Prof. Dr. Lush Susaj: Dëshmi mbi lashtësinë e kultivimit të vreshtave në Shqipëri

644
Sigal

 Djalin e Skënderbeut (Gjoni II) në
Divjakë e Himarë, e pritën me verë të kuqe

 

 Straboni pasi vizitoi Ilirinë,
shkruan “I ngrohtë dhe frutdhënës është ky vend, se është plot me ullishta e me
vreshta të mira.”

 

Gjeografi
i antikitetit, Straboni (63 p.e.r – 20 e.r) pasi vizitoi Ilirinë, shkruan “I ngrohtë dhe frutdhënës është ky vend se
është plot me ullishta e me vreshta të mira, përveç në disa vende të pakta, ku
toka është fare e ashpër” (Geographica, libri VII, 8). “Këta të fundit (ilirët) eksportojnë verë, që
e mbajnë në enë druri, të cilat i transportojnë me qerre” (Gegraphica,
libri V, 8). Poeti romak Virgjili shkruan për Ilirët se “në mes të sallës, rreth tryezave zbraznin kupat për nder të Bakut,
pinin me enë të arta dhe bënin flijime” (Libri III, 354-355). Heroditi
(shek 5 p.e.r) shkruan se “pellazgët
arritën t’i njohin emrat e perëndive kur i sollën nga Egjipti, emrin e Dionisit
e mësuan, pasi mësuan emrat e perëndive të tjera, që prej kësaj kohe i kanë
përdorur në flijimet e tyre për perënditë, dhe me pas, Helenet i morën këta
emra nga Pellazgët.” Kamur në Enciklopedinë e madhe Greke (vëll. XVIII)
shkruan se “pellazgët janë shfaqur në
Mesdhe që nga mijëvjeçari i 6-të p.e.r, ata njihnin dhe përdornin gjerësisht
verën”. Tek libri me titull “Odiseja
e Pabesueshme e një Populli Parahelen” (Mathieu Aref, fq 11) shkruhet se “pellazgët janë banorët e parë të botës ballkano-danubiane
dhe Egjeut”. Pellazgët ndërtuan Pelargikonin, murin e parë rrethues,
fortifikues të Athinës. Straboni theksonte se “…verërat e Istrias çmoheshin shumë. Ilirët krijonin vreshta të ulëta në
veri të Sirmit duke u ndihmuar nga një perandor vendas me emrin Probi”
(shek III).

 

Johan
Wilkes

 

Johan
Wilkes (Ilirët, 2005, fq 235) shkruan se “botës
helene, ilirët i dukeshin pijetarë të mëdhenj, duke u nisur që nga garat e
Ardianëve, kush e kush mund të pinte më shumë dhe nga fakti se burrat e dehur përcilleshin
në shtëpi nga gratë e tyre, të cilat gjithashtu merrnin pjesë në garë deri tek
dhënia me tepri e mbretërve të tyre Agron dhe Gent pas pijes”. Johan Wilkes
(tek libri “Ilirët” 2005, fq 235), dëshmon edhe për një fakt tjetër, kur
shkruan se “helenet e mësuan nga
Taulantët (Taulët) një recetë të shkëlqyer për Hidromelin, e bërë nga tharmimi
i mjaltit, verës dhe ujit, pije që përdorej nga ilirët e Panonisë në kohën e
Atilës”. Kjo recetë është ruajtur deri vonë në traditën e krahinave
veshtare të Matit dhe Kurbinit, ndërsa është përsosur dhe përdoret me mjaft
sukses nga kantina “BELISARIO” në Metallica të Italisë, e cila prodhon dhe
tregton në të gjithë botën verën e fermentuar me mjaltë të quajtur “Melitites”.

 

Djali
i Skënderbeut (Gjoni II)

 


trashëgiminë gojore, një këngë e vjetër që i dedikohet ardhjes së djalit të
Skënderbeut (Gjoni II) në Divjakë e Himarë, ku thuhet se e pritën 400
Himarjotë, ndërsa bashkë ushtëtarin e tij Nikolla Dukagjinin e pritën dhe e
morën banoret e Pultit e të Mbidrinit, dëshmohet fakti se si luftëtarët mbanin
me vete calikë (enë lëkure) me verë të kuqe. Në këngë thuhet: “7 ditë rrugë kalur me mbërri/ Presim mbretin
me gjemi/ Kem marr bukë e ven me pi/ Nuk njoh pash për vendali/Nuk e njoh kanun e Dinit/ Qi ratë mohit, besës s’zotit/ Prej
n’Himar e n’Kundavi/jemi n’tokë të Kastriotit” Ndërsa tek kënga e Gjergj
Elez Alisë thuhet: “Ven 3 vjeçe tue pi/
edhe atin e ka mbajtun/ tagji n’strajcë tue i qitun/ venë me pi për ujë tue i
dhanun”. 

