Prokuroria Vlorë dënon sulmin ndaj Albert Kuliçit, asnjë fjalë për hetimet

446
Sigal

Prokuroria e Vlorës ka reaguar ndaj sulmit që iu bë prokurorit të saj, Albert Kuliçi.

“Dënojmë akte të tilla kriminale, të cilat në thelb dëmtojnë rendin dhe sigurinë juridike”, thuhet në njoftim.

Edhe pse kanë kaluar tre ditë nga kjo ngjarje, nuk ka ende asnjë person të dyshuar, apo të dhëna mbi ecurinë e hetimeve.

Deklarata e plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas ngjarjes së rëndë dhe kriminale, të ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit të datës 21.12.2019, si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde eksplozive, vendosur në mjetin me targa AA583OO, në pronësi të prokurorit, z. Albert Kuliçi, me detyrë zv/ Drejtues i kësaj prokurorie, si dhe pas analizimit të detajeve të ngjarjes, e konsideron këtë ngjarje si një sulm të drejtuar ndaj këtij prokurori për shkak të funksionit dhe detyrës së tij.

Ky është një akt kriminal, i papranueshëm me sistemin tonë të drejtësisë, parimet e Shtetit të së Drejtës, vlerat dhe parimet shoqërore, që synon të cënojë detyrën e tij si prokuror dhe gjithashtu të intimidojë në luftën kundër krimit.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, dënon rëndë akte të tilla kriminale, të cilat në thelb dëmtojnë rendin dhe sigurinë juridike.

Duke mbështetur kolegun tonë në vijim, trupa e Prokurorëve të kësaj prokurorie, në respektim të ligjit dhe parimeve Kushtetuese, do të jetë gjithmonë e pa ndikuar në luftën pa kompromis kundër krimit.