Pylltarët dhe ministri Koka

583
Sigal

 Njëqind ditë të bardha do të vijnë, ndërsa për pylltarët dhe pyjet sigurisht të gjelbërta. Ligje të reja mbi pyjet do të dalin nga Parlamenti ynë, që mrekulli ka bërë deri më tani. Por, nuk dimë se në çfarë drejtimi, në çfarë veprimtarie të pyjeve? Kush do t’i hartojë, formulojë, e pagëzojë? Inxhinierë jo, se edhe ato që janë, duken si të përgjumur, të frikësuar, të mbyllur në vetvete, e shumë prej tyre me sa duket e tërheqin shatin nga vetja.

 Do të ndalohet eksporti i druve të zjarrit e asortimenteve të rrjedhur prej drurëve të prerë. E ndërsa shifra ka zbritur nga 150 mijë metro kub në 15 mijë. A e kuptoni se çfarë rezultati paradoksal? Megjithëse realiteti e ka fytyrën krejtësisht ndryshe, por ky i parë jo me syzet e administratës të Ministrit Koka, por me lentet e së vërtetës.

 Vetëm në KAPSHTICË për një muaj dalin 1500 metro kub dru zjarri? Po gjatë kohështrirjes së dymbëdhjetë muajve në gjithë pikat doganore të vendit, sa kanë marrë rrugën për në dhera të huaja? Shifrat duhet t’i zbulojnë organet e drejtësisë se neve këtu jemi, mbi shifrën e vitit 2013 me një llogaritje të thjeshtë. Mjafton të bëjmë sondazhe në portet e vendit , apo në pikat doganore nga Kakavija e Gjirokastrës, në Muriçan të Shkodrës.

 Do të vëmë në funksionim kadastrën. Faktet tregojnë se deri para pesëmbëdhjetë vjetësh funksiononte për bukuri, por ja që e ka humbur toruan nga qeverisja “arnauçe” e disa qeverive. Këto për 100 ditë. Mos harroni se në ndërmarrjet e mëdha pranë detit dhe në ato të voglat pranë pyjeve, kemi drejtorë e punonjës që s’kanë as katër klasë shkollë. Patjetër këto do t’i bëjnë edhe HARTA TOPOGRAFIKE, “që na mungojnë” – tha ai. Kush, djallin, e përfytyron se çfarë hartash do na dalin!

Do të futim në punë 1000 specialistë pyjesh – vazhdon ai të deklarojë në Parlament.

Mesa duket, do t’iu paguajnë nga 390 mije leke inxhinierëve dhe 280 mije teknikëve të pyjeve, (shifra mesatare) në muaj për një vit, të dëbuar nga puna padrejtësisht, e pastaj, do të shtohen organikat duke i fryrë ose do të heqin simpatizantët e pashkolluar të LSI-së. Më duket një çorbë e gatuar shumë keq. Që para së gjithash nuk kënaq askënd dhe me shumë shpenzime, që rëndon në ekonominë e këtij populli, tejet të rraskapitur e varfanjak.

 Do të pyllëzohen 40 mijë hektarë toka të shkatërruara, të zhveshura, të eroduara etj.? Lura mbaroi, me 2 milionë fidanët e mbjella, tani ato po rriten e lulëzojnë, tashmë e kanë radhën…

Vallë: Ku janë fidanishtet që do të prodhojnë këto miliona e miliona fidanë? A do të kihet parasysh struktura e llojeve, kushtet ekologjike etj., etj.? Dhe më tej: Ku do t’i gjejë qeveria e kësaj kohe me gjithë deficitet financiare, këto shuma të mëdha, që edhe dy mijë euro për hektar, më duket sa qesharake, aq edhe të tjera e të tjera që premtoi?

 Me sa duket, përsëri problemi i pyjeve është kapur për degësh të holla, të ashpra, e jo për rrënjash e trupi të shëndetshëm e plotë limfë jete. Fatkeqësisht, do të rrëzohet shpejt. Specialistët e pyjeve dhe popullsia e maleve do të mbeten në shkretëtirën e pafund të gënjeshtrave dhe të varfër deri në palcë, edhe për shumë kohë.

