Prof. Dr. Lisen BASHKURTI / Akademikët e Sllobodanit ftohen, akademikët e Kosovës injorohen

758
Sigal

Akademia e Shkencave të RSh ka ftuar në 40-vjetorin e saj Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, ndërkohë që Akademia e Kosovës e kishte paralajmëruar mungesën e saj nëse do ishte në këtë përvjetor Akademia Serbe

Gazeta “Koha ditore” e Kosovës njoftoi këto ditë që, Akademia e Shkencave të RSh ka ftuar në 40-vjetorin e saj Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Ndërkohë që Akademia e Kosovës e kishte paralajmëruar mungesën e saj përmes një letre që i ka dërguar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në datën 29 tetor të këtij viti, nëse do ishte në këtë përvjetor Akademia Serbe. Në letrën e Akademisë së Kosovës shkruhet se “këto ditë mësuam se në kremtimin e 40-vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ishte ftuar Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve. Është punë e juaj se kë ftoni, por duke marrë parasysh rolin e Akademisë Serbe në përpilimin e suazave “shkencore” dhe ideologjike në nxitjen e dhunës dhe të gjakderdhjes masive deri te gjenocidi i hapur ndaj shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve etj., Akademia jonë nuk e ka pritur mirë këtë ftesë”.

I kërkoj falje vëllezërve të mijë akademikë të Kosovës martirë, gjaku i së cilës u derdh nga armët e Serbisë, të paraprira e të frymëzuara nga doktrinat dhe platformat e Akademikëve Serbë. Në historinë e akademizmit shqiptar do mbahet mënd si një faqe e errët, paditurie dhe antikombëtare ftesa në përvjetorin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe lënia jashtë këtij eventi e Akademisë së Kosovës. Më vjen shumë keq dhe ndjehem i fyer si qytetar, si studiues dhe si diplomat për këtë ngjarje të rëndë që ka prekur thellë ndërgjegjen shkencore e akademike mbarë shqiptare. Me këtë veprim Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka hequr vetes të drejtën të quhet “akademi”, të emërtohet e “shkencave” dhe aq më pak të mbajë emrin e ndritur të “Shqipërisë. Nuk kemi të bëjmë më as me akademi, as me shkencë, as me Shqipëri, por mesa duket kemi të bëjmë me mullinj politikë që marrin erën nga katakombet e përgjakura të Beogradit. Padyshim që është turp.  Meqenëse autoritetet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kanë nevojë të reflektojnë thellë mbas këtij shkrimi, me qëllim që t’ua lehtësoj përpjekjen për arsyetime të panevojshme po parashtroj aq sa më lejojnë faqet e një gazete se kush është, çfarë ka bërë dhe kush e drejton sot Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Mbas këtij përshkrimi historik lexuesi dhe hienat e Akademisë sonë të Shkencave le të nxjerrin konkluzionet e tyre. Akademikët Serbë janë në themelet e doktrinës nacionaliste Serbe dhe vijojnë të jenë në krye të saj. Ky është rast mjaft unik në historinë e ngritjes dhe të zhvillimit të nacionalizmave në Ballkan. Përgjithësisht ndryshe nga mënyra sesi filloi dhe u zhvillua lëvizja autonomiste anti-osmane e shqiptarëve, lëvizja autonomiste serbe u formëzua nga doktrina e qartë akademike nacionaliste. Në gjenezat e saj lëvizja serbe, që filloi në vitin 1804 dhe vazhdoi deri në vitin 1816 solli një periudhë autonomie për Serbinë. Pra, për një periudhë gati dy dekadash lëvizjet serbe ishin në kuadër të autonomisë anti-osmane pa trajtën e një lëvizje të plotë dhe të qartë nacionaliste.

