Qytetarët kërkojnë ndalimin e rrënimit të Urës së Zogut, dalin në protestë: E ka shkatërruar babëzia e bosëve të kompanive të ndërtimit

64
Sigal

Shoqëria civile, e shqetësuar nga dëmtimi i rëndë që ka pësuar në vitin e fundit ura e Milotit, njohur gjerësisht si “Ura e Zogut” ka vendosur të zhvillojë një protestë ku kërkon mbrojtjen e dinjitetit të historisë shqiptare.

Ura e Zogut, një nga asetet e trashëgimisë kulturore të Kurbinit, e ndërtuar në vitin 1927 rrezikon shembjen dhe banorët e kësaj zone, bashkë me anëtarët e organizatës, nuk e tolerojnë këtë gjë.

Me pankarta në duar me mbishkrimet “Mbro identitetin”; “Mos e zhduk historinë”; “Kush nuk reagon është bashkëfajtor në krim”, ata kërkojnë që autoritetet të reagojnë për urën mbi lumin Mat që dikur lidhte verilindjen me pjesën tjetër të vendit.

Aktivistët shprehen se urën e ka shkatërruar babëzia e bosëve të kompanive të ndërtimit, që prej tre dekadash shfrytëzojnë këtë lumë për të nxjerrë inerte për ndërtim, pa kontroll, ilegalisht dhe legalisht kur bëhet fjalë për kompanitë e kontraktuara nga shteti.