Enrieta Sina/ Pasion që nxit dhe inkurajon mendimin krijues…

1005
Në fund të një rruge në qytetin e Kamzës, ndodhet shkolla e mesme profesionale. Ai mëngjes i freskët i kish mbledhur të rinjtë dhe mësuesit për të pastruar mjedisin për rreth. Me nëndrejtoreshën e kësaj shkolle, Adile Hyka dhe me një grup krijuesish isha takuar dhe më parë. E thjeshtë, e komunikueshme dhe përherë e angazhuar për të qenë pranë nxënësve si në orë të mësimit, ashtu dhe në veprimtaritë e ndryshme. 
Më buzëqesh, duke më thënë se, në kuadrin e 10 vjetorit të kësaj shkolle nga kolektivi pedagogjik, por dhe nga vet të rinjtë, janë nxitur një sërë aktivitetesh. Adilja ka dhjetë vite në këtë shkollë, pra, që me hapjen e shkollës. Është korrekte për gjithçka që do të publikohej në këtë kuadër. Ndërsa jemi ulur përballë, herë pas here bie celulari i saj.
“Është drejtoresha Zamira Matoshi. Është në Kosovë në një trajnim. Ka merak për punën e sotme, ku të gjithë jemi përfshirë në pastrim…Por ne i kemi marrë masat ashtu siç duhet, me vegla pune dhe ndarje territori… 
Shkolla e mesme profesionale ka 5 drejtime: teknologji e informacionit, shërbimi social shëndetësor( ku është përqendruar në kujdesin për të moshuar dhe fëmijë), hoteleri-turizëm, bujqësi dhe shërbimi i mjeteve të transportit. Shkolla funksionon me 3 sisteme: sistemi i ditës, ku përfshihen 1400 nxënës prej të cilëve 360 janë vajza, par-time me 120 nxënës dhe afrimi i kurseve të formimit profesional për të rritur. Drejtimi i këtyre kurseve është hoteleri-turizëm, shërbim mjete transporti dhe asistencë sociale. Këtu 40 për qind e nxënësve që mbarojnë shkollën profesionale i drejtohen arsimit të lartë.
Përvojë që përballet…
Arti i dhënies mësim, së pari është arti për të zgjuar kureshtjen e të riut e pastaj për ta kënaqur atë..Është kjo një thënie filozofike që mendoj se u përket mësuesve të shkollës së mesme profesionale në Kamëz.
Një rëndësi të veçantë në shkollë i jepet evidentimit të përvojës së përparuar si nga mësuesit, mënyrën e organizuar të orës së mësimit, futjes së metodave të reja bashkëkohore, ashtu dhe nga vet nxënësit. Realisht klasat me rezultate më të larta janë ato të shërbimit social shëndetësor. Përvoja e tyre përbën një bazë të mirë e të suksesshme. Nëndrejtoreshë Adilja flet qetë e bindshëm për arritjet e mësuesve si Elidona Ukshini, e cila jep lëndë profesionale, konkretisht shërbimin social në klasat e X-ta e të XI-ta. Bukurie Spahiu është një tjetër mësuese, që nga mënyra, se si e organizon kohën brenda orës së mësimit, tërheq vëmendjen e nxënësve në lëndën shërbim mjete transporti. Ajo ka përfunduar studimet e larta në inxhinieri mekanike. Edlira Karaj është mësuese e letërsisë. Talentet e reja këtu nuk janë të pakta. Zhvillimi i konkurseve për krijimtarinë dhe interpretimin më të mirë janë të shpeshtë. Demir Ago është një tjetër mësues me përvojë për degën qytetari, gjeografi të cilat kalojnë nga vitet e para deri në të katërtat. Demiri tregon se, si në orën e qytetarisë nxënësit iniciojnë mendime konkrete në veprimtari dhe evidentojnë vlera të reja të edukimit dhe realizmit të objektivave në përparimin në mësime.
Ashtu si një tokë pjellore nuk mund të japë prodhim po nuk e punove, kështu edhe mendja jonë nuk jep fruta pa studim. Tek të rinjtë nga vet mësuesit krijohet bindja se, nëse dikush prej tyre pretendon se i di të gjitha, pas saj fshihet e vërteta se nuk di gjë. Bashkëpunimi prind-mësues bën që të mënjanohen mangësitë që shfaqen tek nxënës të veçantë, duke realizuar një ngjitje cilësore në mësime. Në kuadrin ë 10-vjetorit të shkollës, si dhe festave të nëntorit, janë zhvilluar konkurse në lëndën e historisë. Ndërsa në gjeografi janë bërë guida turistike në objektet kulturore në Tiranë apo gjatë panairit të librit. Mësuesja e historisë Merushe Hoda tregon, se si në konkursin e zhvilluar këto ditë, tematika kryesore ka qenë ajo e njohjes së ngjarjeve historike, zgjerimin e njohurive për Pavarësinë dhe Çlirimin e vendit. Në konkurs për njohuri të plota u dallua nxënësja e klasës së X-TIK Megisiana dhe në njohuritë sociale Elona, nxënësja e klasës së XIII, drejtimi social. Ajo që vlen për t’u theksuar është se iniciativën për zhvillimin e këtyre konkurseve e marrin vet nxënësit.
