Kreut të Gjykatës së Prishtinës i djegin makinën zyrtare, Thaçi akuzon opozitën

463
Kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi i është djegur vetura zyrtare e tipit ‘Range Rover’, mbrëmë rreth orës 23:00 nga dy persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në rrugën 20 Qershori në Podujevë, ku mjeti ishte i parkuar. Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin .Në vendin e ngjarjes njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar një shishe te plastikes dy litërshe të mbushur me një sasi të derivateve dhe një shkrepëse. Nga zjarri nuk ka të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar nga Policia. Vetë Ibrahimi për mediat kosovare ka deklaruar se vetura nuk ishte e tij personale, por zyrtare. I kursyer në komente, Hamdi Ibrahimi është shprehur se ky akt lidhet me punën e tij si gjyqtar.

“Vetëm e di qe djegia e veturës, patjetër, që lidhet me punën si Kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Patjetër që lidhet me punën time. Unë mbuloj rastet më të rënda si të terrorizmit, krimit të organizuar dhe edhe rastet e fundit. Është zgjedhur momenti, vendi dhe shihet se është e organizuar dhe e menduar deri të detaje. Sepse aty ku e lë veturën time s’ka vetura tjera dhe s’kalon njeri andej”. Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe numri dy i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes një postimi në fb, Thaçi ia ka faturuar këtë rast opozitës. “E papranueshme djegia e veturës zyrtare të kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për ata që ia duan të mirën Kosovës. Ky është edhe një sulm tjetër kundër institucioneve të shtetit dhe presion mbi organet e pavarura të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime të kundërligjshme, grupe të caktuara të motivuara politikisht, po mundohen t’i frikësojnë bartësit e këtyre institucioneve dhe t’i destabilizojnë strukturat themelore shtetërore, politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës. Këto veprime politike, që po e cenojnë rendin publik, janë vazhdimësi e veprimeve të atyre që po e cenojnë rendin kushtetues në Kuvendin e Kosovës. As shteti dhe as pushteti nuk fitohen dhe ndërtohen me dhunë, por me respektimin e vullnetit të popullit, me respektimin e ligjeve, me dialog, durim, punë dhe përkushtim!”
Sigal