Prof. Thomas Keune: Korrupsionin në radhë të parë duhet ta luftojë populli pastaj qeveria

750
Sigal

INTERVISTA/ Flet Prof. Thomas Keune, përfaqësues i aparateve diagnostikuese të Mjekësisë Okuliste në Gjermani

Ai ka shëtitur dhe ka bërë prezent në 104 vende të botës prodhimet gjermane të aparateve të dëgjimit duke dhënë leksione në Universitetet më të mira në botë në fushën e mjekësisë. Ka mbi 19 vjet i martuar me këngëtaren tonë të talentuar Alida Hisku dhe me të ndihet shkëlqyer. Një tip i qetë, i këndshëm, i afrueshëm, gjithmonë i buzëqeshur. E pëlqen shumë Shqipërinë dhe bën vërejtje për politikën shqiptare që këtë vend perlë e kanë lenë mbas dore kur duhej të ishte një vend i lulëzuar. Sipas tij Shqipëria ka një klimë të jashtëzakonshme, pasuri natyrore të shumta, reliev të jashtëzakonshëm, njerëz të dashur dhe krenarë, por për çudi kur ky vend duhej të ishte parajsa e botës është në një mjerim të pakuptueshëm thotë ai. Këtë radhë, Alida Hisku ishte ftuar si pjesëtare jurie në Festivalin e RTSH që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve dhe së bashku me të sigurisht ka ardhur dhe Thomas, i cili e mirëpriti këtë ftesë.

 Si e patë këtë radhë Tiranën në prag të festive të Vitit të Ri?

 Festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjet, për mua si një shtetas gjerman, janë lidhur me borën. Pra bora ka një magji tjetër, ka një magji të çuditshme, që lidhet dhe me festat e fundvitit. Edhe në Gjermani ashtu si dhe në Tiranë këto ditë nuk ka rënë borë dhe më duket se këtyre festave u mungon diçka magjike. Kjo është si rit natyror, pra që nuk mund të kuptohet festa e Vitit të Ri pa borën, pa dritat mes borës dhe reflekset që ajo jep. Pra këtyre festave u mungon një element i rëndësishëm. Tani të vijmë tek Tirana. Këtë radhë Tirana mu duk më ndryshe, më me hapësirë, me më shumë ajër. Me më shumë rrugë të mira. Tirana ka marrë formën e një metropoli Evropian. Pra pashë se janë hequr disa mbingarkesa të tepërta mbi trupin e Tiranës dhe kjo tregon se ka filluar të funksionojë ligji dhe çdo gjë të shikohet me syrin e kohës.

 Si e pritët ftesën që ju bë Alidës, bashkëshortes suaj, që ajo të jetë pjesë e jurisë së Festivalit në RTSH?

 Për mua ishte një surprizë e bukur, një surprizë që nuk e mendoja. Ky është një vlerësim për artin tuaj, për muzikën tuaj, pasi  tashmë e njoh mirë dhe Alida mbetet një këngëtare e madhe. Nga ana tjetër them që dhe pse vonë, është korrigjuar një gabim në drejtim të Alidës, pasi ajo ishte lënë në hije pa të drejtë. Në Shqipëri duhet të respektohen më shumë artistët, duhet që të marrin vlerat që u takojnë. Artistët nuk kanë lidhje me partitë. Qeveritë le të ndërrohen, por artistët i përkasin gjithë popullit dhe ata duhet që të jenë patjetër të respektuar në çdo qeveri. Artistët i përkasin popullit dhe ata punojnë për popullin, për kulturën e një populli, për traditat e një populli. Nga ana tjetër si bashkëshort mund të them se ndihem i lumtur kur Alida merr vlerat që ka, merr ato që i janë lënë në harresë dhe ndihem i lumtur  kur ajo është e lumtur. Pra një lumturi e përbashkët.

 Ju tashmë keni afërsisht 20 vjet që keni lidhje me Shqipërinë. Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare të këtyre 20 vjetëve që ju shkoni e vini nga Gjermania  në Tiranë?

