Takimi Solemn i nivelit të lartë të rrjetit tonë Alumni të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë është një lidhje brezash studentore, një rrjet me kontribut të veçantë në shoqëri, një vlerë e çmuar për modernizimin e punonjësit në administratën civile e sektorin privat. Ky aktivitet tashmë është kthyer në traditë për të dëshmuar dhe për të festuar suksesin, kontributin dhe ndikimin e studentëve tanë në të gjitha sferat e shoqërisë. Kjo ngjarje është një dëshmi konkrete se vizioni ynë për një universitet që nuk jep vetëm dije, por ndërton karriera dhe jep kontribute,është realitet. Me krenari të madhe, si President i këtij universiteti, deklaroj sot se studentët tanë me studimet e kryera dhe dijet e përfituara në UMSH janë të punësuar dhe kontribujne në tregun e punës, në sektorin publik dhe privat, në pozicione të rëndësishme dhe me përgjegjësi të larta. Ne kemi lidhur marrëveshje konkrete me institucione publike dhe kompani private, të cilat sigurojnë intershipe, trajnime dhe punësimin e studentëve tanë pas diplomimit. Këto bashkëpunime nuk janë vetëm dokumente në letër, por ura të vërteta që lidhin formimin akademik me tregun e punës, duke i dhënë kuptim dhe qëndrueshmëri studimeve universitare.Sot do të kemi kënaqësinë të shpallim dhe të ndajmë disa vlerësime e çmime të veçanta, që përfaqësojnë jo vetëm ekselencën akademike, meritat dhe kontributet në pozicionet që janë punësuar, por edhe vlerat që ky universitet kultivon:- Çmimi i Karrierës, për një alumn që ka ndërtuar një rrugëtim profesional të jashtëzakonshëm dhe frymëzues.- Çmimi në Fushën Kibernetike, për kontributin në inovacionin dixhital dhe sigurinë kibernetike.- Çmimi i Etikës, për ata që përfaqësojnë me integritet dhe përkushtim vlerat e universitetit tonë.- Çmimi i Përfshirjes në Politikë, për studentët tanë që kontribuojnë sot në vendimmarrjen dhe drejtimin politik të Shqipërisë.
Të vlerësuarit janë përfaqësues të një gjenerate që nuk rreshtohet vetëm në auditorë, por edhe në administratën publike, në sipërmarrjen private, në shoqërinë civile, në jetën politike e institucionale. Ata janë dëshmi e gjallë se diplomimi në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë është një hap drejt integrimit të suksesshëm në realitetin profesional të vendit tonë dhe të sigurt dhe të aftë në procesin e integrimit europian.
Dëshiroj të theksoj me krenari se mbi 80% e studentëve që përfundojnë studimet në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë punësohen menjëherë pas diplomimit.
Shumë prej tyre sot janë të angazhuar dhe japin kontribut konkret në institucione kyçe si:
- Kryeministria;
- Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
- Bashkitë e vendit dhe si anëtarë të këshillave bashkiakë;
- Vodafone Albania;
- Drejtoria e Policisë së Shtetit;
- Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”;
- Agjencia Shtetërore e Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës – pranë Kryeministrisë;
- Si dhe në biznese private, banka, kompani teknologjie dhe Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike. Këto arritje nuk janë rastësi, por rezultat i një pune të përbashkët ndërmjet universitetit, studentëve dhe partnerëve tanë institucionalë e privatë.Të dashur alumni dhe studentë, përmes jush, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ngjitet më lart, ndërton reputacion, dhe mbi të gjitha – ndryshon realitete. Ju jeni ura që lidhin dijen me veprimin, idealet me përditshmërinë, dhe ëndrrat me mundësitë konkrete. Ju jeni ambasadorët më të mirë të Universitetit Mesdhetar.























