Qëlloi me kallashnikov në ajër, arrestohet i riu në Pukë

60

Një 23-vjeçar është arrestuar në Pukë, pasi ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Kanë qenë banorët ata të cilët të alarmuar kanë njoftuar policinë.

Më pas policia ka bërë të mundur arrestimin e B. Gj. 23 vjeç, banues në fshatin Gojan i Madh, Pukë.

Njoftimi i policisë:

Qëlloi me armë zjarri në ajër duke krijuar panik tek banorët, identifikohet dhe arrestohet nga Policia 23-vjeçari.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, pas telefonatës së marrë për të shtëna me armë zjarri fshatin Gojan i Madh, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe pas marrjes së informacionit për situatën e ndodhur, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë veprimeve të shpejta, informacioneve të marra në rrugë operative dhe si rezultat i një punë të mirorganizuar dhe reagimit të shpejtë, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Gj. 23 vjeç, banues në fshatin Gojan i Madh, Pukë.

Ky shtetas kishte qëlluar disa herë në ajër, me një armë zjarri kallashnikov, duke krijuar panik te banorët e zonës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit me të cilën 23-vjeçari kishte kryer qitje në ajër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.