  Ju vini nga një sistem diktatorial dhe demokracia juaj është e brishtë. Kjo është mëse e vërtetë. Këto situate e kanë kaluar të gjitha vendet. Por tek ju ky tranzicion është zgjatur shumë. Edhe ne, pas Luftës së Dytë Botërore  kaluam situata të vështira. Pra ne përmbysëm një regjim dhe vendosëm demokracinë e vërtetë. Por këto nuk kaluan pa dhimbje. Por duhet të dini një gjë, që regjimi i kaluar ka lënë gjurmët e saj në shumë njerëz dhe që të shkulen nga ndërgjegjja këto gjurmë, këto  gjëra të trashëguara, ai mentalitet nga ai regjim duhen kohë mbase dhe breza dhe ju nuk duhet të demoralizoheni. Pra duhet kohë shumë kohë që të çrrënjoset ai mentalitet, ajo mënyrë qeverisjeje, ajo mënyrë  jetese nga populli. Edhe në Gjermani kanë ndodhur përmbysje të tilla, por ne jemi shtet më i madh, me ekonomi më të fuqishme, me shkolla më shumë dhe i kemi kaluar shumë shpejt këto lloj pengesash. Problemi më i madh në diktaturë është se njerëzit, për çdo gjë, për çdo problem, sytë i kanë tek qeveria, tek udhëheqësit, tek shteti.  Nuk kanë të zhvilluar iniciativën e lirë. Ky është problemi më i madh I diktaturave. Kjo bën që politikani të mbivlerësohet dhe të frenohet demokratizimi, zhvillimi, ecja para. Populli duhet të ndikojë në qeverisjen e vendit, të punojë për një qeveri reale, të drejtë, të pakorruptuar. Sa më i pavarur të jetë populli, sa më i emancipuar, sa më i civilizuar, aq më shumë qeveria do të jetë e përgjegjshme. Ndryshe ndodh e kundërta.

 Pra, populli ka fajet e  veta?

 Sigurisht, nuk thuhet kot, çdo popull ka qeverinë që i takon. Pasi populli duhet të jetë në opozitë me çdo qeveri, me çdo sistem qeverisës. Por është dhe një problem i madh. Këtu shikoj se dhe populli nuk paguan në shtet detyrime ndaj tij, taksat, pra i fsheh ato, si ata që nuk paguajnë dritat edhe disa që kanë biznese dhe nuk paguajnë detyrimet ndaj shtetit në mënyra të ndryshme. Kjo mënyrë funksionimi bën që të  ndërtohet një shtet i varfër, i korruptuar, një shtet që dominon mbi popullin e varfër, pasi një pjesë pasurohet padrejtësisht, ashtu si një pjesë varfërohet padrejtësisht.  Kjo bën që një pjesë e vogël të pasurohet shumë shpejt dhe të bëhen të fuqishëm dhe një pjesë të vuajnë për bukën e gojës. Kjo pjesë që pasurohet  ndikon mbi shtetin, mbi qeveritë. Kjo bën që qeveritë të largohen nga populli dhe të lidhen me një shtresë të pasurish që i ndihmojnë në zgjedhje, i diktojnë persona për punësim, apo i diktojnë në vendimmarrje qeveritë. Pra po ndodh një polarizim i jashtëzakonshëm i popullsisë. Një polarizim që të tremb.

 Ku e shihni ju këtë?

 Këtu, në mes të Tiranës shikoj makina aq luksoze, sa nuk i sheh dot në Gjermani. Fuoristradat e mëdha këtu dominojnë. Pra kam parë njerëz që lypin në rrugë, që ecin me këmbë të kërrusur nga hallet dhe përbri tyre kam parë makina tepër luksoze, tepër moderne, sa nuk e beson. Pra mospagimi i taksave ka bërë këto dallime ekstreme. Më vjen çudi se si prishet leku me ato makina super luksoze, kur mund të kesh një makinë të thjeshtë që ti plotëson nevojat. Personalisht kam një makinë të vogël që më plotëson çdo nevojë dhe sa mbaroj punë, vrapoj në shtëpi të çlodhem duke bërë dhe ndonjë shëtitje në ajër të pastër me makinën e vogël por tepër ekonomike. Me të gjitha makinat plotësohen nevojat dhe dëshirat.

 Ju thatë që këto ditë keni parë një Tiranë ndryshe, po në rrethinat e saj?