 Ana tjetër e medaljes: Po pylltarët e papunë dhe me punë, elita dhe profesorët tanë, ende duhet të presin që t’iu gatuhet gjithçka nga të tjerët, qofshin këto edhe zetoristë e farmacistë apo juristë.

Ku janë strategjitë e pyjeve të hartuara, pse nuk propagandohen me të gjitha format në TV, shtyp, radio, ti dërgohen Kryeministrit, apo..?

 Ku është baza ligjore, organizative e tre reformave: në pronësi, ligje , polici etj.?

 Ku është mënyra e organizimit të qeverisjes së pyjeve nga lart e deri në bazë. Përse nuk nxirren nga sirtarët për t’u botuar, rekomanduar, bërë të ditur gjithë opinionit publik shqiptar, apo të dërgohen në Komisionin e Bujqësisë, Mjedisit e Pyjeve në Parlament, Kryeministrit, Presidentit etj.? Një variant i dalë pas një pune disa vjeçare dhe konsultuar me ekspert ndërkombëtar. Apo një zgjidhje tjetër:

SHPREH NEVOJËN E NJË AKTIVI KOMBËTAR MBI PYJET

Shpreh nevojën e një Aktivi Kombëtar mbi Pyjet, ku të mblidhen pylltarë të papunë (se ato në punë i pushojnë menjëherë si dezidentë), kryetarë shoqatash, pyjesh, mjedisore, profesorë në pension e në punë, pedagogë të Fakultetit e Shkollës së Mesme të Pyjeve. Të referohen drejtimet kryesore të zhvillimit të pylltarisë shqiptare në dritën e reformave të thella organizative, pronësie e ligjore etj., gjendja mjerane e sotme dhe mundësitë e rrugëdaljet nga kjo katastrofë ekologjike. Pas kësaj të formulohen, strategjia, platformat dhe programe të qarta në të gjitha problemet që shqetësojnë e u hapin rrugët, zhvillimit mbi shkencën e silvikulturës dhe rregullave të lojës të ekonomisë së tregut. Këto materiale t’u dërgohen Parlamentit, Kryeministrit, Presidentit. E të luftohet me të gjitha mënyrat për t’u realizuar, duke u ndjekur nga një shtab, komision apo grup pune, ecuria e zbatimit të tyre. Ndryshe, pylltarë të nderuar do të ngopeni vetëm me propagandë e lugën bosh. Dhe nuk do të pasqyroni, nuk do të përhapni e veni dijet tuaja shkencore e organizative në dispozicion të pyjeve, të Kombit, të fshatarësisë e malësorëve që presin më shumë nga armata e pylltarëve. Heshtja, indiferenca, moskokëçarja, ndasia në grupazhe, klane etj., do t’iu shpie në uljen e vlerave tuaja morale, profesionale, atdhetare. Prandaj, ka ardhur koha të demonstroni aftësitë tuaja për tu bashkuar e shprehur idetë tuaja progresiste, profesionalizmin tuaj dhe edukatën e kulturën tuaj qytetare, të çliruar nga paragjykimet e së kaluarës e bindjet partiake. Prandaj, mblidhni forcat, shpërtheni me energjitë tuaja vullkanike… Pra, çojuni pylltarë prej gjumit, çojuni, se askush nuk do t’ua përgatisë të ardhmen e të shpëtojë pyjet, natyrën nga katastrofa e pashmangshme ekologjike e cila vazhdon të duket çdo ditë e më qartë në truallin e gjelbër shqiptar. E nga kjo, mjerimi do të ulet këmbëkryq në vatrat e malësorëve, të fshatarësisë, duke këputur jetë fëmijësh, nënash e gjithfarë gjallesash njerëzore e jo. Sigurisht, një pjesë e llavës së turpit të kësaj, do të rrokulliset mbi trupat e ndërgjegjen tuaj.

Dr. Selman Meziu