1. Doktrina e Garashaninit “Naçertanie”

Periudha e autonomisë i krijoi një hapësirë relativisht më të lirë për shndërrimin e lëvizjes politike serbe nga autonomizmi në doktrinë nacionaliste shtet-formuese. Një kapërcim të tillë e shënoi në historinë serbe në vitin 1843, Ilia Garashanini, akademik themeltar i nacionalizmit Serb. Garashanini u bë ministër i Princit të ri Serb, Aleksandër Karagjorgjeviç, i cili zëvendësoi ish-Princin Mihajl Obrenoviç. Karagjorgjeviçi, ndryshe nga Obrenoviçi i krijoi hapësirë Garashaninit për zhvillimin e lëvizjes së tij politike. Duke e ndjerë këtë hapësirë, Garashanini i dërgoi në mënyrë sekrete Princit Karagjorgjeviç platformën e tij akademike nacionaliste “Naçertanie”, që do thotë “Programi i Serbisë së Madhe”. Ky program niste me glorifikimin e  Serbisë mesjetare dhe spekulonte më tutje me ardhmërinë e saj. Garashanini e fillonte strategjinë tij me shkatërrimin e Perandorisë Osmane dhe vijonte me shpartallimin e Austro-Hungarisë, të cilën e shihte si armik të përhershëm të Serbisë, me rrezikshmëri për të zëvendësuar Perandorinë Osmane në Ballkan. Në doktrinën akademike nacionaliste “Naçertanie”, Garashanini vizatoi hartën territoriale në të cilën duhej të shtrihej Serbia e madhe.

“Interes primar kishte Bosnje & Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria Veriore, të gjitha zotërime turke me popullsi serbe.  Shqipëria ishte gjithashtu shumë e rëndësishme sepse ajo ofronte dalje në dete, një nevojë kjo për të parandaluar barrierat austriake mbi tregtinë e jashtme të Serbisë. Garashanini ishte i interesuar për serbët që jetonin në Banat, Backa dhe Vojvodinë (krahinë në jug të Hungarisë përgjatë Danubit nga Beogradi). Për arsye pragmatike, Garashanini argumentoi çdo përpjekje të hershme për t’i bashkuar këto zona, sepse ato u përkisnin Austrisë, një shtet më i zoti se Turqia për t’i rezistuar Serbisë… Të njëjtin arsyetim aplikoi për Kroatët, Slavoninë dhe Dalmatinë… Duke u interesuar për sllavët e jugut për arsye të lidhjeve me Serbinë. Sllavët e Bullgarisë kishin më pak vëmendje të menjëhershme ngaqë Turqia ishte më e fortë në atë zonë dhe vetë Rusia nuk dëshironte që Serbia të futej thellë në Ballkanin Lindor, kaq afër me Stambollin. Garashanini kishte simpati për sllavet çekë, por duke e ditur se nuk janë sllavë të jugut nuk tregoi interes për bashkimin e ardhshëm të Çekëve me Serbinë” 1.

Si akademik doktrinar i përgatitur për kohën, Ilia Garashanini parashtroi jo vetëm programin politik, por edhe taktikën diplomatike për realizimin e saj. Asokohe Rusia ishte paternaliste e Serbisë dhe diktonte shumë mbi politikën e saj. Garashanini shikonte vlerë te paternalizmi i Rusisë, por edhe pengesë me ndërhyrjen e saj të fortë. Kështu që ai nxiti bashkëpunime diplomatike me fuqi më pak të interesuara për Serbinë, por me peshë, siç ishte Franca. Gjithashtu, pavarësisht nga problematikat rivalizuese me Austrinë, sërish, Garashanini e konsideronte atë me rëndësi për të balancuar në një farë mënyre ndërhyrjen e fuqishme të Rusisë në rajon. “Naçertanie” e Garashaninit u bë shumë shpejt platforma politike e nacionalizmit serb për kohët që do pasonin. Kështu, mbas vrasjes së Mihail Obrenoviçit dhe riardhjes së Karagjorgjeviçit në fronin serb, partia radikale serbe e drejtuar nga Nikola Pashiç e shndërroi “Naçertanien” e akademikut Garashanini në program politik bazë për Monarkinë Serbe. Pashiçi ishte një orator i zoti, një politikan fushatash populiste, një demagog i rrallë, gazetar i talentuar, diplomat dinamik, sikundër edhe trafikant dhe kriminel i fuqishëm në kohë trazirash e luftërash. Nga ardhja e parë në qeveri në vitet 1878 e deri në fund të karrierës së tij, Pashiçi i qëndroi besnik doktrinës së akademikut Garashanini “Naçertanie”. Rënia e dinastisë së Obrenoviçit me grusht ushtarak në vitin 1903 nxori për herë të parë në skenën politike serbe si faktor me ndikim dhe veprim të madh politik – ushtrinë. Ashtu sikundër në Greqi dhe në Turqi, nga vitet 1923 e deri në vitet ’70 të shekullit të XX-të ushtria do përzihej thellë në punët e politikës, po ashtu do ndodhte edhe në Serbi. Duke u përzier thellë në punët e politikës, që ishte e udhëhequr nga doktrina nacionaliste, faktori ushtarak në Turqi, Greqi edhe në Serbi ka përbërë një precedent të rrezikshëm si për stabilitetin politik të brendshëm, ashtu edhe për marrëdhëniet me fqinjët e rajonin. Perëndimi asnjëherë nuk i ka pritur mirë veprimet politike të ushtrive turke, greke dhe serbe, ndërkohë që opinionet publike të këtyre vendeve Ballkanike i kanë parë ato veprime me simpati.

