Prof. Dr. Alqi Naqellari: Minishengeni Ballkanik, si Marrëveshja e Enver Hoxhës me Titon më 1946

519
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Historia përsëritet, dhe përsëritja është normale. E rëndësishme është që të kesh nxjerrë mësimet e duhura prej së kaluarës, të kesh nxjerrë gabimet që janë bërë në mënyrë që të mos përsëriten më, prandaj dhe shpesh thuhet shiko të kaluarën, për të parë me objektivitet të ardhmen. Nëse nuk ke nxjerrë mësime nga e kaluara, gabimet e bëra dikur, mund ti përsëritësh duke sjellë pasoja negative, edhe më të mëdha për ekonominë dhe popullin tënd. Një nga këto marrëveshje që kërkohet të përsëritet, është i ashtuquajturi Minishengeni Ballkanik. Minishengeni Ballkanik është një Marrëveshje që kërkohet të realizohet midis ish- Republikave të RFSJ dhe Shqipërisë. Kjo Marrëveshje e shekullit të 21, me gjithë veçoritë e saj në kontekstin kohor, hapësinor e teknologjik është e ngjashme si dy pika uji me Marrëveshjet e lidhura nga Shqipëria me RFSJ në vitin 1946.

Në Marrëveshjen e 1946, RFSJ përbëhej nga Serbia, Kroacia, Sllovenia, Bosnjë-Herzegovina, Mali Zi dhe Maqedonia, me dy krahina autonome Kosovën dhe Vojvodinën. Sot, 75 vjet më vonë, në vitin 2021, kjo Marrëveshje e re, e quajtur Minishengen, përfshin ish Republikat e RFSJ-së, Serbinë, Maqedoninë, BosnjëHerzegovinën dhe Malin e Zi. Nuk përfshihen Kroacia dhe Sllovenia që shtrihen në Ballkanin Perëndimor, nuk përfshin Kosovën si Republikë e njohur nga mbi 100 shtete. Serbia e ka në Kushtetutë si pjesë të saj, si Provincë Autonome, njësoj si Vojvodinën. Në Artikullin 182 thuhet: “In the Republic of Serbia, there are the Autonomous Province of Vojvodina and the Autonomous Province of Kosovo and Metohija. The substantial autonomy of the Autonomous province of Kosovo and Metohija shall be regulated by the special law which shall be adopted in accordance with the proceedings envisaged for amending the Constitution.” (Në Republikën e Serbisë, ekzistojnë Krahina Autonome e Vojvodinës dhe Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë. Autonomia thelbësore e krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë rregullohet me ligj të veçantë i cili miratohet në përputhje me procedurat e parashikuara për ndryshimin e Kushtetutës”).

Jugosllavia – Vendet e Minishengenit Ballkanik

Siç shihet, Marrëveshja e Minishengenit, ka të meta esenciale si në organizim, në strukturë dhe objektiv, pasi nuk përfshin Slloveninë dhe Kroacinë, të cilat janë më Perëndimore si territore, sesa vetë Serbia, ndërsa Kosovën nuk e konsideron si Shtet. Atëherë me kë do bëjë Marrëveshje Serbia, me një Krahinë Autonome të saj, që tre nga palët në Marrëveshje e njohin si Shtet? Ky është një absurditet i papranueshëm, sepse palët në Marrëveshje, duhet të kenë status të barabartë. Me çfarë statusi do ta firmosë zoti Kurti Marrëveshjen, si Kryeministër i Kosovës? A do ta pranojë këtë Vuçiçi, në një kohë që Kushtetuta nuk ia lejon? Si mund përfaqësuesi Serbisë të ulet në tavolinë me përfaqësuesin e Kosovës, kur nuk ka kërkuar falje publike për genocidin e ushtruar në Kosovë, për mijra e mijra të vrarë, të përdhunuar dhe të zhdukur, për shfrytëzimin barbar kolonial 100- vjeçar? Gjaku nuk harrohet, raporti Kosovë-Serbi nuk është njësoj si raporti Francë-Gjermani, nuk ka asnjë ngjashmëri, sepse Franca dhe Gjermania nuk kanë qenë asnjëherë koloni të njera tjetrës, ato kanë pasur konflikte për territore, ndërsa Kosova ka qenë koloni Serbe, vend i pushtuar që u çlirua me luftë, pavarësisht nga rrethanat ku sot agresorët hiqen si viktima.

