Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj prezantoi disa nga projektet për katër vitet e ardhshme në kryeqytet.
Veliaj u ndal tek kampusi i Qytetit “Studenti”. Ai tha se, në katër vitet e ardhshme pritet të përfundojë edhe projekti për ndërtimin e Unazës së Re në 7 lotet e fundit të saj.
Ai përmendi edhe disa nga projektet në zonën e Bulevardit të Ri, duke theksuar se, me ndërtimet e reja, ajo zonë e kryeqytetit do të njihet si Tirana e Re.
Veliaj tha se, në këtë zonë synohet të ndërtohen disa godina për disa nga institucionet kryesore në kryeqytet deri te muzeu i artit modern apo dhe qendra e panaireve.
“Ajo që duam të bëjmë te bulevardi i ri, sepse Tirana sot është zhbalancuar: Ne do të çojmë aty bashkinë e re, muzeun e artit modern. Disa do të jenë pjesë e një koleksioni permanent, disa do të jenë koleksione të ndryshme, që vijnë dhe vizitojnë. Ne duam të kalojmë aty Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë që tashmë e ka hapësirën e vet në fillim të bulevardit të ri. Do të jetë Bashkia e re. Do të ruajmë pjesën tradicionale për gjërat e protokollit, për pritje, përcjellje. Ne kemi 70 vjet që i themi Tiranë e Re, zonës së stadiumit Dinamo. Nuk mund të jetë më pas 70 vitesh Tiranë e re. Tirana e re do të quhet zona e Bulevardit të Ri. Tani që janë hapur themelet e ndërtesave të para, Qendra e Panaireve, Pallati i ri Kongreseve dhe Koncerteve, duke qenë se e kemi të limituar në 2 mijë vende. Tirana ka evente dhe aktivitete që kalojnë 5-6-7 mijë. Duke çuar 7-8 institucione publike, jep edhe besim që Tirana do të balancohet drejt veriut. Tirana në katër këto kuadratet mund të zhvillohet në mënyrë të njëtrajtshme”,- u shpreh kryebashkiaku.
Një thirrje Veliaj e pati edhe për rivalët në garën për bashkinë e Tiranës, duke theksuar se, pavarësisht si do të shkojë rezultati i zgjedhjeve, ai që votohet duhet të lejohet të punojë.
“Ftesa ime është pavarësisht si do shkojë rezultati i zgjedhjeve, kush votohet duhet të lejohet të punojë. Këto historitë si ato vonesat te Astiri, te sheshi, te bulevardi, me pistoleta te Liqeni, te Këndi i Lodrave, këto duhet të konsiderohen përrallë nga e kaluara. Kush fiton të lejohet të punojë dhe të çojë deri në fund këto projekte”,- u shpreh ai.






















