Qeveria shkel me të ‘dy këmbët’ Kodin Zgjedhor. Rritja e pagave e ndaluar 4 muaj para zgjedhjeve

105

Kryeministri deklaroi planin 2 vjeçar për rritje pagash dhe shpërblim prej 5 mijë lekësh për pensionistët vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Por këto akte cilësohen si shkeljet më të rënda të Kodit Zgjedhor

Sigal

 Bonusi për pensionistët për fushatë dhe rritja e paralajmëruar e pagave përbën një nga shkeljet më të rënda të Kodit Zgjedhor. Edhe pse raportet e OSBE-ODIHR kanë denoncuar vazhdimisht përdorimin e fondeve për fushatë, kryeministri Edi Rama nuk ka ndaluar edhe këtë herë. Neni 91 pika 4 e Kodit Zgjedhor, ndalon këtë veprimtari deri në 4 muaj para zgjedhjeve. Edhe pse është i vetëdijshëm, për shkeljen, kryeministri Edi Rama po i njollos edhe këto zgjedhje duke shënuar një nga shkeljet më të rënda të Kodit Zgjedhor. Kryeministri deklaroi planin 2 vjeçar për rritje pagash dhe shpërblim prej 5 mijë lekësh për pensionistët vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Por këto akte cilësohen si shkeljet më të rënda të Kodit Zgjedhor, pasi në Nenin 91 Pika 4 të Kodit Zgjedhor parashikohet ndalimi i përdorimit të fondeve shtetërore apo burimeve publike, 4 muaj para zgjedhjeve pasi sjellin ndikim elektoral, deri në abuzim me fondet.

Në nenin 91, Pika 4 thuhet shprehimisht se:

‘Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj, përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore’.

Përdorimi i fondeve publike për fushatë, i keqpërdorimit të administratës kanë qenë ndër shkeljet e konstatuara në çdo raport të OSBE/ ODIHR, por kjo nuk e ka penguar kryeministrin Edi Rama që në çdo fushatë elektorale të shpërndajë fonde, e shpërblime siç rëndomtë ka ndodhur me fondet e tërmetit, asfaltin elektoral, presionet ndaj administratës apo edhe fryrjen e saj me personel fiktiv.

Rama ‘blen’ vota para 14 Majit: 5 mijë lekë shtesë për pensionistët në prill, do rritet paga mesatare

Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes se qeverisë ka bërë me dije se muajin e ardhshëm, të moshuarit do të marrin 5 mijë lekë më shumë në pensionet e tyre. Sakaq ai premtoi edhe rritje pagash për disa sektorë të tjerë, ku shtoi se synohet që të arrihet në një pagë mesatare 900 euro në vitet në vijim. Rama: Kemi në dorë një plan ambicioz dhe mjaftueshëm të arsyeshëm për një rritje pagash, e cila synon të mundësojë ngritjen në harkun e këtyre dy viteve, në nivelin e lartë të rajonit. Dhe faktikisht synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh. Që do të thotë se jemi në kushtet një mundësie të re, mundësi që do e shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve. Pas rritjes së pagës minimale mund të shkojmë drejt pagës mesatare. Do të kemi një rritje së shpejti për një pjesë, detajet do t’i diskutojmë pas aktit të miratimit që do të vijë në 15 ditët e ardhshme dhe do të publikojmë edhe planin e plotë. Do t’i qëndrojmë zotimit për rritjen e pagës së mjekëve dhe infermiereve me 7 % këtë vit, ndërkohë atyre specialistë iu rrit me 50 mijë lekë të reja çdo muaj. E dyta: jemi sot në kushtet kur mund t’ju themi edhe pensionistëve se zotimi për të shpërndarë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë, sot nuk kemi vetëm zotimin e përgjithshëm, por edhe informimin konkret se për pensionistët do të ketë 5 mijë lekë të reja që do shkojnë në drejtim të tyre bashkë me pensionet e tyre herën e ardhshme.