Qentë e Tiranës mësyjnë Elbasanin

667
Kohë më parë Gazeta “Telegraf” ka denoncuar faktin sesi gjatë natës bashkia e Tiranës transportonte qentë e rrugës fshehurazi me kamiona nga Tirana në drejtim të Elbasanit. Ky fenomen është përsëritur sërish, këtë fakt e kanë pohuar banorët e fshatit Bradashesh në qytetin e Elbasanit, të cilët janë shprehur, se rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së premte, janë parë 2 kamionë, si ata që transportuan kohë më parë qentë e rrugës së mbledhur nga Tirana, të lëviznin sërish në këtë zonë. Pak orë më vonë, janë parë tufa qensh që lëviznin lirshëm nëpër fshat, të cilët kanë përhapur panik te banorët e këtij fshati. Vetë banorët shprehen, se përveç frikës nga sulmet që mund të ndodhin nga këto “tufa” qensh të sëmurë, frika e tyre më e madhe qëndron në faktin, se këto kafshë në 95% të rasteve janë të pa matrikulluar, pra të pakontrolluar dhe vaksinuar, lidhur me sëmundjet që ata mund të kenë dhe mundësinë e përhapjes së ndonjë epidemie tek vetë banorët, por edhe tek fëmijët e tyre. Një herë në disa javë, bashkia e Tiranës bën “peshqesh” për elbasanasit “kope” qensh të grumbulluar rrugëve të Tiranës dhe të transportuar gjatë natës në fshatrat e Elbasanit. Këto “kope”, në momentin që lëshohen në fshatrat e Elbasanit, shpërndahen në gjithë qytetin, madje deri në qendër, duke bërë kështu që trotuaret dhe rrugët e Elbasanit të jenë të mbipopulluara nga qentë e rrugës, të cilët i ka nisur me kamionë orët e vona të natës bashkia e Tiranës, pasi për ta deri tani nuk ka ofruar asnjë zgjidhje. Aktualisht mendohet që në Tiranë të jenë më shumë se 10 mijë qen rrugësh, që janë bërë rrezik serioz për kalimtarët jo vetëm për shkak të sulmeve të mundshme, por mbi të gjitha për shkak të mundësisë së përhapjes së ndonjë epidemie, pasi shumica e këtyre kafshëve, saktësisht 95% e tyre janë të pa matrikulluar, çka do të thotë se janë të pakontrolluar dhe të pa vaksinuar. Bashkia e Tiranës, duke mos ditur çfarë të bëjë me këto “kope të sëmura” qensh, me kohë ka gjetur një zgjidhje, një herë në disa javë, nis kamionët me qen në drejtim të Elbasanit, duke shtuar kështu rrezikun për qytetarët elbasanas, të cilët jo pak herë e kanë denoncuar këtë fakt, lidhur me “peshqeshin” që u bëhet një herë në disa javë nga bashkia e Tiranës.
Sigal