Serbia nuk do në lojë Kroacinë dhe Slloveninë sepse janë anëtare të BE-së, ndërsa vendet pjesëmarrëse në Minishengen janë vende në zhvillim, pa forcë konkurruese në treg.

Shqipëria në Marrëveshjet me Serbinë ka dalë gjithmonë e humbur. Edhe në këtë marrëveshje nëse do arrihet, do dalë përsëri e humbur, ekonomia shqiptare do shndërohet në një shtojcë tregu e ekonomisë së Serbisë, pa kurrfarë identiteti. Në këtë mënyrë do përsëritet humbja e Konventës Ekonomike të 1946 me Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë.

Çfarë ndodhi në 1946 midis Shqipërisë së Hoxhës dhe RFSJ-së së Titos?

Në nëntor 1946 u nënshkrua Konventa Ekonomike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Kjo Konventë solli me vete: koordinimin e planeve, unifikimin e çmimeve, parifikimin e monedhës, shoqëritë e përbashkëta, bashkimin doganor etj. Jugosllavia vlerësohej me superlativa nga qeveria shqiptare. Kështu Koçi Xoxe, në inaugurimin e mbarimit të punimeve të hekurudhës Durrës-Peqin ka thënë. “Ekzistenca e Jugosllavisë Federative Popullore në kufi është një fat për Shqipërinë, është një siguri e madhe për jetën tonë, për zhvillimin tonë të përgjithshëm. Ndryshe, pa një Jugosllavi të popujve të Jugosllavisë dhe të fortë nga çdo pikëpamje, do të ishte në rrezik qenia e jonë si popull i lirë”. Por si e vlerësoi më vonë raportin Jugosllavi-Shqipëri E.Hoxha? Në Kongresin e I të PKSH-së ka theksuar: “Jugosllavia …kishte qëllim të shfrytëzonte në mënyrë koloniale dhe në rrugën imperialiste vendin tonë. Shqipëria nuk duhej të zhvillohej indipendente, po ajo duhej të futej në ekonominë jugosllave”. Sipas jugosllavëve ne duhej të punonim për të gjithë lëndët e para që ata kishin nevojë, këto të eksportoheshin në “metropolin” në Jugosllavi dhe të përpunoheshin atje, në fabrikat Jugosllave, pastaj Jugosllavia do t’i furnizonte “kolonisë së vet Shqipërisë” sendet e manifakturuara me çmime grabitqare, që nga peri, deri te gjilpëra”. Orienitimi i Jugosllavisë ishte që në vendin tonë të mos zhvillohej asnjë industri, asnjë proletariat, vendi ynë të mbetej i prapambetur, i varur tërë jetën nga Jugosllavia, me asnjë perspektivë daljeje, përveç asaj të një pune skllavëronjëse”. Nga Marrëveshjet e lidhura fitoi Jugosllavia dhe jo Shqipëria.

Unifikimi i çmimeve. Ishte procesi më i vështirë, sepse shumë prej mallrave kishin çmime të ulta në Shqipëri dhe të larta në Jugosllavi, u pranua raporti i këmbimit 1 lek = 8 dinar.  Zbatimi i këtij kursi e zhyti vendin në “një inflacion katastrofal”. Në këtë mënyrë ishte më i lehtë nënshtrimi. Cilat ishin sipas shqiptarëve faktorët që pengonin unifikimin e çmimeve:

Industria shqiptare kishte një përbërje kapitali më të dobët se industria jugosllave dhe si konsekuencë kosto e prodhimit do të ishte më e lartë në Shqipëri, se në Jugosllavi.

Mallrat në industrinë Jugosllave dilnin me çmime më të ulta se në industrinë shqiptare.

Kishte prodhime që për shkak të lëndës së parë me shumicë dhe për traditë të prodhimit, në Shqipëri kushtonin më lire, si vaji ullirit, kripa etj.

Kostoja e prodhimeve bujqësore në Shqipëri ishte më e lartë se kostoja e prodhimeve në Jugosllavi, për shkak të shkallës së mekanizimit të ulët.

Prodhimet Jugosllave nuk mund të shiteshin me të njëjtin çmim, sepse përfshihen shpenzimet e transportit, dhe të eksport- importit.

Si pasojë e zbatimit të unifikimit, Shqipëria doli e humbur dhe Jugosllavia e fituar. Po sot a ekzistojnë këto prioritete të ekonomisë serbe ndaj asaj shqiptare? Po, madje janë thelluar.