 “Naçertanie” si doktrinë akademike nacionaliste Serbe dominoi edhe marrëdhëniet me jashtë të Serbisë. Serbia përplasej kudo me interesat e saj nacional-shovene. Për Maqedoninë, Serbia ishte përkundër Greqisë dhe Bullgarisë, për Bosnje & Hercegovinën ishte përkundër Austro-Hungarisë, për Shqipërinë ishte përkundër Italisë dhe Austro-Hungarisë. Në këto rrethana të rrezikuara për platformën e “Naçertanie”-s, Serbia adoptoi një politikë jashtëzakonisht agresive. Si rezultat i kësaj politike gjatë Luftërave Ballkanike, Serbia arriti të plotësonte rreth 82 përqind të hartës së propozuar nga Ilia Garashanini në vitin 1843, një hartë kjo e bazuar te ekspansioni territorial, spastrimet etnike dhe kolonizimet e dhunshme. Themelimi i Jugosllavisë, përmes trojkës Serbo-Kroato-Sllovene në përfundim të Luftës së Parë Botërore, parashtruar qysh në vitin 1917 në Deklaratën e Korfuzit, nuk arriti dot të balanconte kurrsesi nacionalizmin serb brenda saj. Megjithë përpjekjet e mëdha të kroatëve për të aplikuar një koncept federalit, sërish nacionalizmi serb diktoi drejtimin e Monarkisë Treshe. Nga viti 1919 deri në 1929, kur Mbreti Aleksandër Karagjorgjeviç shpërndau parlamentin dhe imponoi mbretëri diktatoriale, gjithë lufta politike në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene u pat bërë ndërmjet përpjekjeve unitariste nacionaliste serbë me bazë “Naçertanien” dhe federalisteve Kroato-sllovenë. Ngritja e monarkisë diktatoriale të Mbretit Aleksandër fuqizoi akoma më shumë pushtetin serb dhe njëherësh nacionalizmin e tij. “Naçertanie” mbeti platformë veprimi. Ndër popujt që kjo platformë goditi më shumë ishin shqiptarët. Shqipëria dhe shqiptarët në këtë periudhë përballeshin me themelimin e shtetit të pavarur dhe konsolidimin e tij. Ndërkohë, politika dhe diplomacia nacionaliste Serbe vepronte kundër shqiptarëve në Kosovë e në Maqedoninë Perëndimore. Mbas pushtimit prej Serbisë në vitin 1912, Kosova u organizua nga shteti serb në pesë qendra administrative: distrikti i Prishtinës, i Prizrenit, i Novi Pazarit, i Kumanovës dhe i Shkupit. Në 1913 u organizua edhe distrikti i Zveçanit me qendër Mitrovicën. Ndërsa ngelen nën  Malin e Zi, Deçani, Peja, Istogu dhe një pjesë e Drenicës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Serbia dhe Mali i Zi bënë shumë krime, akte gjenocidi, spastrime etnike dhe konvertime fetare të detyruara për shqiptarët e Kosovës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, me akte ligjore të posaçme nacionalistët serbë shpopulluan shumë zona shqiptare me qëllim që t’i hapej vend kolonive të krijuara me serbë e malazezë. Kështu në shkurt 1914, Qeveria Serbe miratoi Ligjin Dekret mbi Reformën Agrare dhe Kolonizimin në territoret e pushtuara. Ky ligj ka qenë në fuqi deri në vitin 1919. Mbi bazë të këtij akti u ndërruan edhe emrat e vendeve në Kosovë, duke u sllavizuar. Në të njëjtën mënyrë veproi edhe Mali i Zi me Kosovën e popullsinë e saj.

