OSHEE drejt falimentit, kërkon 50 milionë euro pranë BERZH

435
Sigal

Qeveria shqiptare ka kërkuar që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të ndihmojë situatën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në vend në një fazë post-Covid-19 për të mbështetur investimet në sektor. Një raport i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë vëren se instiucionet ndërkombëtare kanë vënë në dispozicion shuma të mëdha si pjesë e paketës mbështetëse të situatës dhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trajtim.

Vetë BERZH ka vënë në dispozicion një paketë 2 vjeçare për SME-të për vendet ku operon ndërkohë që detajohen edhe kërkesat e tjera të vendeve. Kështu Mali i Zi ka kërkuar 50 milionë euro për një periudhë afatshkurtër, Serbia ka kërkuar ndihmë sa i përket projektit të dekarbonizimit të sektorit të energjisë.

“Shqipëria : Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar nga BERZH që të shohë situatën financiare të OSHEE. Mbështetja e Institucioneve Partnere Financiare lokale është e disponueshme për shumicën e nevojave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe potencialisht e kërkuar për mbulimin e një pjese të investimeve të rinovueshme që zotërohen nga këto insitucione. BERZH së fundmi disbursoi 50 milionë euro për prodhuesin KESH për të forcuar bilancin  e këtij të fundit përballë efekteve të COVID-19” thuhet në dokument.

Sa i takon disbursimit ndaj KESH duhet theksuar se kompania publike ka përfituar 218 milionë euro kredi që po i shërben për ristrukturimin e borxhit.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka bërë edhe një analizë të mënyrës sesi e kanë përballuar kompanitë e shpërndarjes se energjisë situatën e krijuar nga COVID-19 dhe nënvizon se në Shqipëri janë marrë disa masa për shtyrjen e afatit të licencave. Po kështu janë pezulluar takimet për diskutimin e çmimeve sipas kërkesave të operatorëve, janë zhvilluar dëgjesa online me palë interesi si dhe janë bërë faturime të energjisë sipas një skeme që i referohet konsumit të vitit të shkuar në rastet kur ka qenë e pamundur dalja në terren.