Qëndrimi i popullit shqiptar gjatë Luftës Italo-Greke

790
Prof. Assoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Përgatitja e agresionit fashist italian
Gadishulli i Ballkanit ka qenë gjithmonë një objekt lakmie e shfrytëzimi për shtetet e bllokut fashist. Kjo shpjegohet nga ekzistenca e burimeve të pasura natyrore dhe nga pozita e tij strategjike në Evropën Juglindore dhe në Mesdhe. Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, një interesim të veçantë për vendet ballkanike ka treguar fashizmi italian, i cli u përpoq që, me çdo kusht, të vendoste sundimin e tij në këto vende. Menjëherë, pas pushtimit të Shqipërisë, Musolini hartoi planet për realizimin e qëllimeve të tij grabitqare. Në 16 gusht 1939 urdhëroi verbalisht shefin e shtatmadhorisë së përgjithshme marshallin e Italisë Pietro Badoglion, për të përgatitur një plan lufte kundër Greqisë dhe Jugosllavisë. Sipas planit, të gjitha trupat duhet të ishin në Shqipëri në fillim të pranverës së vitit 1940 (duke llogaritur që për transportimin e një divizioni nga Italia në Shqipëri dhe transferimin e tij në kufirin grek, nevojitej një muaj). Trupat shqiptare, të cilat, sipas komandës italiane, konsideroheshin jo besnike, duheshin të transferoheshin të gjitha në Itali, ndërsa në Shqipëri duhej të fillonin punimet për ndërtimin dhe rregullimin e rrugëve automobilistike. Pushtimi i Evropës Perëndimore nga Gjermania naziste, nxiti më tej fashistët italianë të shpejtojnë planet e tyre në Ballkan. Me pushtimin e Shqipërisë dhe përgatitjen e saj si një kryeurë me rëndësi strategjike për t’i shtirë veprimet luftarake drejt vendeve të tjera të Ballkanit, më 28.10.1940 Italia fashiste kaloi në agresion kundër Greqisë.

Gjendja dhe potenciali ushtarak grek
Agresioni italian nuk përbënte ndonjë surprizë për Greqinë. Kishte kohë që kjo gjë ishte “nuhatur” prej tyre. Në fakt për të kuptuar qëllimet e qeverisë fashiste nuk ishte e vështirë sepse incidentet e provokuar nga italianët ishin të shumtë. Ndonëse plani i sulmit ndaj Greqisë ishte një lajm i klasifikuar, pala greke dispononte informata të mjaftueshme mbi këtë plan. Në datën 23 tetor, pra vetëm tetë ditë para fillimit të sulmit, ambasadori grek në Romë njoftoi qeverinë e tij se nga data 25-28 tetor mund të ndodhte sulmi i pritshëm. Para se të vemi tek planet operative të ushtrisë greke, së pari të skicojmë shkurt gjendjen dhe potencialin ushtarak grek në tetor të vitit 1940. Ndërmjet Shqipërisë dhe në Veri të Epirit nuk qëndronte ndonjë barrierë gjeografike, por pranë kufirit shqiptar, në Jugperëndim, gjendet lumi i Kallamasit. Ky lumë përbënte në periudhën me reshje të vitit një pengesë serioze natyre që mund të kalohej vetëm në disa vende të pakta. Sidomos bregu i tij i majtë, tepër i pjerrët, favorizonte organizimin e një mbrojte të qëndrueshme. Ndërtimi i pozicioneve mbrojtëse në brigjet e Kallamasit lejonte në të njëjtën kohë përqendrimin e më tepër trupave në territorin grek në kufi me Korçën, ku pritej edhe goditja italiane kryesore. Duke u bazuar mbi mendimet e reja operative të shtatorit 1939 u planëzua krijimi i një vije tjetër mbrojtëse. Ky brez apo vijë mbrojtëse, kalonte përgjatë bregut të majtë të lumit Kallamas, Eleja, maleve Gamila, Smolika, Stavros, Psoriarika, Flaciata dhe malit Vormba. Kjo vijë u përgatit 15-20 km larg kufirit shqiptar dhe mbështetej në pjerrësitë dhe kurrizet e maleve të larta Vermion, Smolika, Gamila dhe në rajonin e fortifikuar Eleja. Qëndrueshmëria e saj përforcohej dhe nga lumenjtë Vjosë dhe Kallamas, si dhe nga përrenjtë e shumtë dhe rrjedhjet malore që kalonin përpara pozicioneve të fortifikuara.