 Po, vërtetë pashë një Tiranë ndryshe. Pashë një Tiranë me më hapësirë, ku janë prishur ndërtime pa leje. Duhej bërë një ndërhyrje e tillë. Kudo prishen ndërtimet pa leje sidomos kur ato janë pranë  ambienteve publike, pyjeve, apo sipërfaqeve të gjelbra. Shikoj që Tirana po merr përmasat dhe figurën e plotë të një qyteti europiane në shumë drejtime. Por nga ana tjetër në rrethinat e saj shoh se fshatrat po thahen, po mbeten pa njerëz, po mbeten të shkreta. Kjo është alarmante dhe e papranueshme. Kjo vjen pasi po bëhet një propagandë sikur në qytete është parajsa. Jo, çdo qytet ka hapësirat e veta. Dyndja në qytetet e pa planifikuar nga individi, apo familja sjell probleme të mëdha, sjell kriminalitet dhe papunësi. Do të ishte një politikë e drejtë, funksionale, n.q.s qeveritë do të ndërtonin një politikë reale, të drejtë, për ti çuar fshatarët në fshat, të ndërtonin punën dhe jetën e tyre aty, të investonin në fshat, ti subvenciononin fshatarët, të bënin politikë të tillë që ata të ndërgjegjësoheshin se puna, jeta e tyre është aty në fshat. Fshatari duhet të jetë krenar për punën e tij, për prodhimet e tij, për jetën e tij në hapësirat e blerta. Kreditë ndaj fshatarëve duhet të jenë të zbutura dhe me synim rritjen dhe nxitjen e atyre kulturave që japin rendiment në x apo y zonë.  Pa një fshat të gjelbër, me kultura të ndryshme bujqësore, pa një bujqësi të zhvilluar çdo qeveri do të ketë shumë probleme. Vetë fshatari dhe çdo qeveri të ketë prioritet fshatin. Ju jeni një vend shumë i pasur, shumë i bukur. Gjatë 24 vjetëve nuk kam parë një prodhim shqiptar. Një mall shqiptar që të ketë firmën tuaj. Ju bëni biznese por nuk prodhoni. Bëni biznese pasi i bëni me prodhimet e huaja kur vetë nuk keni një specifikë prodhimi që të pëlqehet jashtë shtetit. Pa prodhim nuk ka mirëqenie dhe problemet e papunësisë dhe të mirëqenies do jenë evidente. Pra këtu nuk ka prodhim, nuk ka firma prodhimi shqiptar në të gjitha fushat e ekonomisë. N.q.s nuk eksportoni nuk do të keni mirëqenie. Jo çdo gjë duhet të merret nga jashtë. Të gjitha këto janë ato që unë shikoj nga jashtë pa u futur në thellësi. Ky është një proces normal, por po zgjatet shumë, Ju duhet të gjeni mënyrën, manovrën se si të ecni krahas shteteve të tjerë lindorë që kanë dalë nga ky kolaps. Të gjeni metoda që fshati të lulëzojë. N.q.s do të gjendet kjo rrugë që të vihet pika mbi i atëherë dhe brezi i ri do ta ketë më kollaj, më të lehtë. Resursi më i madh i Shqipërisë është natyra, deti që mund të vijën shumë turist. Por ju nuk dini ti thithni turistët.

 Pse nuk dimë?

Por fare thjeshtë. Shiko si është prishur natyra e mrekullueshme shqiptare. Shko në fshat. Shtëpi të shpërndara pa sistem, pa planimetri. Shtëpi të ndërtuara në mënyrë të parregullt. E keni shpërdoruar në mënyrën më të keqe të mundshme natyrën tuaj të mrekullueshme. Ndërtime vend dhe pa vend, rrugë që nuk mirëmbahen dhe me papastërti. Pa diskutuar pastaj që për rrugët ka ende shumë për të bërë.

 Cili është mendimi juaj për të dalë nga kjo gjendje, cila është masa e parë që duhet të marrë qeveria shqiptare, apo detyrat imediate të saj, duke qenë se keni lëvizur në shumë vende të botës?

 Thashë që kjo qeveri po punon mirë. Tirana po merr frymëmarrje.  Nga ana tjetër, qeveria e re, lideri i ri, duhet të dalë ashtu siç ka dalë dhe të thotë hapur ato që kemi mangësi dhe ato që duhet të bëjmë me qëllim që populli ta kuptojë dhe ta mbështesë. N.q.s dashuria e liderit për këtë vend përputhet me detyrat e tija, atëherë Shqipëria do ta kapë shumë shpejt veten. Duhet menduar për perspektivën. Por politika shqiptare ka pasur një gabim të madh.

 Cila është kjo?

 E kam parë dhe dëgjuar që shumë drejtues partish apo individë që pretendojnë të kandidojnë për deputet para zgjedhjeve shpërndajnë ndihma. Ky është veprimi më i gabuar, veprimi më i shëmtuar, që asnjëherë nuk vepron gjatë. Në vendet me demokraci të vërtetë këto gjëra as nuk mund të imagjinohen. Por nga ana tjetër kjo nuk është e drejtë dhe nuk duhet të ekzistojë, pasi ashtu njerëzit gënjehen dhe nuk ndihmohen. Atyre duhet tu bëhet e qartë se po fillojmë një proces të ri, të vështirë, të dhimbshëm por që duhet ta përballojmë. Shumë njerëz duhet të tregojnë me punën e tyre, atë që dinë dhe mund të bëjnë. Por duhet gjetur çelësi. Një pemë, rritet nga fidani i cili mbillet dhe ai nga një pëllëmbë nuk bëhet gjigand për një ditë. Duhen vite, ku me të duhet punuar, duhet pastruar, krasitur, ujitur, punuar nga barërat. Ana tjetër është se duhet parë edhe tek fqinjët, si punojnë qeveritë e tyre. Duke parë eksperienca mund të ndërtohet dhe modeli juaj. P.sh Portugalia ka bërë shumë hapa para. Por model mund të merret edhe Spanja, e cila ka formatuar një shtet ndryshe të tipit të saj. Pra dhe ju si shtet duhet të bëni diçka të veçantë. P.sh në Spanjë me ndihmën e ushtrisë janë bërë rezervate të mëdha dhe u bë një ligj që ndërtimet aty të mos bëhen më shumë se katër kate. Pra qeveria e ruajti natyrën e ruajti modelin e vjetër.

