Prokuroria: Në Shqipëri qarkullojnë mbi 11 mijë diploma fallco

1681
Nga Lindita MALO
Prokuroria: “Mbi 11 mijë diploma false bënë me shkollë zyrtarë, deputetë, ministra, kryebashkiakë e drejtorë”

Universiteti shtetërore dhe ato private prej 1997 e në vazhdim, kanë furnizuar tregun e zi me diploma false

Thirren në Prokurori 15 pedagogët e parë

Organet e hetimit dhe ato të antikrimit kanë nisur hetimet në lidhje me abuzimin e madh që është bërë prej vitesh me diplomat e lëshuara nga Universitetet Shqiptare. Me sa duket loja e diplomave false i kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe diplomat Shqiptare janë shpërndarë nga Lindja në Perëndim nga Evropa në Azi, nga Afrika në Amerikë. Me sa duket vitet e errëta të 1997 përveç përgjakjes,vrasjeve,shkatërrime dhe tokës së djegur po na tregojnë se sa e thellë dhe sa të rënda paskan qenë pasojat e kësaj marrëzie shqiptare. Sigurisht që nuk është vendi dhe moment për të nxjerrë shkaktarët e kësaj situate dhe prapësitë e politikanëve që për hir të karrigeve të veta e çuan vendin në kaos. Por fatkeqësia më e madhe e post kësaj situate ka të bëjë me faktin se litari i zi i 1997 mbeti jashtë dhe atë e tërhoqën dhe e përdorën për të lidhur hallexhinj, maskarenj,trafikantë, abuzues,falsifikatorë edhe Universitetet private që pas viteve 2000 mbinë si kërpudhat pas shiut. Fakti më konkretë ka të bëjë me djalin e Umberto Bossit dhe që njihet si “skandali i diplomës Bossi”. Mediat italiane e përçuan këtë lajm në të gjithë botën dhe, se ky rast vetëm sa hapi petët e lakrorit, të cilat kanë njollosur vendin, institucionet dhe arsimin tonë, i cili mund të ketë mangësi financiare, por nga bankat dhe auditorët ka nxjerrë talente, artistë, sportistë, shkencëtarë dhe vlera të tjera që kanë nderuar vendin dhe kombin. Burimet e “Telegraf” bëjnë me dije, se në skandalin e diplomave false janë të implikuar universitetet, shkollat e mesme dhe institutet e tjera që japin diploma dhe dëshmi të gjuhëve të huaja për të cilat organet e hetimit dhe Prokurorisë disponojnë të dhëna të plota, madje kanë grumbulluar prova duke verifikuar çdo hallkë të zinxhirit të abuzuesve me këto dokumente të rëndësisë të veçantë. Organet e Prokurorisë kanë nisur hetimet në shkallë të gjerë, pasi çështja e falsifikimit të diplomave është bërë një shqetësim i madh, jo vetëm për administratën shqiptare, por edhe vendet e huaja, të cilat shpesh herë kërkojnë vërtetësinë e tyre. Fakt është, që Universitetet shtetërore dhe private, që nga trazirat e vitit 1997 e në vazhdim, janë kthyer në një fabrikë diplomash false dhe kanë prodhuar dhe bërë me “shkollë”, jo pak, por mbi 11 mijë persona, duke nisur nga kryetarë komunash e bashkish, e deri tek biznesmenë, deputetë, zv/ministra e ministra”. Për këtë arsye ajo ka hapur një çështje penale lidhur me origjinën e rrjetit dhe personat që janë në rrjetin e diplomave false, dhe aferave të tjera korruptive. Madje para dy ditësh në një nga Universitetet e Shqipërisë së mesme por që për arsye hetimi nuk po e dekonspirojmë qytetin dhe universitetin janë thirrur paradite në zyrat e organit të akuzës 15 prej tyre, nga lista e gjatë emërore që disponohet. Hetimi ka shtrirje në disa fakultete, dhe mendohet se prej vitesh ka një rrjet të zgjeruar falsifikatorësh diplomash, dhe sekserësh që merren me gjurmimin dhe gjetjen e personave që duan të marrin një diplomë të shkollës së lartë, kundrejt një pagese të majme. Natyrisht lind pyetja, kush e ka mbuluar sa herë që hapej skandalin e diplomave në këto universitete të Tiranës dhe në rrethe ?!, Pse është mbajtur top-sekret hetimi, emrat e disa prej pedagogëve, dekanëve dhe rektorëve në këto vite ? Padyshim përgjigja është e thjeshtë, paguheshin shuma të mëdha të mbyllej dosja si dhe të pushohej çështja edhe kur arrinte në gjykata. Skandali dhe zbulimi rrjetit të falsifikatorëve të dëftesave dhe diplomave false në vend ka mbi 20 vjet që punon thuajse legalisht, ndërkohë që janë mbajtur sekret fakte tronditëse edhe për njerëz që duhej të ishin sot në ndjekje penale, pavarësisht se disa prej tyre kanë dalë në pension vitet e fundit. Kjo situatë ka ardhur pas zbulimit dhe heshtjes për