Parifikimi monedhës. Parifikimi monedhës do thotë barazimi i monedhës. Në 7.7.1947 me Dekret-ligjin 445, u hoq nga qarkullimi franga dhe u bë njësi bazë e monedhës leku shqiptar. Barazimi monedhave do ta shkarkonte mallin shqiptar në Jugosllavi. Nëse do barazoheshin kurset sipas kostove, ai që do humbiste ishte konsumatori dhe ekonomia shqiptare, ashtu siç ndodhi në praktikë. Kjo sepse Shqipëria kishte shumë mall konsumi, shumë rezerva floriri dhe shumë valutë. Tregu jugosllav ishte disa herë më i madh se ai shqiptar dhe mund ta gllabëronte menjëherë duke i diktuar, pas boshatisjes çmime shumë të larta. Jugosllavët e boshatisën tregun shqiptar dhe shqiptave ju ngelën në banka dinarët e pa vlerë. Kështu të fituar dolën serbët dhe jo shqiptarët.

Unioni doganor. Si e kuptonin shqiptarët unionin doganor? Unioni doganor sipas Raportit  “kuptohej si një lehtësim” për shkëmbimin e mallrave ndërmjet dy vendeve pa taksë doganore, ku tregëtia zhvillohet vetëm nga shtetet dhe ku shkëmbimi bëhet mall me mall dhe çmimet caktohen sipas politikës së qeverisë dhe nevojave të buxhetit shtetëror”. Cili ishte qëndrimi i Jugosllavisë ndaj unionit doganor?

Jugosllavët mendonin se duke aplikuar unionin doganor do të hapeshin kufijtë. Tregëtarët e ndershëm mund të vinin në Shqipëri dhe të blenin mall dhe ta shisnin në Jugosllavi duke bërë tregëti të ndershme. Leku dhe dinari të shkëmbeheshin lirshëm në të dyja vendet pa asnjë pengesë. Përse shqiptarët nuk ishin dakort me këtë synim të Jugosllavëve?

a) Jugosllavët kishin racionuar gjithë prodhimet e tyre, për pasojë asgjë nuk mund të bleje në tregun e lirë.

b) Organizimi tregëtisë shqiptare ishte i dobët dhe nuk mund të përfitonte nga asgjë në Jugosllavi.

c) Shqipëria kishte shumë prodhime manifakturore, prodhime bujqësore, lëndë ndërtimi dhe tregun e lirë dhe një ofertë e madhe prej tregëtarëve dhe spekullatorëve jugosllavë do të ngrinte gjithë prodhimet do rriste çmimet dhe do vështirësonte jetën e qytetarëve shqiptarë.

d) Mallrat rezervë që kishte Shqipëria do të shkonin në Jugosllavi, dhe në Shqipëri, do të mbetej stoku me dinarë.

Koordinimi planeve ekonomike. Jugosllavia nëpërmjet koordinimit të planeve kërkonte të arrinte këto synime:

a) Ta nënshtronte Shqipërinë dhe ta kthente në një koloni të sajën dhe të shftytëzonte popullin tonë.

b) Të godiste rëndë zhvillimin e ekonomisë dhe të pengonte ndërtimin e socializmit në vendin tonë.

c) Që me shantazhe dhe me presione të plaçkiste vendin duke na shtrënguar që të forcoheshin sa më shumë eksportet tona qoftë edhe me sakrifica dhe privacione dhe ata të mos jepnin asgjë.

d) Të izolohej Shqipëria nga Bashkimi Sovjetik, nga eksperienca në lëmin ekonomik dhe nga gjithë Republikat e tjera Popullore.

Mbi shoqëritë e përbashkëta. Në bashkëpunimin Shqipëri-Jugosllavi vend të rëndësishëm do zinin edhe krijimi i shoqërive të përbashkëta për shfrytëzimin e pasurive minerare, për nxjerrjen dhe përpunimin e tyre. Kjo do bëhej për mungesë të teknikës dhe të specialistëve shqiptarë. Synimi ishte që të zhvillonte industrinë e brendshme si degë prioritare të ekonomisë.

Serbët fituan në të gjitha marrëveshjet që realizuan me shqiptarët, politikat e Titos sfiduan politikat ekonomike të Hoxhës, prandaj marrëdhëniet midis tyre u shkëputën në 1948 dhe Shqipëria u lidh me Bashkimin Sovjetik.

