Bashkëpunëtori i Ndreut, akuzohet për korrupsion me tenderët e APD

591
Vetëm 10 ditë pas prangosjes së ish-drejtorit Ekzekutiv të APD Eduart Ndreu, Prokuroria e Durrës ka urdhëruar arrestimin e një tjetër drejtuesi të lartë të Portit të Durrësit. Ai quhet Agron Çopja, dhe ka mbajtur në APD postin e lartë të Drejtorit të Shërbimeve Operacionale, duke u akuzuar pas afro 1 viti hetimesh, për korrupsion me tenderët dhe shpërdorim detyre. Një burim nga Prokuroria e Durrësit i tha “Telegraf” se “rrethi hetimeve dhe personave që do të arrestohen mbetet i madh, pasi edhe veprimtaria antiligjore dhe abuzive e ish-drejtuesve dhe ish-zyrtarëve të APD mbetet sa flagrante, e shtrirë në kohë dhe me përmasa të mëdha abuzimesh financiare”. Pas prangosjes se ish-Drejtorit te Përgjithshëm te Autoritetit Portal Durrës, Eduard Ndreu, dhe ish-drejtori inxhinierik në këtë institucion Mehmet Borshi organi hetimit nxori urdhrin e arrestimit të shtetasit Agron Çopja, 46 vjeç, ish drejtor i Shërbimeve Operacionale në Port. Burimi nga organi akuzës tha se “arrestimi u krye dje në orët e para të mëngjesit, në kuadër të hetimeve për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje te barazisë në tendera”, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik që llogaritet në vlerën e 260 milionë lekë të reja”. Në bazë të hetimeve të deritanishme, Prokuroria ka ngritur dyshime për të paktën dy procedura tenderuese, përkatësisht “Kryerja e remontit te përgjithshme të dy elektrovinçave 16-27.5 t” dhe “Blerje pjese këmbimi elektrike, elektronike për elektrovinça 16-27 ton”. Ndërkohë, organi akuzës po vijon hetimet edhe për disa procedura të tjera prokurimi publik nga ky institucion. Ndaj Çopjas Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë arrest me burg. Prokuroria e Durrësit ka punuar intensivisht për dosjen e APD (Autoritetit Portal Durrës) ndërkohë që në ditët e ardhshme pritet edhe dalja e të paktën 7 urdhër-arresteve të reja për zyrtarë dhe persona të tjerë, madje duke mos përjashtuar edhe dy administratorë firmash, që kanë qenë të preferuarit e Bordit Ekzekutiv të APD dhe ish-drejtuesve të APD. Dyshohet se kanë fituar padrejtësisht tenderët qindra milionëshe dhe kanë ndarë përqindjet mes tyre.
Sigal