Qeveria ndryshon buxhetin për blerje dronësh dhe teatrin e ri, borxhi rritet me 92 mln €/ Eksperti Preçi paralajmëron rritje taksash

166
Sigal

Qeveria ka rishikuar për herë të katërt buxhetin e vitit 2021 me akt normativ duke vendosur të rrisë deficitin buxhetor e duke i ngarkuar qytetarëve edhe 92 milionë euro borxhe. Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi rritja e ndjeshme e shpenzimeve të planifikuara do të bëj që qeveria të rrisë taksat për qytetarët.

“Ekziston rreziku që nëse vazhdohet gjatë me këtë mënyrë qeverisëse ,qeveria të detyrohet të rrisë taksat sepse në dilemën të shkurtoj shpenzimet publike prioritare kryesisht arsimin dhe shëndetësinë dhe të rris taksat nuk është e largët dita kur do përballemi me rritje taksash mund të jetë direkte dhe indirekte.”, theksoi Preçi.

Në relacionin e vet qeveria thotë se ka nevojë të rrisë deficitin buxhetor dhe borxhin publik për shkak të disa shpenzimeve të ngutshme përfshirë blerjen e droneve të prodhimit turk nga ministria e mbrojtjes apo edhe për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Të gjitha këto shpenzime sipas Preçit do të financohen me borxh publik pasi qeveria nuk parashikon ndonjë rritje në të ardhura.

“Rritja e borxhit me 92 mln euro është një tregus i arrogancës të qeverisë përsa i takon agresivitetit në zgjerimin e shpenzimeve për vepra publike infrastrukturore sic është tuneli i llogarasë që në vlerësime të ndryshme mund të konsiderohen pa frikë të parakohshme.”, pohoi ai.

“Mendoj që duhet të ishte filtruar më shumë përmes këshillit të sigurisë kombëtare për çfarë është përparësi në atë drejtim. Përsa i takon teatrit unë e shikoj si një lëvizje politike që synon të rrisë presionin mbi GJK për ta mbyllur atë çështje kur të gjithë indikacionet e përcjella në media janë që prishja ka qenë e pambështetur në ligj dhe ka persona me emër dhe mbiemër që janë përgjegjës.”, tha ai.

Buxheti i ri do të mundësojë hapjen e garës për ndërtimin e segmentit të Unazës Veriore të Tiranës dhe segmentit Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri 24 milionë Euro do t’i marrin projektet e programeve të zhvillimit dhe 20 milionë ato të ujësjellës – kanalizimeve, 8 milionë Euro do të shtohen te fondi në buxhet për By Pass-in e Vlorës dhe 8 të tjera për programin IPARD të Ministrisë së Bujqësisë me qëllim rritjen e donacioneve fermerëve, ndërsa ka rishpërndarë fonde brenda programeve që nuk kanë avancuar si duhet.