Projekt për mbrojtjen e Butrintit dhe bonifikimin e fushës së Vurgut

1182

Qendra e “Grupimi i eko-lëvizjes” dhe AJMMI (agjencia joniane e medies, mjedisit dhe informacionit), ditën e martë organizon aktivitetit sensibilizues me qëllim ndërmarrjen e një aksioni ndërgjegjësues në mbrojtje të pasurive natyrore dhe turistike të Sarandës dhe rajonit të sajë jugor. Aktualisht, kjo zonë ka pësuar masakrën më të rëndë urbanistike, ndërkohë, ka çuar edhe në ndërhyrjen e shtetit për ndërmarrjen e aksionit më të zhurmshëm në Shqipëri për prishjen e ndërtimeve pa leje, operacion që kryhet në qytezën e Ksamilit. Burimet zyrtare konfirmojnë për gazetën “Telegraf” se, “kjo bëhet në interes të mbrojtjes së pasurisë natyrore dhe të parkut kombëtar të Butrintit”. Por me sa shihet, asgjë nuk ka frenuar, jo ndërtimet pa leje, por edhe dëmtimin e shëmtimin e mjedisit në këtë rajon të quajtur dikur si perla e Shqipërisë. E gjithë kjo problematikë do të vijë sot, të Martën, në konferencën shkencore, që si vend i zhvillimit të saj, është zgjedhur Ksamili. Problematika e shfaqur dhe frenimi i fenomenit shkatërrues të këtij mjedisi–perlë do të vijë përmes fjalës së z.Shkëlqim Hajno, President i AJMMI, z. Xhemal Mato si ambientalist, dhe nga i zoti i shtëpisë, Kryekomunari i Ksamilit Besnik Abedini, i cili, në fjalën e tij do të sjellë gjithë panoramën e për balljes së pushtetit lokal në drejtim të dëmtimit të mjedisit gjatë 20 viteve të fundit. Por me interes është edhe qëndrimi i Parkut Kombëtar “BUTRINTI” ndaj kësaj pa ngopje dhe masakre mjedisore, sfidat dhe problemet, që falë menaxhimit korrekt e profesional, është mundësuar ruajtja e këtij parku. Kjo vjen nëpërmjet fjalës së drejtorit të këtij parku, R. Kola. Situata konkrete sillet edhe në raportin e zyrës urbanistike të Komunës së Ksamilit mbi sfidat e ruajtjes së territorit në periudhën e trazicionit, por edhe sot, me një bashkëpunim me Parkun Kombëtar të Butrintit. Më me interes është edhe fjala e Kristo Kaurit, drejtor i ndërmarrjes pyjore të Sarandës mbi mbrojtjen e florës së ishujve të Ksamilit. Përpos këtyre kumtesave, është dhe leximi i letrës së Ministrisë së Bujqësisë për bonifikimin dhe sistemimin e fushës së Vurgut, dikur hambar i prodhimit të drithit, sot e katandisur në kënetë.