Çfarë fitojnë dhe çfarë humbin shqiptarët nga Marrëveshja e MiniShengenit me Serbinë?

Para se të dilte koncepti MiniShengenit ka pas një marrëveshje që në 2017. Në vitin 2017, gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia – miratuan një plan veprimi shumëvjeçar për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike. Si bazë për këtë shërbeu Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), së cilës i përkasin të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Duke pasur këtë Marrëveshje, pse duhet Minishengeni?

Sipas shtypit të përditshëm, (sepse organizatorët nuk kanë publikuar asnjë program në lidhje me Minishengenin), marrëveshja ka si synim:

1- Stabiliteti në rajon. Stabiliteti politik dhe ekonomik është çështje kyçe për çdo investitor.

2- Lëvizja e lirë e njerëzve. Kjo masë ka disa efekte dhe zmadhon konkurrueshmërinë në të gjithë rajonin Në praktikë, kjo do të thotë prezantimin e një sistemi që do të mundësojë:

A- Udhëtimin nga njëri vend në tjetrin vetëm me kartë identiteti.

B- Leje punësimi të përbashkëta, që lejojnë njerëzit të punojnë në të gjitha kompanitë e përfshira pa u detyruar të marrin pjesë në procedura shtesë.

C-Kjo masë do të rrisë drejtpërdrejtë vendet e punës, që automatikisht nënkupton edhe rritjen e faktorit tërheqës në të gjithë rajonin për investime të reja.

3- Nxitet lëvizja e lirë dhe e shpejtë e mallrave. Kjo përmes prezantimit të orareve të punës 24 orë në 7 ditë të javës për të gjitha shërbimet e inspektimit, sidoemos ato që fokusohen tek sektorët fitosanitarë dhe veterinaria. Paketë unike e dokumentacionit që kërkohet për transitin e mallrave, me theks në prezantimin e sa më pak dokumenteve që të jetë e mundur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit digjital;

4- Integrimi dhe ngritja e një pakete të përbashkët të dokumenteve që nevojiten për lëvizjen e mallrave nëpër vendet anëtare të nismës me theksin në prezantimin e një sistemi pa letra që është në përputhje të plotë me strategjinë e vendit për zhvillimin digjital.

5- Njohja reciproke e kualifikimieve profesionale në vendet anëtare të nismës (diploma).

6- Nxitja e shkëmbimeve studentore dhe lançimi i programeve të përbashkëta të kërkimit dhe zhvillimit.

7- Konsolidimi i bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e luftës kundër krimit dhe terrorizmit. Theksi vihet tek bashkëpunimi në fushën e migrimit dhe ndihmës në rastet emergjente.

8- Lëvizja e lirë e parave.

  1. Ndryshime në ligjet e tregut të kapitalit, taksave dhe sistemit financiar në të tre vendet, me qëllim krijimin e kushteve për një rrjedhë të qetë të kapitalit.