2. Doktrina e Çubriloviçit “Përzënia e Shqiptarëve”

Ngjarja e vrasjes së Mbretit Aleksandër në vitin 1934 nga një terrorist maqedonas me lidhje kroate nuk ndryshoi kursin nacionalist serb. Madje, mbas vrasjes së Mbretit Aleksandër, për zbatimin e doktrinës së “Naçertanies” u angazhuan edhe akademikë të tjerë të Serbisë. Ndër to shquhej Dr. Vasa Çubriloviç, i cili përpunoi Memorandumin “Përzënia e Shqiptarëve”, paraqitur qeverisë serbe me 7 mars 1937. Ky Memorandum ka në fokus synimin serb për të pastruar etnikisht territoret e banuara nga shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, duke i përzënë ato dhe duke i zëvendësuar me kolonë, kryesisht malazezë e serbë. Duke folur për marrjen e atyre territoreve që pati dizajnuar në hartën e tij Ilia Garashanini, Vasa Çubriloviç shkruan…

“Padyshim, shkaku kryesor për mungesën e kolonizimit të atyre rajoneve lidhet me nevojën për t’u marrë tokë shqiptarëve. E vetmja mënyre për kolonizimin masiv të atyre rajoneve është t’u merret toka shqiptarëve”2.

Akademiku serb, Çubriloviç është korrektuesi dhe zhvilluesi i doktrinës së akademikut Garashanini në kushtet e reja të Jugosllavisë dhe gjatë Sistemit Ndërkombëtar të Versajës. Duke shkruar me metodën që do të duhej ndjekur për të realizuar përzënien e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia Perëndimore dhe zëvendësimi i tyre me kolonë sllavë, Vasa Çubriloviç shkruan…”E vetmja rrugë dhe mënyrë për të shpërngulur shqiptarët është forca brutale e shtetit të organizuar, të cilin e kemi pasur gjithnjë superior ndaj tyre” 3.

Natyrisht, Çubriloviçi e dinte mirë se tanimë edhe tek shqiptarët, sidomos mbas shpalljes së pavarësisë së shtetit të tyre në vitin 1912 ndërgjegjja kombëtare dhe fryma nacionaliste ishin rritur e përhapur shumë shpejtë dhe me agresivitet. Çubriloviçi e parasheh këtë luftë identitetesh ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në këtë paragraf…

“Është e pamundur të flasësh për ndonjë farë asimilimi nacional të shqiptarëve në favor serb. Përkundrazi, për shkak se ato e mbështesin veten e vet te Shqipëria, ndërgjegjja e tyre kombëtare është zgjuar dhe nëse nuk e llogarisim këtë në kohën  e duhur, brenda 20-30 vjetësh ne do të përballemi me një irredentizëm të tmerrshëm, shenjat e të cilit janë pothuajse të dukshme dhe që në mënyrë të pashmangshme do të përkeqësonte gjithë territoret e jugut” 4.