Qëndrimi i popullit shqiptar gjatë Luftës Italo-Greke
Autori italian Bartolini ka shkruar, se prania e reparteve shqiptare brenda njësive tona ishte e diktuar kryesisht, nga planet politike dhe jo nga nevojat ushtarake. Më tej vazhdon, gjatë agresionit ndaj Greqisë, shqiptarët pa asnjë dëshirë për të luftuar, duke e konsideruar këtë luftë, si një çështje që nuk lidhej me asnjë interes të tyre, por thjesht në interesin e të huajve. Lufta italo-greke e viteve 1940-1941, pati brenda një faktor të rëndësishëm, atë shqiptar. E filluar dhe e zhvilluar kryesisht në terrenin e Shqipërisë juglindore, Shqipëria dhe populli shqiptar patën ndikimin e vet në përgatitjen, zhvillimin dhe rezultatet e kësaj lufte, në të mirë të popullit grek. Ushtria greke u ndodh në një mjedis miqësor, jo vetëm gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake në truallin e saj, por edhe kur ato u transferuan në tokën shqiptare. Populli tregoi pjekuri e maturi, mbështeti me të gjitha mënyrat luftën e drejtë të popullit grek, duke i nxjerrë pengesa të mëdha ushtrisë pushtuese, si në sabotime duke i shkaktuar dështim në planin fashist të mobilizimit ushtarak e civil të shqiptarëve. Shprehja më e lartë dhe ndihma më e drejtpërdrejtë ndaj veprimtarisë së ushtrisë greke ishte dezertimi i batalioneve të ushtrisë shqiptare nga fronti. Dezertuan tërësisht batalionet “Tomori” dhe “Taraboshi”, duke ndikuar në suksesin e mësymjes së formacioneve ushtarake greke në sektorët përkatës. Dezertimet përfshinë edhe efektivat e batalioneve të tjera si rrjedhojë e propagandës antifashiste që bëhej nëpër fshatra në zonat e përqendrimit të formacioneve shqiptare. Kjo e detyroi komandën italiane që efektivat e këtyre formacioneve t’i tërhiqte nga fronti dhe t’i mbyllte në kampin e përqendrimit në Shijak. Këto dezertime jo vetëm krijuan çrregullime në vijat e frontit të ushtrisë italiane dhe e dobësuan aftësinë luftarake të saj, por siguruan edhe forcë njerëzore luftarake që mbushte çetat e armatosura që po krijoheshin dhe po e intensifikonin veprimtarinë luftarake. Një grup prej 200 luftëtarësh luftonte kundër ushtrisë italiane në malin e Trebeshinës, një grup tjetër kryente goditje në Tomorricë. Numri i konsiderueshëm i ushtarëve dezertorë që jetojnë maleve, thuhet në një dokument të armikut, krijon një gjendje shumë të vështirë. Atyre u është dhënë urdhër të kryejnë akte sabotazhesh në vijat e komunikacionit kundër ushtrive italiane, veçanërisht në afërsi të porteve të Durrësit dhe të Shëngjinit. Mjaft e dobishme ishte edhe ndihma që dha popullsia shqiptare në prapavijat e ushtrisë greke. Me qindra ishin ushtarët grekë që i shpëtuan vdekjes nga plagët e nga ngricat si rrjedhojë e strehimit dhe e përkujdesjes së familjeve shqiptare në kushtet e vështira klimaterike të dimrit të vitit 1940-1941. Shqiptarët dhe pse të varfër ndihmuan në furnizimin e ushtrisë greke duke lehtësuar pjesërisht vështirësitë e logjistikës së saj e cila në mjaft raste kishte mbetur mbrapa formacioneve luftarake që kishin depërtuar rreth 100-150 km në territorin shqiptar. Një ndihmë efektive dhanë banorët duke i orientuar