skandalin e diplomave false, të cilat janë gjetur me vulën e UE, disa institucione të Elbasanit, Durrësit, Pogradecit, Korçës, Tiranë, Vlorë, Berat, Shkodër, Dibër, Lezhë, Sarandë dhe shumë ish-komunave të vendit. Madje këto diploma janë përdorur edhe për shtetasit shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Bullgari, Greqi, Itali etj. Ato diploma u janë kapur dhe zbuluar personave të ndryshëm, që kanë gjetur strehë prej vitesh në disa institucione të shtetit, duke nisur madje edhe nga policia, ushtria, arsimi e shëndetësia, madje edhe në ndonjë që ka qenë deri në 21 qershor edhe ish-kryetar komune dhe bashkie. Burimet nga Prokuroria thanë se “informacionet e para i kanë ardhur në rrugë operative prej disa muajsh, dhe kanë nisur hetimet” ndërkohë që nuk dihet pse është ngadalësuar procesi ndaj personave që janë nën akuzë. Skandali ka marrë përmasa të tjera pasi bëhet fjalë për diploma false, me vulën e shkollave të mesme, që kanë pajisur shumë persona kundrejt pagesës. Sipas të njëjtave burime hetimore “skandali është zbuluar ndoshta rastësisht kur në disa zyra të shtetit, kanë zbuluar se personat që kishin vite që punonin kishin diploma të dyshimta, ku nuk përputhej vula, firma, datat, dhe stemat e tjera identifikuese. Pas kësaj u ngrit grup pune dhe u konstatua se kishim të bënim me një rrjet falsifikatorësh që vepronin prej vitesh. Hetimet janë shtrirë nga ish-drejtuesit e shkollave tek pedagogët me të cilët bashkëpunonin prej vitesh. Duke u njohur me situatën më të fundit dhe ecurinë e hetimeve, një burim hetimor tha se “mungesa e kontrolleve dhe profesionalizmit, mungesa e aftësisë menaxhuese e drejtuese i kanë molepsur keq institucionet e arsimit të lartë të lidhur me sekserë dhe falsifikatorë”. Në Prokurorinë e rretheve ku janë universitetet si dhe në Tiranë, denoncimet kanë rritur angazhimin për të hapur dosjen penale. Zbulimi i shpeshtë i rrjeteve të falsifikatorëve të dëftesave dhe diplomave, tregon se paaftësia dhe korrupsioni kanë kapur majat. Universitetet e rretheve dhe sidomos ato të Kamzës, Durrësit, Elbasanit, Shkodrës, Vlorës, Korçës etj, kanë nevojë urgjente për ndërhyrje nga MAS dhe ministrja Nikolla, për të ndalur degradimin e mëtejshëm, demaskimin dhe dënimin sipas ligjit të atyre që prej vitesh kanë shkelur ligjin. Burimet hetimore thanë se “skandali me diplomat false të studentëve në universitetet e mësipërme, nis dhe përfundon tek fakultetet e Universitetit”. Reformimi sistemit arsimor, duhet të bëhet mbi bazën e meritokracisë dhe profesionalizmit nga ata që kanë dhënë prova dhe shembuj në drejtimin e shkollave dhe strukturave të dijes, ndryshe gjithçka mund të quhet mision i dështuar. Këtë dështim e dëshmuan edhe rezultatet e provimeve të maturës shtetërore vitin e kaluar shkollor, ku qytetet me Universitete rezultuan si në asnjë vit tjetër shkollor me nxënës të dobët në gjuhë-letërsi, matematikë dhe anglisht. Diplomat fiktive të marra në fakultetet shtetërore dhe private janë sot në CV e ish-kryetarëve të Komunave, bashkive, biznesmenëve, zyrtarëve, politikanëve që kanë mbushur administratën e shtetit, një skandal dhe një epidemi e cila ka degraduar krejt sistemin arsimor në këtë qytet dhe vetëm atje. 

Nga ana e strukturave shtetërore dhe ato të arsimit në vend po shikohet mundësia dhe po përgatitet një projekt që ka si synim verifikimin e të gjitha diplomave në Shqipëri por edhe ato të mara jashtë shtetit. Kjo do të bëjë që diplomat e gjetura sit ë falsifikuara do dalin jashtë përdorimit dhe do merren në përgjegjësi të gjithë personat posedues,do kthejnë përfitimet monetare dhe material dhe do i shkohet deri në fund çështjes duke zbuluar edhe personat që i kanë bërë apo lejuar falsifikimin e tyre… 

11 mijë persona, duke nisur nga kryetarë komunash e bashkish, e deri tek biznesmenë, deputetë, zv/ministra e ministra”.. Persona të ndryshëm, që kanë gjetur strehë prej vitesh në disa institucione të shtetit, duke nisur madje edhe nga policia, ushtria, arsimi e shëndetësia. Për këtë arsye ajo ka hapur një çështje penale lidhur me origjinën e rrjetit dhe personat që janë në rrjetin e diplomave false, dhe aferave të tjera korruptive
Sigal