 

Rregulli
i trajtimit të punëtorit

 

Rregulli
i trajtimit të punëtorit sipas traditës shqiptare kërkonte që punëtori i
bujqësisë të konsumonte sasi të ndryshme vere për kohë të ndryshme. Historiani
italian Kato (234-149 p.e.r) në veprën e tij me titull “De Agricoltura” dëshmon
se: “Përgjatë korrjeve dhe vjeljes së
rrushit në rajonet e Ilirisë, bujqve u jepet çdo ditë ¾ l me verë të holluar me
ujë, nga vjelja e rrushit deri në fillim të dimrit bujqit mund të pinin venë sa
të donin, ndërsa nga dhjetori deri në fund të marsit bujqve u jepej ¼ l venë në
ditë. Ndërsa gjatë pranverës dhe verës, deri në periudhën e korrjeve dhe
vjeljeve u jepej ½ l venë në ditë”. Është mjaft i njohur zakoni i vjetër
shqiptar (ky zakon është ruajtur deri në shek. e XVII-XVIII), sipas të cilit
burrat mbanin me vete calikë me venë dhe i këmbenin me njëri tjetrin, kur ata
takoheshin në rrugë njëlloj siç ndërrojnë cigaret dhe kutitë e duhanit. Niveli
i pasurisë dhe sëra shoqërore e familjeve, dëshmohej edhe me sasinë dhe
cilësinë e verës që prodhonte dhe konsumonte secili. Traditën e vjetër dhe
nivelin e lartë të kulturës së vreshtave dhe verës e dëshmon edhe specializimi
i mirë i zonave dhe kultivarëve që është ruajtur deri në shekullin 17-të, kur
sipërfaqja dhe prodhimi nga vreshtat u pakësuan së tepërmi për shkak të
luftërave dhe emigrimit të lartë të popullsisë. Sipas profesor Ahmet Osjes
(Vreshtaria dhe Verëtaria Shqiptare, 2004), familjet feudale vendase kanë pasur
territoret e tyre ku dhe kultivonin vreshta me kultivarin e tyre karakteristik.
Kështu në kalanë e Krujës dhe të Petrelës konsumohej verë e prodhuar nga
kultivarët e Sheshit; në kalanë e Lezhës, konsumohej verë e prodhuar nga
kultivari Kallmet; në kalanë e Shkodrës, konsumohej verë e prodhuar nga
kultivari Vranac; në kalatë e Matit, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari
Cëruja; në kalanë e Beratit, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari Puls; në
kalanë e Kaninës, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari i Vloshit; në kalanë
e Ohrit, konsumohej verë e prodhuar nga kultivari Pamid, etj. Kjo traditë
rajonizimi, duket se po rikthehet përsëri së bashku me vëmendjen dhe
rivlerësimin e rëndësisë së përdorimit të kultivarëve autoktonë dhe markave të
verës së prodhuar prej tyre. 

Johan
Georg Van Hahn (1867) shkruan se “shqiptarët
e sotëm janë pasardhës të banorëve të hershëm parasllavë të këtij rajoni, ata
kanë bërë jetë të ngulur dhe jo shtegtare”. 

Prof.
G Dalmaso (1962) ka shkruar se fiset etruske që emigruan në Itali, kanë dhënë
një kontribut të madh në përhapjen e artit të përgatitjes së verës në Italinë
qendrore dhe veriore.

Zhan
Klod Faverial tek libri “Histori e Vjetër e Shqipërisë” fq 286 shkruan se “shumë ilirë kaluan në Itali, fise të tilla
si Picentët, Daunët, Japigët, që emigruan në Itali, kultivonin më parë vreshta
me famë në Iliri”. 


Dhiatën e Vjetër është përdorur fjala “Yayain” që shqiptohet “vain” e përkthyer
nga gjuhët origjinale të biblës do të thotë “lëng i shtrydhur nga rrushi”,
është një fjalë që tingëllon në mënyrë të njëjtë me atë të gjuhës shqipe,
“venë”. 