Çubriloviçi parashikonte në platformën e tij përzënien e rreth 200 mijë shqiptarëve, kryesisht në Turqi dhe një pjesë në Shqipëri. Kjo platformë, ndonëse nuk u zbatua tërësisht për arsye të rezistencës së fortë të shqiptarëve dhe të konjukturës ndërkombëtare që nuk favorizoi një zhvendosje të tillë, sërish ajo bëri shpërngulje të konsiderueshme të mijëra familjeve shqiptare dhe vendosi shumë kolonë serbë e malazezë në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Si pasojë e politikës së “Naçertanies’ të detajuar në kohë te tjera edhe nga Vasa Çubriloviçi, nga viti 1912 deri në vitin 1938 janë djegur në Kosovë 320 fshatra me popullsi shqiptare; janë vrarë 12.346 shqiptarë; janë burgosur 22.160; janë  dhunuar 50.515 shtëpi; janë djegur 6.125 të tjera. Nga viti 1912 e gjatë tërë Luftës së Parë Botërore e më pas u detyruan të largohen me forcë nga Kosova, Sanxhaku e Maqedonia, gjithnjë sipas dokumenteve diplomatike serbe të kohës, 239.807 shqiptarë në drejtim të rrugës Kavalo të Greqisë për në Turqi. Mbas këtij procesi u sollën në territoret shqiptare si kolonë 20.000 familje serbe dhe 5.000 familje malazeze. Përballë kësaj situate një pjesë e konsiderueshme e këtyre refugjatëve të përzënë kosovare u vendosën në Shqipëri, në zonat e Shkodrës, Durrësit, Krujës, Kavajës, Beratit, Sarandës, Koplikut, Lushnjës, Fierit, Tiranës, Leskovikut dhe Kukësit. Vetëm në zbatim të platformës së Çubriloviçit 13.938 familje u vendosën forcërisht si kolonë në Kosovë deri në vitin 1935 si dhe mijëra shtëpi u ndërtuan për kolonët në Kosovë. Kolonizimi pati si synim tjetërsimin dhe fragmentimin e popullit shqiptar në Ballkan, veçanërisht nga shteti i sapoformuar shqiptar. Prandaj, kryesisht kordonët e kolonëve u vendosën në zonat ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë Perëndimore dhe Shqipërisë. Qëllimi ishte jo vetëm thjeshtë pastrim etnik dhe kolonizim, por edhe gjeostrategjik, pra për të shkëputur lidhjet e drejtpërdrejtë njerëzore mbarë shqiptare në Ballkanin Perëndimore. Por, për kundër-reagim, largimet me dhunë të shqiptarëve zhvilluan nacionalizmin shqiptar, tanimë të shpërndare jo vetëm në Ballkan, po edhe në diasporë. Ishin pikërisht këto largime forcërisht të shqiptarëve jashtë që krijuan diasporën e parë masive shqiptare jashtë shteti, kryesisht në Evropë dhe në Amerikë. Kjo diaspore do luante rol përherë e më të rëndësishëm diplomatiko-lobues për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi në Perëndim në vitet që do pasonin.  Pra, sikundër shihet është me rëndësi në analizën e nacionalizmit serb, që të vështrohet me detaj roli e vendi i shkollës dhe i akademizmit serb, i cili krah më krah me kishën serbe kanë qenë inspiruesit dhe bashkëzbatuesit e platformës politike të nacionalizmit Serb. Specifikisht, për nacionalizmin serb mund të thuhet se është ushqyer shumë nga shkolla serbe, nga akademikët serbë dhe nga intelektualët. Ndërlidhja midis politikës, shkollës dhe akademizmit, me bosht nacionalizmin, është një nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet Serbia, por edhe marrëdhëniet rajonale në dekadat që vijnë. Nuk ka asnjë dyshim dhe kohët tona po e provojnë edhe sot, se një nga plagët më të rënda për t’u shëruar në Serbi është shkolla dhe akademizmi serb. Duke analizuar këtë aspekt të nacionalizmit serb, historiani i Ballkanit, Steven Souard vë në dukje…

“Nacionalizmi popullor ishte produkt i forcave të tjera përveç Partisë Radikale. Duke filluar nga viti 1880, Partia Progresive dhe Radikale ranë dakord që të fusnin doktrinën nacionaliste në arsimin publik. Nga gjysma e vitit 1890 gjysma e studenteve në vend ishin duke mbaruar arsimin elementar katër vjeçar. Shteti ushtroi kontroll total mbi shkollat, duke përfshirë kurrikulat dhe tekstet, dhe ato tekste transmetonin mesazhe të nacionalizmit emfatik Serb…

