Qeveria i jep ndihmë financiare familjes së Klodian Rashës. E konsideron vrasjen “aksidentale”!

241
Sigal

Qeveria ka vendosur të japë ndihmë financiare, për familjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesnatës në zonën e Laprakës, pranë banesës së 25 vjeçarit.

Siç thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave, për Qazim Rashën, babain e të vrarit, qeveria ka lidhur një pension rreth tetëfishi i pensionit social për çdo muaj. Një tjetër element që bie në sy në vendim, është fakti se aty shkruhet se vrasja ishte aksidentale edhe pse ngjarja është nën hetim nga prokuroria dhe pritet formulimi i akuzës zyrtare ndaj efektivit.

Vrasja e brutale e 25 vjeçarit, shkaktoi revoltë në mbarë Shqipërinë dhe u shoqërua nga protesta të dhunshme. Protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e Drejtorit të Policisë, Ardi Veliu, pas dorëheqjes së ministrit Lleshaj.

Në rradhët e policisë, duket se nuk ka patur asnjë reflektim edhe pas vrasjes së Rashës, pasi ditët e fundit efektivë të ndryshëm, kanë ushtruar dhunë brutale ndaj protestuesve, shpesh pa asnjë shkak.