 Po në politikën e jashtme të  Shqipërisë çfarë keni vënë re?

 Këtu duhet të punohet me kujdes. Të mos ulni kokën por të bëni dialog. Duhet të bashkëpunoni me shtetet fqinje sipas normave dhe rregullave ndërkombëtare. Tregtia duhet të filloj me komshinjtë. Të gjendet gjuha e bashkëpunimit që të çoni dhe të merrni ato prodhime që mungojnë në tregjet përkatëse, pasi kanë kosto më të ulët. Kështu zhvillohet eksporti. Çdo gjë niset nga fqinji. Marrëdhëniet e mira me fqinjët në demokraci janë të domosdoshme për zhvillimin.

 Znj Merkel është cilësuar si zonjë e hekurt. Në këndvështrimin tuaj, cilat janë armët më të forta të saj dhe çfarë rruge ndjek ajo për një Gjermani të fortë me ndikim në botë?

 Një politikan funksionon mirë, kur ka një popull punëtor, të ndërgjegjshëm, kërkues, opozitar. Pra nuk është vetëm meritë e Merkelit. Sukseset e Gjermanisë në radhë të parë janë të popullit punëtor gjerman. Lidhjet e saj me popullin janë të sinqerta. Por Merkeli nuk është “burrë” shteti. Në politikë ka dy lloj burrash, burrë shteti dhe politikan.  Këto janë dy këpucë të ndryshme që kanë ndryshime jo të pakta. Burri i shtetit dallohet shumë nga politikani. Burri i shtetit bën reforma të mëdha që bëjnë histori në vendet ku udhëheqin. Ndërsa ata udhëheqës që mbeten vetëm politikanë bëjnë vetëm për klasën politike dhe jo për vendin dhe për popullin. Merkeli është pro amerikane dhe ka kundërshtarët e vet.  P.sh sot mendohet që uji në Gjermani të bëhet privat, pra uji popullor. Kjo është një politikë që ndjek Merkel, por në kësi rastesh, uji bëhet monopol. Pra bëhen disa njerëz që  mbajnë në dorë gjithë ujin dhe e shesin si të duan ata. Kjo është e dëmshme për popullin. Sot historisë dhe kryesisht Shqipërisë i duhet një burrë shteti. Një burrë bën atë që do atdheu, një udhëheqës i zakonshëm politikan bën atë që duan  një grup politikanësh, pra bën vetëm për njerëzit e vet. Burra shteti ka shumë pak dhe mund të numëroj, Shtatman, Danti, Ataturk, Bismark, Shmidt. Por edhe Çekia ka pasur burrë shteti. Por mos harroni  se ata nuk lindën burra shteti, ata u zhvilluan në një proces të tillë. Mandela, që thuhet shumë, para se të shkonte në burg ishte politikan, vetëm kur  u fut në burg, kur pa vuajtjet dhe mënyrat e racizmit, koha, mësimet, e kthyen në burrë shteti. Burrë shteti mbetet Ataturk pasi ai në Katedralen e Madhe Sofia, e la  kishën dhe xhaminë brenda një vendi, një ndërtese që tregoi largpamësinë e tij, se aty  gjen një muze të veçantë se çdo të thotë myslimanizëm dhe krishterim. Por ai bëri reforma të jashtëzakonshme që e kthyen faqen e historisë së Turqisë, ku ushtrinë e forcoi  për të mbrojtur atdheun dhe jo për të sulmuar. Bëri një ushtri mbrojtëse dhe jo agresive. Edhe sot ajo ushtri gëzon  atë vitalitet, pasi vizioni i tij ishte që me të shoqëria të ishte e bashkuar vetëm për interesat e Turqisë brenda vendit. Sot sikur është zbehur ajo ushtri e tipit Ataturk. Ataturku asgjë nuk e vuri në funksion të vetes, familjes, politikanëve, por në shërbim të zhvillimit dhe të përparimit të kombit të vet.

Si mund të ecë përpara Shqipëria dhe a e mendon të jetosh në Shqipëri?

Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin. Në radhë të parë, atë duhet ta luftojë vetë populli, të mos e stimulojë por ta frenojë. Të mos japë lekë nën dorë dhe ta kthejë atë në edukatë. Pra nuk duhet të luftojë vetëm qeveria. Në Shqipëri do jetoja me shumë dëshirë bashkë me Alidën, kur të arrihen standardet.

Albert Z. ZHOLI