Më shumë për krijimtarinë…
Edhe pse shkollë profesionale, këtu gjen shumë talente të reja, që me poezitë, esetë, tregimet e tyre tregojnë aftësitë krijuese. Në pikturë Daniela Kovaçi, nxënëse e klasës së XIII me drejtim teknologji dhe informacion, spikat për imagjinatën e saj, harmonizimin e kompozicionit të pikturës, harmonizimin e ngjyrave. Nxënësja e klasës së X-të Megisjana Rami dallon për poezitë e saj….
U tunden malet, u tund dhe toka
Po mbante vesh e gjithë bota
“Kush janë vallë këta trima luftëtarë?!
Njëzëri u përgjigjën:”Jemi shqiptarë!”
Megisjana në një skicë kushtuar “Shqipërisë” shkruan: “Janë thënë shumë fjalë për Atdheun, janë thurur shumë vargje për Shqipërinë..Një popull me vlera të veçanta ndër gjithë të tjerët… Paola Hoxha, klasa e X-të sociale do të sjell në krijimtarinë e saj e dhjetëra vargje të tjerë.
“Unë jam shqiponja e bjeshkëve të namura
Jam gjoks i gjakosur i Adem Jasharit…
Jam shqiptar e shkuar shqiptarit..
Ina Zeneli është një tjetër talente letrare e kësaj shkolle. Tematika që zgjedh për vargjet është më tepër sociale:
Grua është ajo që të solli në këtë botë
Pse asaj t’i i shkakton vetëm lot?!
Po kaq të bukura janë vargjet e shkruara nga Florinda Fetahu, Xhuljana Kodra, etj. Në këto vargje gjen ndjenjën e bukurisë, si e vetmja gjë njerëzore që nuk na gënjen, sepse ajo i përket plotësisht njeriut.
Të kërcesh bukur
Mësueset e edukimit fizik tregojnë gjithë pasion për veprimtaritë e shumta të edukimit fizik. Janë Fatmira Memia dhe Brunilda Koçollari. Lojërat me dorë, volejbolli përfshin shpesh konkurrencën mes nxënësve të klasave, siç ishte ajo e zhvilluar midis nxënësve të hotelerisë X-1 dhe X-TIK, ndërsa në hendboll , vajzat kanë zhvilluar lojëra midis klasës së X-1 dhe X-e, sociale. Por kërcimi Zumba do të jetë preference e klasës së X-të, XI-TIk dhe XI-hoteleri. Në kërcimin aerobik dallohen vajzat e sociales, si Paula Hoxha, Ana Myftari, Ueda Osmani. Në klasën e XII hoteleri për kërcim dallon Kristian Kavalli dhe nga klasa e XI-TIK, Lorenc Nasufi. Këta dy të rinj i gjen shpesh në pallatin e kulturës në grupin e valleve, duke u përfshirë në veprimtari brenda dhe jashtë vendit. Të lind menjëherë mendimi se ata janë rritur, bashkë me vallen, me skenën, me përvojat që kanë marrë nga viti në vit. Realiteti është një zhurmë, të cilën arti duhet të dijë ta kthejë në harmoni. Këtë e gjen mes mësuesve dhe nxënësve që dinë të krijojnë marrëdhënie të drejta më njëri-tjetrin. Mësueset e edukimit fizik tregojnë për talentin në kërcim që ka nxënësja e klasës së XIII-TIK Rebela Greni. Fal talentit të saj, ajo është vlerësuar me disa certifikata.
Ndodhem mes këtij kolektivi të mrekullueshëm pedagogjik ku sukseset në talentet e reja njihen prej të gjithëve.
Veprimtaria për pastrimin e mjedisit rreth shkollës vazhdon…Rrugës përshëndetem me disa të reja, që me përkushtim pastrojnë nga barërat e këqija gjithë pjesën e përtej trotuarit. I shkulin ato dhe i grumbullojnë bashkë… Gjithçka si brenda dhe jashtë shkollës duhet të jetë e bukur, e pastër…Edukimin për punën këta të rinj e marrin nën shembullin e mësuesve që ndodhen përherë në krah të tyre.
Sigal