Prof.Dr. Besnik Gjongecaj: Populli shqiptar nuk foli në 2019-n! Votimet, destinacioni i taksave dhe mungesa e kontrollit

926
Sigal

Në 2019 populli shqiptar heshti, por askush nuk mund të thotë që ai nuk ka dëgjuar

 Populli nuk foli në 2019-n!

Taksat që paguajnë shqiptarët jo rrallë destinohen ekzaktësisht ashtu si nuk do të duhej

 Besnik Gjongecaj

U bë një kohë relativisht e gjatë që në kërkim të jetës normale,shqiptarët kanë pranuar të jetojnë një jetë tjetër, plotësisht të pamerituar. Një jetë poshtëruese, të vështirë deri në kockë, pa dinjitet. Një jetë fare e pangjashme me atë të një populli në demokraci. Jetën e gabuar, sepse megjithëse po bëjnë një sakrificë të mundimshme, të pa imagjinueshme nga popujt që jetojnë në të njëjtin kontinent, ende as nuk janë nisur drejt jetës së shpresuar, përkundrazi. Po ecin verbërisht drejt një jete që tashmë së fundi,madje, ka filluar të errësohet, të shuajë edhe atë dritë të pakët që kishte dikur. Drejt një jete të zbrazur nga shpresa, tragjikisht. Aq sa duket sikur, në mungesë të jetës së vet, në mënyrë të pavullnetshme shqiptarët po jetojnë jetën e dikujt tjetër. Po jetojnë një jetë që,sepse nuk iu përket, nuk kanë dhe nuk do të mund të kenë asnjë kontroll mbi të.

Mungesa e kontrollit

Mungesa e kontrollit të shqiptarëve mbi jetën e tyre e ka bërë atë, përveç të tjerave, edhe paradoksale. Paradoksi është i pranishëm në krejt hapësirën shqiptare, por veçanërisht rrënues atje ku qytetarët e këtij vendi takohen me shtetin dhe shpenzojnë energji për ta mbajtur atë në këmbë. Te vota pra, te taksat dhe te fuqia krijuese qytetare.

 

Shqiptarët votojnë, por të tjerë i udhëheqin

Apo ç’është edhe më zi:shqiptarët udhëhiqen nga njerëz që zgërdhihen me shenjtërinë e votës, e poshtërojnë atë. Me të marrë votën, sa hap e mbyll sytë, politikanët shqiptarë bëjnë atë që është edhe në ADN-në e tyre: e zhbëjnë vullnetin që ajo përfaqëson. E kanë të trashëguar, jashtë çdo dyshimi. Prandaj janë edhe të pashpresë. E gjitha kjo filloi gati menjëherë pas 90-s,dhe brenda partive të krijuara menjëherë pas totalitarizmit. Në fillim u çshenjtërua vota, u zhbë ajo dhe mbi këtë instinkt të vjetër të totalitarizmit u ndërtuan edhe partitë e pas totalitarizmit. Pa u vënë re, pa kuptuar. Dhe ashtu sikundër ndodh gjithmonë, kur “naivët” e morën vesh këtë, partia nuk ishte më e tyre. Kjo ishte, gjithsesi, më e parëndësishmja. Të thjeshtët, idealistët, ata që shumë shpejt krijuan “brezin e humbur” në Shqipërinë pos totalitariste, e kuptuan që kishin humbur edhe vetveten, kontrollin mbi të. Ishin kthyer në numra, pa pikë dinjiteti, ashtu si vetëm numrat dinë të jenë. Në një radhitje që të tjerë e përcaktonin. Ajo që ndodhi më pas ishte rrjedhojë, por edhe më gjithëpërfshirëse, edhe më poshtëruese. Vota e boshatisur nga shenjtëria e saj u transferua nga partitë te shoqëria shqiptare. Ky transferim u bë aq brutalisht sa qytetarët filluan të mos ndjejnë më ndonjë diferencë me të shkuarën totalitariste. E gjithë shoqëria post totalitariste u inxhinierua në përputhje të plotë me poshtërimin e shenjtërisë së votës. Si e tillë, ajo nuk mundi të krijojë rrënjët e një qytetërimi demokratik. Akoma nuk i ka krijuar. Duke humbur votën, qytetarët kanë humbur kontrollin mbi jetën e tyre. Kaq e thjeshtë është!

Taksat që paguajnë shqiptarët jo rrallë destinohen ekzaktësisht ashtu si nuk do të duhej.

