Qeveria cenon numrin e deputetëve të Beratit në Parlament

510
Sigal

BERAT/ Erjon Braçe: “Qeveria po manipulon zgjedhjet e 2013-s nëpërmjet ndërhyrjeve në regjistrat e gjendjes civile

Nga Berati, deputeti socialist Erjon Braçe ka akuzuar qeverinë për manipulim të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në lidhje me përfaqësimin e Beratit në Parlament, nëpërmjet ndërhyrjes që po bëhet në regjistrat e gjendjeve civile. Përfaqësimi i Beratit, ka thënë Braçe, po tentohet të ulet nga 8 deputetë në 7, në Parlament, në një kohë kur shifrat e popullsisë tregojnë se Berati si qark nuk ka rënie të popullsisë, përkundrazi nga 231 000 banorë popullsia është rritur, gjatë 2 muajve të fundit, me 137 banorë më shumë. Deputeti socialist Erjon Braçe ka akuzuar Ministrin e Brendshëm dhe zv/ministrin e Brendshëm, të cilët për nevoja të ngushta elektorale të PD-së po i bëjnë dëm Beratit duke ndërhyrë në regjistrat e gjendjeve civile. I gjithë ky manipulim, ka thënë Braçe, po kryet nga ministri i Brendshëm që është deputet në Kukës, dhe pikërisht në këtë qark qeveria po pretendon të shtojë nëpërmjet manipulimeve një tjetër mandat, duke e çuar numrin nga 3 në 4 deputetë dhe e gjithë kjo është në kurriz të mandatit të 8-të të Beratit. Numri i banorëve në Kukës, ka vijuar Braçe, është 108 000 banorë, por në 2 muajt e fundit në regjistrat e gjendjes civile janë shtuar 682 banorë, jo për lindje natyrale, por të importuar. Gjatë konferencës për shtyp, të dhënë në selinë e PS-së Berat, Erjon Braçe është ndalur sërish në problematikat e fermerëve të ullirit dhe në rrugën Berat-Lushnje, ku sipas Braçes, janë vjedhur nga qeveria 24 milionë lekë që janë deklaruar nga Ministri Olldashi se janë investuar në rrugët e qarkut të Beratit.