Duke i parë me vëmendje këto objektiva mund të themi se vetëm  dy, 4 dhe 9 kanë interes sepse të tjerat, thuajse janë të realizuara. Me Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi  kemi kaluar me kartë identiteti që në vitin 2012. Diplomat janë njohur me kohë, po kështu punësimet ndërkufitare etj. Me Serbinë nuk kemi asnjë interes sepse trekëndëshi ekonomik strategjik i Shqipërisë duhet të jetë, veç vendeve kufitare Italia, Gjermania dhe Turqia. Pika 9 është e pashtjelluar. Nëse do aplikohet shabllon është tërësisht anti ekonomisë shqiptare. Nuk mund të krahasohet ekonomia serbe me ekonominë shqiptare aq më pak me Maqedoninë apo Kosovën.  Të gjitha bashkë, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali Zi e kanë GDP më të vogël se Serbia. Disa tregues të ekonomisë Serbe(Wikipedia): GDP = 61 mld Euro, ku 67.9% e zënë shërbimet, 26.1% industria dhe 6% e zë bujqësia. Inflacioni 1.9%(2021). Industritë kryesore në Serbi janë: mjetet motorike, metalet bazë, përpunimi i ushqimit, makineritë, kimikatet, gomat, farmaceutika etj. Eksportet 28 miliardë dollarë (parashikim 2021) mjete motorike(2.450 miliardë dollarë), makina elektrike (2.080 miliardë dollarë), metale me ngjyra (2.010 miliardë dollarë), produkte gome dhe plastike (1.700 miliardë dollarë), kimikate dhe produkte kimikë (1.200 miliardë dollarë) etj. Vendet ku eksporton janë Gjermania12.6%, Italia 10.1%, Bosnjë Herzegovina 7.7%, Rumania 5.9%, Rusia 5% etj. Importet janë 26 miliardë(parashikim 2021), kimikate dhe produkte kimikë (2.410 miliardë dollarë), makineri për qëllime të përgjithshme (2.100 miliardë dollarë), naftë dhe gaz natyror (1.977 miliardë dollarë), automjete motorike (1.818 miliardë dollarë), metale bazë (1.740 miliardë dollarë), etj. Vendet kryesore nga ku importon janë: Gjermania 12.9%, Rusia 9.7%, Kina 9.4%, Italia 8.7%, Hungaria 4.3% etj. Borxhin publik e ka sa 55% të GDP-së. Të ardhurat në buxhet janë 17.7 mld dhe shpenzimet 17.6 mld. Shqipëria ka nevojë të legalizojë biznesin e saj sepse ka evazion fiskal rreth 33%, nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Ajo, si prioritet, duhet të hartojë Programe bashkëpunimi të veçanta me Kosovën dhe pastaj të shikojë Serbinë. Serbia për ekonominë shqiptare, duhet të jetë në vend të fundit. Me këtë vend nuk na lidh asnjë gjë pozitive, sepse shqiptarët kanë dalë gjithnjë të humbur me serbët. Me këtë marrëveshje, Serbia e kërkon për ti kthyer këto vende në një treg të sajin, për të shfrytëzuar lëndët e para të tyre dhe për t’u shitur mallra të gatshëm, për të shfrytëzuar burimet ekonomike të tyre, në interes të tregut të saj. Askush nga këto vende nuk ka industri dhe bujqësi aq të zhvilluar sesa Serbia. Edhe sot, supermarketet shqiptare janë të mbushur me mallra serbe. Serbia ndaj vendeve të Minishengenit ka avantazhe absolute dhe relative në të gjitha fushat, dhe nga kjo Marrëveshje, vetëm Serbia do dalë më e fituara. Vendi që do humbasë më shumë në të gjitha aspektet, do jetë Shqipëria. Shikoni me vëmendje se cilat janë arsyet që vendet bëjnë tregëti me njeri tjetrin dhe kush fiton dhe humbet.

Cilat janë arsyet që vendet bëjnë tregëti me njëra -tjetrën

E para, shpërndarja jo e barabartë në llojshmëri dhe sasi e faktorëve  të prodhimit.

E dyta, faktorët klimatikë dhe terreni i favorshëm.

E treta, specializimi i ekonomisë.

E katërta, ndërvartësia.

E pesta, shijet  dhe preferencat e popujve.

E gjashta, ekonomizimet e shkallës.

E shtata, avantazhi absolut.

E teta, avantazhi  relativ.

Kush fiton dhe kush humbet prej tregtisë ndërkombëtare?

E para, fitojnë ose humbasin konsumatorët e vendit importues.

E dyta, fitojnë ose humbasin biznesmenët e vendit që importon.

E treta, përfitojnë prodhuesit dhe punëtorët e firmave që eksportojnë.

E katërta, fitojnë kapitale ato vende që kanë burime të lira.

E pesta, përfitojnë emigrantët.

Nëse i analizojmë të gjithë pikat dhe të dhënat e treguesve makroekonomikë të ekonomisë serbe nxjerrim një konkluzion të thjeshtë. Shqipëria humbet dhe Serbia fiton. Nga historia e Marrëveshjes Hoxha-Tito në 1946, nuk është nxjerrë asnjë mësim. Shqiptarët përsëri do humbasin.Prandaj, që historia të mos përsëritet me negativitete, duhet që partneri kryesor i Shqipëri-Kosovë të jetë Italia, i dyti Gjermania dhe i treti Turqia. Do mjaftojnë këto vende që ekonomia shqiptare të marrë frymë, duke kthyer kokën nga prodhimi dhe të largojë njëherë e mirë prioritetin e konsumit dhe të turizmit. Pasuritë e tokës dhe kombit shqiptar janë të pa fundme. Ato kanë nevojë për një shfrytëzim racional dhe shkencor.