të kthehen në vendin e tyre. Kështu do të realizohet objektivi juaj për 300.000 vende pune. Ka dhe arsye të tjera, por me kaq mund të bindeni pse nuk duhen çuar dëm paret e popullit tonë të shumë vuajtur dhe shumë të lodhur nga politika, pra e thënë ndryshe rreth 130 milion dollarë.

 Pse nuk duhet bërë rruga  Qukës – Qafë Ploçë, për Korçën e qytete të tjera si Pogradeci, Erseka, Bilishti dhe dogana e Kapshticës?

Dogana Qafë-Thanë është nyja, që lidh veç të tjerave, por sidomos për Qarkun e Korçës, i cili tregtinë e bën me ish – Jugosllavinë, Turqinë, Evropën Lindore dhe Perëndimore, për këtë korçarit i duhet të bëjë 42.7 km rrugë, që nga Qafë Plloçe – Qukës si dhe 17.3 km rruge Qukës – Dogane  – Q. Thanë, gjithsej 60 km rrugë si dhe 60 km në kthim, pra 120 km vajtje – ardhje. Ndërsa në variantin nga Qafë Plloce – Qafë Thanë do të bëjë 40 km                         vajtje – ardhje, pra 80 km më shumë bën nga varianti i Qukësit. Për variantin Plloçë – Qafë Thanë në vitin 2005 është marrë mendimi i grupeve të interesit dhe u la që të zbatohet ky variant, variant në të cilin nuk ka asnjë metër katror shpronësime. Të gjitha materialet inerte janë në vend dhe rruga prej 20 km mund të bëhet nga 6 muaj deri në 1 vit. Kostoja e 1 km rruge kushton më pak se 1 milion dollar, nga 3.4 milion dollarë për një kilometër në variantin tjetër, por që me siguri ky do të jetë një çmim më i lartë. Pra, nga 150 milion në këtë variant mund të harxhohen vetëm 20 milion dollarë. Diferenca e kësaj mund të përdoret për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Kështu me një fond mbyllen të dyja segmentet e juglindjes dhe marrin fund stërmundimet e këtyre zonave.

 Lind pyetja në xhepat e kujt do të venë 130 milion dollarë?

Me të drejtë po protestojmë për skandalin e Bankës së Shtetit për vetëm 7.13 milion dollarë. Po këto që janë 20-fishi i kësaj, kush do të përgjigjet për këtë, apo do të ndodhi si me rrugën e Kombit që u nis me 250 milion dollarë dhe përfundoi me 1 miliard euro?

Z. Kryeminister, Ju do të mëkatoni po të bëni këtë segment 42.7 km dhe ju e dini mirë se çdo të thotë mëkat. Në variantin tonë për rrugën, edhe për udhëtarët është më i mirë, i cili nuk do të udhëtojë me honeve të Mokrës dhe të Librazhdit, por sikur do të udhëtojë me avion, sipër do të shikojë qiellin, poshtë liqenin dhe anash pyjet. Përgjatë gjithë kësaj rruge mund të shiten troje dhe mund të investohet privatisht për turizëm. Siç e thamë, rruga  Qukës –Qafë Ploçë ka 6 vjet që është inauguruar (mirë tha Besi, moderatori i Ora Neës, kur më dha mundësinë në telefonatat e mëngjesit, kur me pyeti: A e keni shiritin të paktën? Unë i thashë se duhet ta kemi, për këtë jam i bindur se rruga nuk ka për të përfunduar as për 16 vjet të tjera.

Pra, dëmet që do të shkaktojnë mjetet e rënda në rrugën e re breg – liqenore që do të përfundojë së shpejti, do të jenë të rënda, por edhe bulevardi i Pogradecit, ku efektivisht po kalojnë këto mjete, ka jo më pak dëme. Prandaj duhet më parë të përfundohet rruga në një nga variantet e mësipërme, pastaj të përfundohet rruga breg-liqenore.

Për këtë falënderoj mikun tim të vjetër Prof.Dritëro Agollin, i cili më ka mbështetur, inkurajuar për të shkruar këtë letër, i cili e njeh dhe e ka shkelur për shume vite këtë zonë.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe përkujdesjen dhe mbështetjen shumë të vyer që më ka ofruar Prof. Dr. Jovan Basho.

 Këtë radhë shpresoj se përgjigjja nuk do të jetë ajo e dy letrave të mëparshme.

Fari LIÇKO

Pogradec