Tekstet gjeografike bazë identifikuan gjithë territoret që do përbënin më vonë shtetin jugosllav, si territore serbe (dhe jo thjeshtë si të sllavëve të jugut)…  Tekstet e historisë përmbanin mesazhe të ngjashme. Një tekst i gjerë historik i përshkruante kroatët si ’fise serbe’ që u vendosën në rajon tjetër dhe u bënë katolik. Tekstet historike serbe deklaronin, gjithashtu Maqedoninë si territor historik dhe etnik serb, sepse paska qenë pjesë e Serbisë mesjetare. Tekstet serbe ishin mbushur me përralla të martirëve heroikë të cilët vrisnin ose vriteshin për vendin e tyre, nga poezitë folklorike rreth Kosovës deri të Princi Mihajl i vrarë në vitin 1868. Falë këtyre librave dhe mësuesve patriotik, një përmbajtje e tillë ndikoi shumë në gjeneratat e studentëve serbë, duke përfshirë edhe disa serbë nga Bosnja, që shkuan për studime në Serbi” 5.

Përveç shkollës, e cila, padyshim pati ndikimin më të madh dhe më afatgjatë në masat popullore, në krijimin dhe indoktrinimin nacionalist të shoqërisë, por edhe të politikës së lartë serbe kanë pasur qarqet akademike të atij vendi. Sikundër kemi pasur rastin të analizojmë më lart, ideologët e nacionalizmit serb si Ilia Garashanini, e Vasa Çubriloviç, në këtë linjë vazhduan e kontribuuan pranë akademisë serbe dhe në kabinetet e qeverisë serbe edhe akademikë të tjerë sikundër janë Cvijiç, Ivan Vukotiç, Ivo Andriç e deri tek Çoviç – të gjithë akademikë në formimin dhe veprimtarinë e tyre dhe instrumente politikë në bindjet dhe synimet që kishin. Veprimtaria akademike e kësaj aradhe ishte tërësisht e lidhur me politikën dhe në funksion të saj.

3. “Memorandum SANU” i akademikëve Serbë për Millosheviçin

Për të kuptuar sesa e vërtetë është simbioza akademizëm-nacionalizëm në jetën akademike serbe nuk është nevoja të nxirren vetëm argumente historike nga “Naçertanie” e Garashaninit, apo nga “Përzënia e Shqiptarëve” e Dr. Çubriloviçit, që padyshim përbëjnë bazat themelore teorike të nacionalizmit serb. Për këtë mund t’i referohemi edhe qëndrimeve bashkëkohore të akademikëve serbë deri në fund të viteve ’80’ pra atëherë kur Jugosllavia po përjetonte vitet e agonisë së saj. Le të rikujtojmë në këtë artikull se në vitin 1986, Akademia Serbe e Arteve dhe Shkencave paraqiti dokumentin famëkeq me emrin “Memorandum SANU”, si platformë kryesore në të cilën u mbështet Millosheviçi në ndërmarrjen e masave represive dhe zhvillimin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, veçanërisht ndaj shqiptarëve që nga viti 1987. Anëtar i ekipit të këtij “Memorandumi” ishte nënkryetari i sotëm i Akademisë Serbe, akademik Lubisha Rakiq, të cilit i është drejtuar ftesa e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  “Memorandum SANU” i vitit 1986 përmban në thelb “Ideologjinë e Serbisë së Madhe” në kohët tona (Greater Serbian Ideology). Në këtë dokument, akademikët e Serbisë mbasi i bëjnë një analizë të hollësishme historike politike dhe ekonomike mbarë Jugosllavisë, ndalen posaçërisht te Serbia. Në kapitullin “Statusi i Serbisë dhe Kombi Serb” (“The Status of Serbia and the Serbian Nation”) shpalosen qartë dhe pa ekuivok pikëpamjet thellësisht nacionaliste të akademikëve serbë. Ndofta ky është dokumenti i fundit publik në formë memorandumi me të cilin akademikët serbë ushqyen politikën në vigjilje të ardhjes në pushtet të Sllobodan Millosheviçit 6.  Ky dokument akademik obskurantist shqetësoi akademikët e gjithë botës moderne. Duke u befasuar me analizën e këtij memorandum, akademiku izraelit, i Universiteti Hebrej të Jeruzalemit, Igor Primoratz shkruan…