Ndërsa
tek Dhiata e Vjetër, është përdorur edhe një fjalë tjetër “Tirosh” e përkthyer
në gjuhën shqipe do të thotë “dërrmim ose copëtim i rrushit”, njëlloj si në
gjuhën e vjetër shqipe, tek dialekti gegë ku përdorët fjala “tershi” që do të
thotë “copëtoi apo e dërrmoj rrushin”. Njihet si një praktikë e përdorur deri
në shekullin XVIII-XIX, ku 4 persona të zbathur shkelmonin, tershinin,
dërrmonin apo shtypnin rrushin e hedhur në një enë të madhe druri që quhej
“Tinarë”, “Gavixh” etj. Ndërsa në greqishten e vjetër, vera është quajtur
“OINOS”, njëlloj si në gjuhën shqipe, dialekti gegë, më konkretisht tek fisi i
Labeateve, edhe sot thuhet “piva një tas me onjohe”, që do të thotë “piva një
tas me verë”. Madje në muzeun e Luvrit (Francë) ruhet një tarragot e vjetër
bronxi me emrin Scodrin, simbolizohet nusja ilire me një shtamë në njërin krah
dhe tasin në dorën tjetër që shpërndan venë (A Luka, 2009).

Plini
shkruan për verën e preferuar të romakëve që quhej “Sapa”, kjo verë thuhet se
vinte nga brigjet lindore të Adriatikut, Iliria. Këtë fakt e gjejmë të shkruar
edhe tek relacionet e Fran Bardhit (1637-1638) në të cilat njoftohej Vatikani
se “kemi ndarë vreshtat për të prodhuar
verë për Papën”, Shkruhej për verën aromatike “SAPA” që prodhohej në
krahinën e SAPËS që në gjuhën popullore (sipas F. Bardhit) quhej Zadrimë e në
atë kohë përbëhej nga 5 gjymtyrë (rrethe) e që shtrihej nga Kurbini deri në
Pult.

Kjo
verë aromatike, për shekuj me radhë, është tregtuar deri në Angli ku dhe është
quajtur “SAVORY” që do të thotë verë me aromë. Aroma i dedikohet zierjes së
mushtit deri në 1/3 e vëllimit, praktikë e përshkruar me hollësi nga Solomoni,
dhe e cilësive specifike të kultivarit Kallmet me aromën dhe ëmbëlsinë e tij
karakteristike, e cila është më e theksuar tek kokrrat e milcuara, veçori gjenetike
që duhet vlerësuar dhe ruajtur për të mundësuar prodhimin e verërave me
tipicitet dhe gjeografi specifike. Tipiciteti dhe origjina gjeografike e
përcaktuar përbëjnë sekretin e suksesit të verës në treg. 

Amerin
(1967) shkruan se: “Shqipëria ka një
vreshtari që i takon periudhës pararomake”.

Dyndjet
barbare, sidomos rrënimet që u kryen në Iliri gjatë shekujve 5-7 e.r shkaktuan
emigrim të madh të popullsisë, kjo solli shkatërrim të kodrave të mbjella me
vreshta dhe ullishte, pakësim të prodhimit dhe tregtimit të verës nga rajonet e
Ilirisë.

Katoni
(324-149 p.e.r) në traktatin e tij mbi ekonominë bujqësore me titull “De re
Rustica”, përmend kultivarin “Duracina”, sipas profesor Petraq Sotirit, bëhet
fjalë për kultivarin “Shesh i bardhë”.

Plini
(Plaku 23-79 e.r.) në veprën e tij me titull “De Natyralis Historia” dëshmon
për 100 kultivarë rrushi, një pjesë e tyre citohet, se kultivohen në bregdetin
Ilirik. Këta përmenden me emrat Helovle, Precia, Apiana, Basilika etj. Bazuar
në përshkrimin e bërë kemi të drejtë të besojmë se bëhet fjalë për kultivarët
tanë autoktonë, të cilët janë ruajtur deri në ditët tona me emrat Vlosh,
Kallmet, Shesh, Pulës, Mjaltëz, Mereshnik dhe Kryqës. Plini dëshmon se si
banorët e Dyrrahut lavdërojnë “Baliskun e bardhë”. bëhet fjalë për kultivarin
“Shesh i Bardhë” që akoma kultivohet në kodrat e Tiranës, Durrësit dhe
Kavajës.