Pukë: Dëmtimi i pyjeve, reagon Shoqata për Mbrojtjen e Mjedisit: Munella po shkatërrohet

794
Dëmtimi i Pyjeve të Pukës është kthyer në shqetësim serioz edhe për organizatat jo qeveritare që veprojnë në Shqipëri. Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, përmes një reagimi për mediat, ngre shqetësimin për prerjet masive dhe të shfrenuara që janë vënë re në zonën e malit të Munellës dhe më gjerë në bashkitë e Pukës dhe Fushë-Arrëzit, kryesisht gjatë periudhës Nëntor-Dhjetor 2015. Gjendja në këtë rajon ka qenë e rënduar prej shumë vitesh, por që prej njoftimit për shpalljen e moratoriumit të pyjeve në fillim të vitit 2016, situata ka degraduar masivisht. Përmes këtyre fotove është dokumentuar një shtim i jashtëzakonshëm i subjekteve, makinerive dhe individëve, të cilët po shfrytëzojnë pa kurrfarë kriteri edhe ato pak pyje të mbetur.

Nisur nga ky ritëm i paprecedent që po shkatërron atë çfarë kishte mbetur, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri vlerëson se shpallja e moratoriumit të pyjeve, në fillim të vitit që vjen, do të ketë shumë pak vlera ruajtëse dhe benefite për pyjet e kësaj zone, pasi nuk po mbetet asnjë sipërfaqe pyjore për tu ruajtur. Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të veprimtarive shfrytëzuese në rajonin e malit të Munellës, përpara shpalljes së moratoriumit pasi situata ka degraduar në një pike kritike. Nëse ritmet dhe aktivitetet aktuale shfrytëzuese nuk ndalojnë rrezikohet seriozisht pasuria me e madhe e rajonit të Pukës, pyjet brenda të cilave jetojnë dhe kafshë të rralla. Edhe pse disa herë është ngritur shqetësimi mbi batërdinë që ndodh në sipërfaqet pyjore të këtij rrethi, askush nga strukturat e Shtetit nuk ka reaguar, inspektorët nga Shkodra ngjiten në zonë pas denoncimeve në media, ndërsa policia vijon të heshtë, kur çdo natë para patrullave policore në Gomsi, që kalojnë makina me lëndë drusore.
Sigal