“Shpërndarja së fundi e ideologjisë së Serbisë së Madhe, “Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (1986) kishte një rol kryesorë për konvertimin e Sllobodan Millosheviçit, nga një komunist aparatçik, drejt kauzës nacionaliste. Pafundësisht, akademikët serbë (dhe intelektualët përgjithësisht) kanë artikuluar dhe nxitur ideologjinë e Serbisë etnikisht të pastër dhe të madhe, për tu krijuar në një botë jashtëzakonisht të përzier etnikisht…

Ata kanë nxitur racizmin, luftën, “spastrimin etnik”, gjenocidin në vend dhe kanë angazhuar propagandë jashtë. Akademikët prominentë kanë mbajtur zyra të larta politike në qeverinë e Beogradit. Nga pothuajse gjithë partitë e rëndësishme opozitare – asnjëra nuk kundërshtoi projektin e Serbisë së madhe…

Me qenë të sigurtë, ka mjaft të tjerë që nuk kanë vepruar në këtë aspekt. Por, ata – domethënë gjithë pjesa tjetër e akademikëve serbë – kanë dështuar për të kundërshtuar luftën dhe krimet në çfarëdo lloj mënyre, ose së paku për të distancuar veten prej tyre” 7.

Veprimtaria akademike dhe politike e qarqeve akademike serbe ka tërhequr me shqetësim vëmendjen e akademikëve ndërkombëtarë. Në mënyre të veçantë, te akademikët ndërkombëtarë ka përbërë shqetësim qëndrimi mbështetës i verbër dhe në kundërshtim total me parimet humaniste dhe iluministe të dijës dhe shkencës, i lirisë së popujve dhe i lirisë së njeriut e pakicave kudo në ish-Jugosllavi. Akademikët serbë qëndruan si repart militarë me librat e artikujt e tyre në mbështetje të aksionit politik nacionalist serb deri në ditët e fundit. Asnjë lloj reagimi, kundërshtimi apo alternativizmi nuk buroi nga qarqet akademike serbe gjatë gjithë politikave nacionaliste serbe. Asnjë lloj distancimi ose mënjanimi së paku, nuk u vërejt te ato. Pati gati-gati përputhje të plotë aktive ose në heshtje ndërmjet politikanëve nacionalistë serbë dhe akademikëve serbë. Kjo ka lënë një trashëgimi shumë të dobët në shkencat e Serbisë, por edhe të gjithë Ballkanit. Përballja me këtë politizim të tejskajshëm nacionalist të shkencave në Serbi ka ndikuar edhe për spërkatje me doza nacionalizmi të sëmurë edhe të mjaft akademikëve të tjerë në vendet përreth Serbisë. Një sfidë e gjatë dhe shumë e vështirë qëndron përballë shkencave, qarqeve akademike universitare për të pastruar këtë toksikim më shumë se një shekullor të shkencave dhe arsimit në Serbi, por edhe të vendeve të tjera në Ballkan.

Ky është, pra vendi e roli i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe i liderëve kryesorë të saj aktualisht, të cilët janë ftuar për të festuar 40-vjetorin e Akademisë së Shkencave të RSh. Çfarë mund të festojnë së bashku këto dy akademi, unë nuk mund ta marr me mënd. Ndërkohë, pikërisht për këtë arsye ngelet jashtë portave të këtij përvjetori, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, akademia e Ibrahim Rugovës, e Gazmend Zajmit, e Rexhep Qoses, e Idriz Ajetit, e Fehmi Aganit, e Ukshin Hotit – e këtyre dijetarëve dhe martirëve humanistë e iluministë të ndritur të Kombit Shqiptar.