“Pse më përgojon sikur shkoj me burra të tjerë!”- Nga sherri për borxhin te konflikti me gurë para aktit fatal, si ndodhi vrasja e 63-vjeçares në Kuçovë

132
Sigal

Rreth gjashtë muaj pas vrasjes makabre të Fatime Sulit, Prokuroria e Beratit ka mbyllur hetimet për autorin e dyshuar të ngjarjes dhe ka depozituar dosjen në Gjykatë. Fetah Marra pritet të përballet me gjyqin me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.

“PËRSE MË PËRGOJON”

Në dosjen e Prokurorisë rreth ngjarjes së rëndë, është edhe dëshmia e të arrestuarit, i cili ka deklaruar midis të tjerash se viktima i kishte pasur ca lekë borxh. Gjithashtu, Fetah Marra tregon edhe momentin se si nisi sherri midis tyre, që nisi me debate me fjalë dhe përfundoi me përdorimin e gurëve, çka i kanë shkaktuar edhe vdekjen. Marra gjithashtu, deklaron se në momentin e ngjarjes ka qenë i dehur dhe nuk mban mend shumë çfarë ka ndodhur.

“Ditën e djeshme, rreth orës 10:00 paradite doli me bagëtitë te tokat e tij në fshatin Havaleas. Teksa kullosja dhitë pa në një shesh afër një kulle nafte se ishte dhe shtetasja Fatime Suli. Fatimja po mblidhte penj që përdoren për të lidhur domatet e serave. Po ashtu, afër Fatimes ishte dhe një karrocë dore që ajo e mbante për të transportuar penjtë që mblidhte dhe t’i çonte në shtëpi. E pyeti se si ishte, por ajo nuk i ktheu përgjigje. Më pas, i kërkoi që t’i kthente përgjigje. Ajo më pas i ka thënë: çfarë do. Pas këtyre fjalëve, i ka thënë që duhej t’i jepte lekët që i kishte, por ajo i ka thënë se nuk ia jepte. Më pas, ajo i ka thënë se përse e përgojonte, sikur shkonte me burrat e tjerë. Shtetasi Fetah Mara i ka thënë që nuk e ka përgojuar, por i ka kërkuar që t’i kthente ato që i kishte. Por, ajo ka refuzuar duke i thënë që nuk kishte për t’i dhënë. Pasi i ka marrë penjtë me forcë nga dora i ka thënë: ik merr lekët. Penjtë ia ka hedhur në tokë dhe ndërkohë Fatimja i ka marrë dhe i ka thënë që të largohej. Më pas, ajo ka marrë një plis dheu dhe e ka goditur në shpatullën e majtë. Më pas, ka marrë një gur dhe e ka kërcënuar, duke i thënë që do ta godiste. Ia ka marrë gurin nga dora me forcë dhe e ka hedhur në tokë. Ajo përsëri e ka marrë dhe i ka thënë që do ta godiste. Në këtë kohë e ka qëlluar me pëllëmbë në fytyrë, por Fatimja ka marrë përsëri gurin dhe i ka thënë që do e godiste. Në këtë kohë ia ka rrëmbyer gurin nga dora dhe me parakrahun e tij e ka kapur nga mbrapa, duke ia vendosur në fyt dhe po e mbante të shtrënguar. Ajo i ka thënë që ta lëshonte, pasi do të njoftonte Policinë. Duke qenë se ishte i dehur, deklaron shtetasi Fetah Marra, nuk mban mend se çfarë ka ndodhur më pas, por papritur ka parë që Fatimja u këput që në këmbë. Ajo u bë dyllë e verdhë dhe e vuri re që ndërroi jetë. Më pas e ka tërhequr zvarrë nga shpatullat dhe e ka e vendosur te një ulluk i vogël, jo shumë larg nga vendi që e mbyti. Aty e ka mbuluar me ca mbeturina domatesh të shkulura dhe copa penjsh që gjeti aty rastësisht”, thuhet në dosjen hetimore.

Krimi i rëndë u regjistrua mbrëmjen e 20 janarit në lagjen “Havales” të fshatit Kozare në Berat. Gruaja 63-vjeçare u gjet e pajetë rreth 1 km larg banesës së saj, gjysmë e mbuluar me inerte pas kërkimeve të shumta nga ana e forcave të rendit. Pas kryerjes së autopsisë, ekspertët mjekoligjorë kanë konstatuar se Fatime Suli ka ndërruar jetë nga asfiksia si pasojë e mbytjes. Ekspertët kriminalistë nuk e kanë pasur të vështirë të zbulojnë shkakun e vdekjes së gruas për shkak të shenjave të duarve që i kishin mbetur në pjesën e fytit