Qeveria vendos papritur dhe në mënyrë të pabesë: Jo votime të emigrantëve!

250
Sigal

-Reagojnë gjithë shoqatat e emigrantëve si dhe Presidenti Meta që ka kërkuar anulimin e këtij vendimi politik të kryeministrit.

-Dhjetra mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi që donin të vinin me 25 prill të votonin, do të bllokohen me forcë nga policia në pikat kufitare me pretekstin se do “rrinë dy javë në karantinë”. Por arësyeja e vertetë mbetet se Rilindja ka informacione se shqiptarët do vijnë në mënyrë masive për të votuar kundër Edi Ramës, ndaj kryeministri sajoi pretekstin e pandemisë. Kjo është një shkelje e hapur kushtetuese e të drejtave të çdo qytetari për të votuar.

Qeveria “Rama” me anë të Komiteti Teknik të Ekspertëve për pandeminë ka marrë ditën e hënë një vendim antikushtetues, duke u hequr të drejtën e votës dhjetra mijëra emigrantëve, të cilët janë rrugës duke ardhur për në Shqipëri që të votojnë. Komiteti i Ekspertëve, një strukturë formalisht e pavarur, por nën kontroll të qeverisë vendosi se emigrantët që vijnë nga pikat e doganore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të karantinohen për 15 ditë. Vendimi, sipas ekspertëve u justifikua me rritjen e rasteve me koronavirus në këto dy vende. Greqia dhe Maqedonia e Veriut për numër banorësh kanë më pak infektime sesa Shqipëria. Konkretisht në Greqi numri i infektimeve ditore është 30 për 1 milionë banorë, ndërsa në Shqipëri mesatarja është mbi 45 infektime për 1 milionë banorë. Në këtë mënyrë, argumenti i infektimeve nuk qëndron. Pas këtij akti nuk ka as mendim “ekspertësh” dhe as masa për të frenuar pandeminë, por vetëm qëllime politike. Futja në karantinë për 2 javë e çdo shqiptari që hyn nga kufijtë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut është ndalim për të votuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pak muaj më parë ka nxjerrë një udhëzim që ndalon votimin e personave që janë në karantinë. Në këtë mënyrë, Komiteti i Ekspertëve (Qeveria “Rama”) ka vendosur që të lërë pa votuar emigrantët. Arsyeja e bllokimi të emigrantëve nga dy shtete është tërësisht elektorale. Gjirokastra, Korça, Fieri, Vlora janë qarqet që kanë shumicën e emigracionit në Greqi. Shifrat janë për rreth 600 mijë që jetojnë në Greqi dhe hyjnë në Shqipëri edhe nga pikat doganore të Maqedonisë. Jo të gjithë nga këta 600 mijë vijnë për të votuar dhe sigurisht mes tyre që ka dhe votues të PS. Por të dhënat e sondazheve të Rilinjdes tregojnë se emigrantët janë të pakënaqur me qeverisjen dhe do të vijnë masivisht për votë ndëshkuese. Mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi, këtë vit u keqtrajtuan nga qeveria “Rama” duke i mbajtur të bllokuar disa ditë në Kakavijë, pa ujë dhe pa ushqime. Emigrantët janë pjesa e shoqërisë që nuk varen nga një vend pune i Rilindjes. Janë ata shqiptarë që nuk gënjehen me 50 euro për të dhënë votën dhe as për një thes me miell, siç ndodhte një ditë më parë në Berat. Janë shtetas të Shqipërisë që ndjekin zhvillimet këtu dhe propaganda e Rilindjes nuk i mashtron dot as me videot 3D apo t’i kërcënojë. Ky kontingjent masiv që paguan taksa në këtë shet dhe kërkon një atdhe më normal, gjithmonë ka votuar kundër qeverive të korruptuara dhe liderëve që dëmtojnë vendin. Për këto zgjedhje, në Athinë dhe qytete të tjera të Greqisë ka pasur organizime masive të qytetarëve për të ardhur ditën e votimeve. Janë shqiptarë që kanë të drejtë të thonë fjalën e tyre për qeverisjen. Pikërisht për të ndalur këtë fluks votuesish dhe votash që në masë të madhe janë kundër Edi Ramës, kryeministri ndërrmarrë një akt prej burracaku dhe antikombëtar. Ka vendosur që t’u ndalojë votën shqiptarëve emigrantë duke u hequr një të drejtë kushtetuese dhe universale. I njëjti Edi Rama që mburrej tetë vite më parë me emigrantët dhe u premtonte në Athinë se do vinte në jetë votimin elektronik për ata, sot i ndalon të shkelin në tokën e tyre dhe i fut në karantinë për të mos votuar. Rreth 10 shoqata shqiptarësh në Greqi kanë reaguar dje për aktin e rëndë të qeverisë dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare. Në mënyrë të qartë, shoqatat e quajnë vendimin e Komitetit të Ekspertëve (Qeverisë) një diskriminim ndaj tyre. Gjithashtu e cilësojnë dhe si një diskriminim ndaj besimtarëve ortodoksë, të cilët këto ditë festojnë dhe Pashkët. Për të rrëzuar vendimin e turpshëm të qeverisë, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje nga Gjykata Administrative pezullimin e vendimit dhe mos ndëshkimin e shqiptarëve. Mijëra emigrantë në rrjetet sociale kanë shprehur indinjatë për aktin e qeverisë dhe deklarojnë se do të vijnë edhe më shumë më 25 prill, vetëm për të ndëshkuar këtë mazhorancës që i trajtojnë si kafshë në kufi dhe nuk u njeh asnjë të drejtë si qytetarë të këtij vendi.

Ndaj duhet që shqiptarët ti japë votë ndëshkuese kryeministrit me 25 prill.

Mili Xhani