Madje përdoren edhe për të rrënuar shtëpitë dhe pasuritë e tyre, çka tejkalon çdo imagjinatë. Taksat e paguara, nga ana tjetër,pothuajse asnjëherë nuk iu sigurojnë shqiptarëve shërbimet e projektuara sipas ligjit. Aq e vërtetë është kjo, saqë kosto e shërbimeve është pothuajse gjithmonë më e lartë se taksat e shpallura, ligjore. Taksat që shqiptarët paguajnë realisht janë ato që nuk duken, që nuk bëhen pjesë e asnjë buxheti, e asnjë programi zhvillimi publik. Taksat reale paguhen nën dorë, janë ilegjitime. Asnjë shqiptar i thjeshtë nuk mund të marrë shërbim nga qeveria e tij nëse nuk i paguan ato nën dorë. Në mjekësi, te pronat, te gjetja e një vendi pune, te një leje, te një kualifikim, te marrja e një diplome, madje. Bota shqiptare është ngritur mbi taksa të fshehta. Si mund të funksionojë me shpenzime transparente!?

Gjithsesi, më e dhimbshmja është humbja e kontrollit të qytetarit shqiptar mbi kontributin që jep në ndërtimin dhe rindërtimin e shtetit të tij. Humbja e kontrollit të qytetarit mbi fuqinë e vet krijuese. Çka sjell, në fund të fundit, edhe humbjen e kontrollit mbi cilësinë e vetë jetës së tij. E gjitha kjo vjen e distilohet në raportin që shteti apo shoqëria shqiptare legjitimon midis të aftit dhe të paaftit. Në shoqërinë shqiptare të sotme ky nuk është më një raport. Raporti është një fjalë e shpikur për paqen. Marrëdhënia midis të aftëve dhe të paaftëve në një shoqëri jashtë kontrollit, si kjo e jona, është luftë. Një luftë që në Shqipëri po shkon drejt një fundi tragjik. Një luftë e pabarabartë dhe nën peshën e politikës Tragjizmi i saj është unik, sepse ata që po dorëzohen të parët në këtë luftë janë të aftët. Dorëzimi i tyre është një ngjarje që paralajmërohet nga politikanët, madje menjëherë sapo ata marrin pushtetin dhe planifikojnë abuzimin me të. Pushteti politik përcakton dhe hierarkinë e pushtetit intelektual në këtë vend. Se kush është dhe kush nuk është i aftë; se kush do ta drejtojë një institucion që përmban kërkim shkencor dhe kush jo; deri te dhënia e lejes për të folur mbi zgjidhjet e problemeve komplekse të këtij vendi ose jo. Ka kohë që, si mortaja, kjo “procedurë” fatale është shtrirë edhe në nivelet jo politike të vendit, gjë që kapitullimin e të aftëve e ka bërë masiv, sundues, pothuajse përfundimtar. Rënia e të aftëve ka “rrëzuar” edhe qiellin e mendimit të rafinuar intelektual në këtë vend; qiellin e mendimit të lirë universitar. Ka kohë që nuk vjen asnjë lajm nga universitetet. Asnjë koment shkencor, asnjë qëndrim i ri, asnjë zgjidhje rreth problemeve komplekse dhe të rënda të këtij vendi. Politika ka zgjedhur të jetë e vetme në skenën shqiptare, e gjithëpushtetshme, mospërfillëse, prandaj edhe pa pikë dinjiteti. I lejon vetes të identifikojë të gjitha problemet e vendit, në të gjitha fushat, i paraprin ato. Pastaj jep zgjidhjet, me të njëjtën lehtësi që Veri legjendar i Tiranës vë në dispozicion të kalimtarëve llapën e tij unike. Përballon të gjitha sfidat me të cilat ndeshet vendi, formulon të gjitha qëndrimet që do të duhet të mbahen. Me të njëjtën kompetencë, me të njëjtën shpejtësi, me të njëjtin cinizëm, energjizuar nga e njëjta injorancë.

Populli nuk foli në 2019!