komandat dhe repartet ushtarake me terrenin, duke shërbyer si udhërrëfyes në kalimin e grykave dhe shtigjeve malore etj. E gjithë kjo veprimtari dëshmon qartë për qëndrimin e vërtetë dhe ndihmesën e pamohueshme të popullit shqiptar ndaj luftës së popullit e ushtrisë greke gjatë viteve 1940-1941 kundër të njëjtit armik. Udhëheqja politiko-ushtarake fashiste është detyruar të pohojë se reagimi i popullit shqiptar i shkaktoi vështirësi të mëdha ushtrisë italiane. Në një letër që Musolini i dërgonte Hitlerit në dhjetor 1940 shkruante se “një nga shkaqet e disfatave të ushtrive Italinë në frontin grek ishte tradhtia pothuajse e përgjithshme e forcave shqiptare, të cilat ngritën krye kundër trupave tona”. Marshalli italian Badoglio në kujtimet e tij pohon se “bandat dhe trupat shqiptare që bënin pjesë në divizionet tona na tradhtuan duke bërë sabotazh”. Ndërsa gjenerali nazist Kurt von Tippelskirch në librin e tij “Historia e Luftës së Dytë Botërore” shkruan: “…mbas kalimit të frontit repartet shqiptare nuk pranuan të luftonin. Ato organizuan revolta, diversione ose kaluan nga ana e grekëve, kështu që italianët mbeturinat e tyre u detyruan t’i hiqnin nga fronti dhe t’i çarmatosnin”.

Mesazhet që vijnë nga kjo luftë
Eksperienea e Luftës Italo-Greke tregon dhe një herë se në luftërat e sotme, që në ditën e parë të tyre, zhvillohet një luftë jashtëzakonisht intensive për marrjen e iniciativës strategjike. Përfundimi i luftës varet jo vetëm nga raporti i forcave, por dhe nga cilësia e përbërjes së ushtrisë. Lufta Italo-Greke tregoi se, për kryerjen me sukses të operacionit në mal, një rol të rëndësishëm luan përdorimi me mjeshtëri i metodave krijuese për zhvillimin e luftimeve në male në përputhje me situatën konkrete, me veçoritë e terrenit dhe veprimet e armikut. Para së gjithash, duhet të vihet në dukje zhdërvjellja, manovrimi, variantet e shumta dhe të ndryshme, zgjidhja e detyrave luftarake dhe iniciativa. Njëkohësisht eksperienca tregon se shabllonizmi, veçanërisht për terrenin malor, ishte i dëmshëm. Kjo luftë tregoi dhe një here se drejtimi i trupave me vendosmëri dhe në mënyrë të vazhdueshme luan një rol të madh në sigurimin e sukseseve në luftim. Si anëtar të NATO-s, Greqia dhe Italia, në kohën e tanishme, i kushtojnë kujdes të madh përgatitjes luftarake të ushtrive të tyre. Në procesin e përgatitjes luftarake të këtyre ushtrive merret parasysh në mënyrë të gjithanshme eksperienca e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos eksperienca e Luftës Italo-Greke. Në mënyrë të veçantë, eksperienca e kësaj lufte studiohet në ushtrinë greke sidomos gjatë stërvitjeve dhe manovrave. Kështu në mjaft stërvitje të zhvilluara në vite, në stërvitje me trupa dhe në stërvitje komando-shtabi Forcat e Armatosura të Greqisë kanë pasur në konsideratë përfundimet e Luftës Italo-Greke. Personalitetet ushtarake greke mendojnë se eksperienca e kësaj lufte ka rëndësi dhe për luftën e ardhshme dhe se, krahas mënyrave dhe formave të reja të luftimit, duhen të përdoren gjerësisht dhe ato forma e mënyra, që u përdorën kundër ushtrisë italiane në vitet 1940-1941.
Sigal