Qeveria “ç’gradon” 350 “spiunët tatimorë”, nuk jep pagat dhe lekët e harxhuara si “karem”

557
Vetëm 1 muaj pas “gradimit” dhe hedhjes në terren, të një “batalioni” prej 350 spiunësh që do të kryenin misionin për zbulimin e bizneseve që nuk jepnin kuponë tatimor dhe për dorëzimin e provave të abuzimit tek shërbimet tatimore, “spiunët” tatimorë janë “ç’graduar” përsëri me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Burime nga Ministria e Financave, konfirmuan për gazetën “Telegraf”, se dje në mbrëmje, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, ideatori i skemës së “spiunëve” të kuponëve tatimorë brenda veprimtarisë së biznesit, ka marrë një urdhër të formës së prerë prej kryeministrit Edi Rama, për të nxjerr jashtë “shërbimit” 350 spiunët, të cilat ishin rekrutuar 30 ditë më parë. Këta “spiunë terreni” në shërbim të realizimit me efiçencë të aksionit kontrollues e ndëshkues të tatimeve, janë hedhur në veprim në datën 20 tetor 2015, ose më saktë 1 muaj më parë, si strukturë “agjenturore zbuluese” në varësi dhe ndihmë të shërbimit tatimorë, për të përgjuar, regjistruar “me zë e me figurë” dhe për të raportuar ato biznese, të cilët gjatë furnizimeve, shitjeve dhe shërbimeve që kryenin, nuk jepnin kuponë tatimorë. Që nga sot, pas urdhrit të djeshëm të dhënë prej kryeministrit Rama, 350 “spiunët” e biznesit nuk do të jenë më në terren. “Spiunllëku” i tyre zgjati vetëm 30 ditë, periudhë në të cilën, thuhet se ata kanë depozituar në 12 drejtoritë rajonale tatimore mbi 110 mijë informacione me emra lokalesh e shërbimesh, prej të cilëve nuk jepeshin kuponë tatimorë edhe pse ekzistonin kasat fiskale, kryesisht “Bar-kafe”, dyqane “Fruta-Perime”, gjellëtore, shërbime artizanati e kudo ku “spiunët” kishin mundësi të depërtonin e të zbulonin. Kujtojmë vendimin e shpallur nga Ministria e Financave, që për pagesën e punës së tyre dhe “dietat” që ata do të përdornin si “karrem” nëpër kafene, shërbime e tregje gjatë “përgjim-zbulimit”, shteti do të paguante 100 milionë lekë, ose 2% nga të ardhurat e tatimeve, më saktësisht nga të ardhurat e gjobave që do t’’u viheshin bizneseve, duke e specifikuar këtë fond me urdhër të Ministrit të Financave, si “Shpenzime për investime për përmirësimin e infrastrukturës së mbledhjes së të ardhurave dhe për shpërblime stimuluese të personelit të administratës tatimore, ose për kryerjen e një shërbimi me rrezikshmëri të veçantë”, siç është rasti i shërbimit agjenturor zbulues të bërë prej 350 spiunëve të rekrutuar si “syri” i tatimeve në terren. Sipas burimit të informacionit, ideatori, financuesi zyrtar dhe urdhëruesi i rekrutimit të 350 “spiunëve”, ka kërkuar prej kryeministrit, që bashkë me largimin, t’u bëhej edhe likuidimi për “spiunllëqet” e bëra gjatë 1 muaji, por kjo kërkesë e shefit të 350 “spiunëve tatimorë” nuk është pranuar nga shefi i qeverisë, duke mos i dhënë asnjë shpjegim. Tashmë, mbetet që mos dhënien e pagesës së 350 “spiunëve” për 30 ditët e veprimtarisë agjenturore, ta justifikoj vetë ministri Cani. Mësohet, se dje ministrit Cani i është propozuar një variant justifikimi, për t’i përcjellë me këtë motiv: “Nuk keni pasur efektivitet dhe saktësi në informacione, ndaj nuk do të paguheni”. Në fakt, pas tërheqjes së qeverisë ndaj aksionit kundër informalitetit në biznesin e vogël, nuk është i nevojshëm as misioni i këtyre “spiunëve”, të rekrutuar për një “copë bukë në ditë”, të cilëve përveç pagesës së 30 ditëve shërbim që kryen, mësohet se nuk do t’u jepen as lekët e harxhuara për blerjet dhe shërbimet që kanë kryer, të përdorura si “karrem” për të zbuluar ata që nuk jepnin kuponët tatimorë.
Sigal