Qeveria miraton kuotat, Nikolla: 22 mijë studentë më shumë

381
Qeveria miratoi sot kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë në programet e ciklit të parë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, si dhe tarifat e shkollimit për vitin akademik 2015-2016.
Sipas vendimit të marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, për programet e studimeve jo universitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë do të jenë 19 651, kuotat për program të dytë studimi 200; kuotat për transferim studimesh 300, dhe kuota për shtetasit e huaj 60.
Këshilli i Ministrave vendosi:
Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2015 – 2016, në programet e studimeve të ciklit të parë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, janë 20 211 të ndara, si më poshtë vijojnë:
a) Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, për programet e studimeve jo universitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë 19 651;
b) Kuota për program të dytë studimi 200;
c) Kuota për transferim studimesh 300;
ç) Kuota për shtetasit e huaj 60.
Kuotat e pranimeve të reja, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, përbëhen nga:
a) Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 18 986;
b) Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 600;
c) Kuotat për të verbrit 15;
ç) Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20;
d) Kuotat për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë 15;
dh) Kuotat për jetimët 15
Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të parë me kohë të plotë, programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, pasqyrohen në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.
Kuotat e pranimit për programet e studimeve të ciklit të parë, të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Këto kuota shpërndahen me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë. Rishpërndarja e këtyre kuotave kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, jo më vonë se data e parashikuar për fillimin e vitit akademik 2015-2016. Kandidatët nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Kriteret e vlerësimit dhe të pranimit të tyre në këto programe studimi përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe bëhen të njohura në median e shkruar dhe atë elektronike për të gjithë kandidatët e interesuar. Procedurat për procesin e përzgjedhjes dhe regjistrimit të kandidatëve fitues duhet të përfundojnë përpara fillimit të vitit akademik 2015-2016.
Kuotat e pranimit për të verbrit, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, për romët dhe ballkano-egjiptianët, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij vendimi, dhe për jetimët, të përcaktuara në shkronjën “dh”, të pikës 2, të këtij vendimi, ndahen ndërmjet kandidatëve me statusin përkatës nga një komision me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të komisionit të përbashkët, si dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit. Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit nga personat e interesuar. Tarifat vjetore të shkollimit për studentët që regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimeve të ciklit të parë me kohë të plotë, si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, të vitit akademik 2015 -2016, pasqyrohen në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.
Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Përjashtimi apo reduktimi i tarifës së shkollimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdon studimet.
Në çdo program studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, në vitin akademik 2015-2016, 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë – preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Përjashtim bën Universiteti i Arteve të Tiranës, në të cilin tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë–preferencë) në nivel fakulteti, nuk paguajnë tarifën vjetore të shkollimit. Kuotat e pranimeve për një program të dytë studimi, të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, si edhe kuotat për transferim studimesh, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, mbështetur dhe në kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë. Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit bëhen sipas përcaktimeve në udhëzimin përkatës të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Studentët, që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet. Kandidatët, që kanë përfunduar me sukses një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi. Kandidatët, të cilët aplikojnë për një program të parë studimi në vitin akademik 2015 -2016, në programet e studimeve të ciklit të parë me kohë të plotë në: Universitetin e Arteve Tiranë, Universitetin e Sporteve të Tiranës, universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan (programi i studimit “Edukim fizik dhe sporte”), universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër (programet e studimit “Edukim fizik dhe sporte”, “Pedagogji muzikore” dhe “Pikturë e grafikë”), si dhe në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (programet e studimeve të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën, FASTIP), duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta (përfshirë këtu konkurset e pranimit), të vendosura nga vetë këto institucione publike të arsimit të lartë. Kriteret e veçanta për këto programe studimi duhet t’i plotësojnë edhe kandidatët që kërkojnë të studiojnë në një program të dytë studimi. Studentët, që vijojnë një program të dytë studimi, i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit, të përcaktuar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.
Shtetasit e huaj, që vazhdojnë studimet në një program të parë apo të dytë studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen të njëjtës tarifë shkollimi, si shtetasit shqiptarë që vazhdojnë studimet në programet respektive të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare shtetërore janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit. Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet nëpërmjet parimit Meritë – Preferencë dhe kryhet në dy raunde (aplikimi me dy formularët, A2 dhe A3). 
17.1 Shpërndarja e fituesve në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (merita), si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja. Raundi i parë (aplikimi me formularin A2) zhvillohet në dy faza: Faza I regjistrimi on-line dhe Faza II regjistrimi me dokumentacionet e kërkuara sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Arsimit dhe Sportit në sekretaritë e fakulteteve pranë institucioneve të arsimit të lartë publik, ku janë shpallur fitues.
17.2 Kuotat, që mbeten të parealizuara për çdo program studimi pas aplikimit me formularin A2, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bazë të propozimeve të institucioneve publike të arsimit të lartë.
17.2.1 Në raundin e dytë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë maturantët kandidatë që kanë konkurruar në raundin e parë me të njëjtën renditje preferencash të atij raundi, me përjashtim të:
a) fituesve të preferencës së parë të cilët janë regjistruar në këtë program studimi;
b) maturantëve/kandidatëve të cilët nuk kanë kërkuar vazhdimin e konkurrimit për preferenca më të larta gjatë regjistrimit on-line dhe që rezultojnë të regjistruar në programin e studimit të preferuar.
17.2.2 Formulari A3 përfshin programet e studimit të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë me kuotat respektive të paplotësuara, të rishpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët:
a) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2;
b) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e dytë 2015;
c) kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore;
ç) kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.
Kuotat, që mbeten të parealizuara edhe pas regjistrimit të fituesve të shpallur nga aplikimi në raundin e fundit, nuk rishpallen.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Agjencia Kombëtare e Provimeve, njësitë arsimore vendore (Drejtoritë Arsimore Rajonale/Zyrat Arsimore) dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Sigal