Hyqmet Zane: Qeverisja përballë popullit të keqqeverisur!

152
Sigal

Përtej një proteste që risjell shpresë

Korbat e zeza mbeten, kërmat duan si ushqim

Ballafaqimi i qeverisjes me popullin e keqqeverisur, është një binom, që në mes ka opozitën dhe misioni i saj është e ardhmja më e mirë. Këtë kishte parasysh lideri historik i PDSH, Sali Berisha kur u bë ideatori dhe organizatori bashkë me stafin e tij të një proteste të mirëmenduar dhe që ata që u bënë pjesëmarrës ishin edhe të “mandatuarit” e atyre që për një arsye apo një tjetër nuk mund të vinin dot nëTiranë. Dhe misioni u krye me një mesazh të madh se: një popull nuk mund ta ushqesh me gënjeshtra vazhdimisht se ai nuk mund të pranojë t’i mbyllësh sytë, nuk ta fal mashtrimin dhe se protesta është jo ndaj individit, por mënyrës së qeverisjes, që i shkatërron të ardhmen dhe të vërtetën ia errëson me mashtrime të herë pas herëshme.

Shpresa për të ardhmen është gjithnjë më e kërkuara e njerëzimit dhe mesazhi më i mrekullueshëm për popujt. Veçanërisht për këtë popullin tonë shpresa e vrarë ndër vite nga diktatura dhe tanimë nga tirania, merr një vlerë shumë herë më të madhe. Ndaj dhe protesta për të siguruar të ardhmen e brezave, që vijnë është kërkesë imediate e një opozite në një vend pluralist. Tendenca për të zhvlerësuar madhështinë e një proteste si ajo e 7 korrikut, më ngjason me atë tendencën e korbave për të menduar dhe ngrënë kërma, se atë njeh si ushqimin më të mirë.

Nëse Frrok Çupi dhe Spartak Ngjela, bashkë me Lorenc Vangjelin, si dhe Jorida Tabaku apo ca sorra vetmitare bëhen kërkues të gjetjes së argumentave për ta minimizuar vlerën e një proteste, harrojnë se ajo ishte një mesazh i madh dhe potencialisht i mirëpritur, i munguar dhe i domosdoshëm sidomos nga shoqëria civile ose më saktë nga shtresat e dhunuara nga keqqeverisja. Protesta ishte jo vetëm dinjitoze, por edhe në kohën e duhur dhe pa eksese, që priste me padurim pushteti. Nëse një protestë si ajo e 7 korrikut nuk pati asnjë çedim, kjo flet jo vetëm për një orientues të mirë si Sali Berisha kryetari i PDSH, por edhe për një staf intelektualësh të rrethit të këshilltarëve të vetë kryetarit. Është e qartë tanimë se kësaj proteste të 7 korrikut do t’i shtohet edhe ajo e 2 marsit që e ka bërë dhe që e manifeston Presidenti aktual Ilir Meta, që e pret me zellin e pashuar pjesëmarrjen opozitare pas 24 korrikut.

Dëshpërimi i të dëshpëruarve kishte rastin të fliste me gjuhën e pjesëmarrjes në një protestë, që paralajmëroi qeverisjen ndaj keqtrajtimit të votës së besuar jo vetëm më 25 prill, por edhe më 2017 dhe më 2013. Kur një kryeministër në hapat e para të qeverisjes pas 2013 e bazon qeverisjen tek patronazhisti tipik, si sigurimi i shtetit, me siguri që do të ballafaqohemi me diktaturën post komuniste. Edi Rama e ka të hapur librin e modelit të diktaturës dhe sjelljes ndaj opozitës me modelin enverist dhe hedh në tregun e opinioneve ata, të njohur për sharlatanizëm dhe ndryshime mendjesh në politikë sa me këtë e sa me atë, mjaft që të llapin sipas orkestrës së kryeministrit.

Ndoshta ideologët e shqiptarizmës dhe Shqipërisë më të mirë në kohë dhe hapësirë, si Mit’hat Frashëri, ai është shprehur me kujdes se “Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qenëve dhe i ujqërve, është një kolerë, që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut”. Kështu është katandisur shqiptari i vitit 2022 si një model për tua paraqitur Europës si atëherë që e la popullin shqiptar në rrënojat e pasluftës vëllavrasëse dhe ndërtimin e një të ardhmeje tipike staliniste.

Loja e dyfishtë e ish kryetarit të PDSH Lulzim Basha dhe mirëujdisja me kryeminsitrin Edi Rama, por edhe sahanlëpirja e të mbeturve aksidentalisht deputetë me siglën e PD, janë garniturat që kryeministri i përdor si më 8 janar kur u mbylli derën demokratëve me blindimin e selisë dhe me njerëz të panjohur të marrë si mercenarë. Ne si popull prisnim ndryshimin, por nuk dinim lojrat që luheshin nën tavolinë me ndërmjetësinë e lobistit Soros që ka mision interesat e veta dhe jo të shqiptarëve. Populli priste të ndreqej qeverisja e keqe, por nuk kishim se si të merrnim vesh se muhabetet ishin bërë sipas platformës antidemokratike. Fjalët e personaliteteve të mençur nuk janë thënë ashtu kot, por janë filozofi e mirëpërpunuar si ajo që ka shprehur Nobelisti indian Rabindranad Tagora, i cili ka pohuar “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara, duke ndёrtuar tё tashmen, nuk ka sesi tё ketё tё ardhshme, është i destinuar tё zhduket”.

Përtej zhvillimit të një proteste shqiptarët kërkojnë që të risillet shpresa. Është një përballje mes qeverisjes dhe popullit të keq qeverisur. Duket se qeverisja i ngjason modelit më të keq të qeverisjeve në botë, edhe pse pretendojmë se jemi në Europë dhe bëjmë lojëra fjalësh për Europën. Protesta e tha fjalën e parë, e dha mesazhin e saj, pritet edhe pjesëmarrja e lidershipit të LSI që përmasat e një proteste të marrin dimensionin e vet real.