Energjia e mbledhur në vite prej tij për të bërë ndryshimin u shua nën peshën e instinktit të mbijetesës. Instinktet e një populli nuk janë si të njeriut. Ato janë pakrahasimisht më të fuqishme te popujt, prandaj edhe më të pranishme, më të pakundërshtueshme, më identitet-përcaktues te individi. Popujt janë më natyrorë, më të kontrolluar nga forca “materiale”, prandaj edhe relativisht të pavarur nga ndërgjegjja e individit. Popujt marrin kohën e tyre për të reaguar. Një kohë që do të ishte e e mjaftueshme për akumulimin e energjisë së një ndryshimi aq thelbësor, sa rikthimi në ekuilibrin e mëparshëm të bëhet i pamundur. E gjitha kjo, nga ana tjetër, krijon konfliktin e pafund midis popujve dhe individit si element ndërtues i tyre. Në thelb të këtij konflikti qëndron keqkuptimi i madh mbi mosreagimin e menjëhershëm dhe jo proporcional të popujve ashtu sikundër do të dëshironte një individ, grup individësh, një parti politike. Individi, apo edhe një parti politike, do të donte që çdo padrejtësi që përjeton të bëhej shkak për një reagim popullor. Gjë që në fakt nuk ndodh dhe kjo ka qenë e mjaftueshme pothuajse gjithmonë që një individ të klasifikojë popujt si popuj të fjetur dhe të prapambetur (një koncept, p.sh., i formuluar nga vetë shqiptarët për popullin e tyre), si dhe popuj që reagojnë menjëherë dhe proporcionalisht, prandaj janë edhe të përparuar (përsëri një koncept që shqiptarët e rezervojnë shpesh jo për vete, por për popuj që jetojnë në perëndim). Fatkeqësisht, në Shqipëri është avancuar edhe më tej. Një klasifikim i tillë nuk ka mbetur te individët, përkundrazi, është bërë pjesë e opozitës (PD), përcaktuese e sjelljes, qëndrimit të saj politik. Që si në shumë raste të tjera origjinën e ka nga e shkuara. Është, prandaj, edhe një qëndrim historik i saj. Përballë një qeverisje mostruoze, e cila është në një konflikt të hapur jo vetëm me standardet, por mbi të gjitha me interesat e popullit të vet, opozita (PD) bën atë që asnjë opozitë, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, nuk do t’i shkonte ndër mend të bënte: opozita (PD) e këtij vendi i ka lënë takim popullit të saj në një drejtim ku ai nuk pritet të vijë kurrë! Ajo nuk e pret popullin e saj atje ku një popull mund të pritet: në parlament, apo në rrugë. Ajo e pret popullin e saj në ndonjë cep TV-je, te show i skandalit periferik me një të droguar, të cilin nuk e sqaron kurrë plotësisht, apo te “kthesa” e një refuzimi të ri për bashkëpunim që i bën kryeministrit të vendit pas një bashkëqeverisje të dikurshme me të, refuzim që, pikërisht për këtë arsye, më shumë se sa politik, duket si një refuzim i bërë për elegancë. Janë të gjitha gjasat që opozita shqiptare (PD)mendon, fatkeqësisht, se ka të bëjë me një popull aq të prapambetur sa nuk denjon të bëhet gati as për të hequr qafe madje edhe qeverisjen më të keqe të shekullit. Duke e vendosur veten automatikisht në një nivel superior ndaj popullit të saj. Pasi e ka përjashtuar atë, vetveten, nga ekuacioni i dështimit? Në një gabim ekzistencial për të tashmen dhe të ardhmen e saj.

Në 2019 populli shqiptar nuk foli, por askush nuk mund të thotë që ai nuk ka dëgjuar

Kështu janë popujt. Nuk i bëjnë të dyja njëherësh. Veçanërisht kur vendi zhytet në krizë. Dëgjojnë pa folur, por kur flasin, nuk dëgjojnë më. Një mësim ky që politika e këtij vendi, megjithëse ka përjetuar një krizë si ajo e vitit 97, duket se nuk e ka mësuar akoma. Qartësisht, në Shqipëri populli ka humbur kontrollin mbi jetën e tij. Nga ana tjetër, politikanët shqiptarë, këta udhëheqës faqezinj, kanë humbur popullin. Marrëdhëniet midis tyre janë zëvendësuar nga një tension që në vitin 2019, me gjithë shenjat e dhëna, nuk arriti pikën e shpërthimit. Kjo nuk do të thotë që nuk do ta arrijë në vitin 2020. Aq më shumë tashmë që kemi të bëjmë me dy agjenda fare të kundërta me njëra tjetrën: agjenda e popullit nga njëra anë dhe ajo e politikës nga ana tjetër. Në përplasjen midis tyre, ndërsa politika korruptohet gjithmonë e më shumë, populli vetëm se rrit fuqinë e tij natyrore, akumulon energji. Për ta çliruar një ditë atë, çka do të ishte lajm i mirë për Shqipërinë dhe lajm i keq për politikën.