Durrësi, qytet-porti kryesor i vendit, i zgjeruar gati tre herë në hapësirën e tij gjeografike dhe numrin e popullsisë, ka edhe burimet e tij të ndotjes. Nga afro 115 mijë banorë që kishte në 1992, sot Durrësi ka të regjistruar mbi 250 mijë të tillë, ndërkohë që, prurjet shtohen vit pas viti. Kjo ka sjellë padyshim edhe rritjen e ndotjeve kryesisht në lagjet periferike të tij. Nga verifikimet në terren të bëra nga strukturat e Ministrisë Mjedisit, dhe Agjencia Rajonale e Mjedisit ka rezultuar se Durrësi ka pikat e tij të ndotjes, ku më kryesoret janë, si Porto-Romano, Spitalla, ish-Këneta dhe sistemi kanalizimeve të ujërave të zeza. Me gjithë disiplinimin e mbeturinave të ish-Uzinës Kimike në Porto Romano të njohura për dëmin ekologjik që kanë shkaktuar, sërish janë evidentuar burime të tjera, të cilat shkaktojnë ndotjen e mjedisit. Kështu në zonën bregdetare pjesa më e madhe e hoteleve dhe pallateve në zonën bregdetare funksionon me gropa septike sikurse edhe banesat e ngritura pa leje përgjatë sistemit kodrinor. Ato janë padyshim burim ndotje e detit, i rërës dhe i ajrit. Por të njëjtin efekt shkakton kanali kryesor i ujërave të zeza të qytetit, i cili pasi përshkon mes për mes të gjithë zonën e ish –Kënetës, e derdhet në det në Porto Romano. Mjedisin e ndotin edhe kanalet kulluese të plazhit dhe ai që përshkon kodrat e qytetit. Ato dhe burime të tjera ndotjeje vazhdojnë të jenë shkaktarët kryesorë për mjedisin në Durrës edhe pse ky është qyteti më i madh turistik në vendin tonë. Ministria e Mjedisit, ka evidentuar zonat problematike të ndotjes, ku zona më e madhe, e cila vazhdon të shpërndajë në eter pluhurat mbytëse vazhdon të jetë Porto Romano. Mbeturinat e ish –Kimikes, e cila mbart ende lëndë helmuese kineze, të viteve 1968-1974 mbeten një rrezik serioz për shëndetin e banorëve, por ende nuk ka asnjë plan për pastrimin e zonës. Po në këtë zonë ndodhet edhe fusha e depozitimit të plehrave urbane të Durrësit, të cilat deri para 3-4 viteve asgjësoheshin me anë të djegies në natyrë. Një pluhur tepër i rrezikshëm, ishte prezent në këtë zonë. Për Durrësin, është menduar të ndërtohet një impianti për djegien e plehrave, veç landfillit, por pritet më parë një plan studimi dhe projekt nga bashkia. Kanali kulluese i plazhit shpesh transformohet në vend, ku depozitohen mbeturinat e banorëve të zonës. Një mal me shishe plastike bllokon rrugicat e lagjes. Kanali që përshkon kodrat e qytetit deri në Porto Romano shpesh kthehet në një moçalishte pasi atje janë ndërtuar 150 ndërtime pa leje. Ai ka vite që pastrohet dhe në ujërat e ndenjura të tij shpesh gjejnë strehë kafshë e insekte që ndikojnë në jetesën e banorëve të zonës. Në ish-Kënetë në kanalin e madh e krejt të hapur prej vitesh rrjedhin të qeta ujërat e zeza. Ato pasi bëjnë një xhiro të gjatë përfundojnë në det në Porto Romano krejtësisht të papërpunuara. Ndërsa bregdeti pas murit rrethues të portit është kthyer në fushë, ku prej vitesh depozitohen mbeturinat e ngurta të përfituara nga çelja e themeleve të pallateve të reja. Për Durrësin, ka projekt konkret investimi, për menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe sistemin e ri të kanalizimeve. Bashkë me ujësjellësin e ri, qytetit bregdetar po i ndërtohet sistemi i ri i kanalizimeve dhe landfilli i përpunimit të mbetjeve të ngurta. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në vend me një popullsi prej 250,000 banorësh, porti kryesor dhe një nga destinacionet turistike më popullore, turizëm detar dhe kulturor. Rritja e popullsisë (e dyfishuar që nga viti 1992), rritja ekonomike, përmirësimi i standardeve të jetesës, dhe zhvillimi i turizmit kanë rritur shkallën e konsumimit dhe si rrjedhim shkallën e gjenerimit të mbetjeve dhe vëllimin e tyre. Qyteti bregdetar aktualisht grumbullon dhe transporton mbetjet me anë të dy ndërmarrjeve të tij komunale. Qyteti i depoziton mbetjet e tij në të vetmen fushë plehrash në Porto Romano, që është vend hedhje për nga standardet, e cila është hapur që në fillim të viteve ‘90 dhe që është parashikuar të ketë jetëgjatësi për 25 vjet. Kostot për menaxhimin e mbetjeve, si pastrimi, grumbullimi, transporti dhe asgjësimi, do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë. Duke folur për këtë problem kryetari bashkisë Dako tha se: “Për Durrësin ne si pushtet lokal, kemi prioritet adresimin dhe zgjidhjen e çështjes së menaxhimit të mbetjeve të ngurta në mënyrë të përballueshme, të qëndrueshme dhe të sigurt nga ana mjedisore. Për këtë arsye, ne kemi vendosur që të bëjmë hapat e parë për përmirësimin e shërbimeve të tij të menaxhimit të mbetjeve duke përgatitur një Plan Lokal për Menaxhimin e Mbetjeve”. Sipas tij, “bashkia e Durrësit është mbështetur nga ekipi i IFC, për të përgatitur PLMM e tij. Ekipi i konsulentëve ka kryer vëzhgime të operacioneve të menaxhimit të mbetjeve në Durrës, duke vizituar pikat e grumbullimit të mbetjeve e vendet e asgjësimit, ka ekzaminuar pajisjet e përdorura si edhe ka marrë në intervista qytetarët dhe aktorët përkatës”. Bashkia e Durrësit dhe drejtoritë përkatëse si ndërmarrjet e Shërbimeve Komunale, kanë kontribuar me ofrimin e të dhënave, organizimin e disa takimeve dhe të një tryeze të rrumbullakët me aktorët e interesuar përkatës (institucionet publike, komunitetin e biznesit, shoqërinë civile, përfaqësues të bashkisë) për të arritur vizionin e përbashkët, synimet dhe objektivat për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve për një periudhë 20 -vjeçare. Objektivi është që bashkia e Durrësit të perfeksionojë metodikën e menaxhimit të situatave të nxehta mjedisore. Ky institucion po analizon situatat aktuale të menaxhimit të mbetjeve urbane në qytet, organizimin, rregulloret, financat, operimi dhe menaxhimin dhe identifikon çështjet dhe mangësitë, duke vlerësuar, propozuar e rekomanduar.
















