Pritet kthimi shëndosh e mirë i korçarëve të infektuar nga virusi

383
Sigal

Nga Vepror Hasani

Një vështrim mbi coronavirusin në Korçë, 17 të prekur 4 të shëruar

E diel 23 mars. Në qytetin e Korçës të prekurit e parë nga virusi corona ishin tre persona: një çift i moshuar, njëri 78 vjeç dhe tjetri 79 vjeç për të cilët u mendua se ishin infektuar nga mbesa e tyre e ardhur nga Italia në dt. 8 mars dhe një 32 vjeçar, menaxher lokali në këtë qytet, i cili gjatë muajit shkurt kishte pasur histori udhëtimi në Itali, të cilët pas disa ditësh qendrimi në spitalin rajonal të Korçës, (sanatorium) u nisën drejt Spitalit Infektiv të Tiranës. E hënë 24 mars, Korçës iu shtuan edhe 6 të prekur të tjerë nga coronavirusi, numri gjithsej shkoi në 9 veta. E martë 25 mars, u shënuan edhe dy raste të reja, numri i të prekurve shkoi në 11. Coronavirusi në qytetin e Korçës nuk po ndalej. E mërkurë 26 mars, nuk pati asnjë rast të ri, lajmi qe i shumëpritur, por nuk zgjati shumë. E enjte 27 mars, përsëri një rast i ri; një ditë më parë ishin nisur drejt Institutit të Shëndetit Publik në Tianë 3 tamponë, por njëri prej tyre kishte rezultuar pozitiv, numri i të sëmurëve mbërriti në 12. Dy ditët në vijim nuk pati lajme për të prekur nga virusi. E hënë 30 mars, dy raste të tjera të reja, numri i të prekurve shkoi në14. Edhe në këtë rast bëhej fjalë për një 70-vjeçare dhe bashkëshortin e saj 75-vjeçar, por gjithashtu dyshohej edhe për djalin e tyre 50 vjeç. E martë 31 mars, numri i të prekurve kapi shifrën 15; i prekur nga virusi rezultoi edhe djali i dy të moshurave. Gjithashtu po në këtë datë rezultoi i infektuar edhe një 77-vjeçar, gjithsej të prekur 16. Megjithate sot e martë 7 prill, Korça shënoi një tjetër rast të ri, bëhet fjalë për shefin e personelit të Policisë Kufitare Korçë

Alarm në shkollën greke, prefekti qetëson prindërit

Ndërkohë Korça pati edhe ngjarje të tjera. E mërkurë 18 mars, gjendje e alarmuar në shkollën greke “Omiros” në Korçë, një mësues i saj rezultoi i prekur nga virusi corona, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë. Shqetësimi përfshiu prindërit e fëmijëve, pasi shkolla ka 430 nxnënës. Për qetësimin e situatës u investua prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, i cili gjatë një takimi me strukturat e qeverisjes vendore në qytetin e Pogradecit, foli edhe për rastin e shkollës të cituar më sipër, ku ai tha: “Përsa i përket shkollës jo publike “Omiros”, institucionet e Shëndetit Publik  të Korçës, Drejtoria Rajonale e  Arsimit, Bashkia e Korçës dhe administratorët e njësive vendore, të gjithë u vunë në krrye të detyrës, për të kontaktuar me secilin nga prindërit, me qëllim për të marrë  të gjitha masat sipas të gjitha rregullave të cilat do të zbatohen. Gjithashtu kam gjetur mirëkuptimin që ata të qëndrojnë në familje. Por ju siguroj  se institucionet janë në krye të detyrës”. E martë 24 mars, Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Korçë njoftoi se duke filluar nga kjo datë, për 14 ditë me radhë, nuk do të ofronte shërbime për qytetarët, pasi 53 punonjësit e saj do të vëtëkarantinoheshin, sepse njëri prej tyre kishte rezultuar i prekur nga virusi corona.

4 të shëruar, priten të tjerët shëndoshë e mirë

Prilli trokiti me lajme të mira. E mërkurë 2 prill, tre persona të prekur nga virusi korona; çifti i të moshuarve Yzedini 79 vjeç, i cili vuante dhe nga sëmundjet respiratore dhe bashkëshortja e tij, Sanija 78 vjeç, dolën të shëruar nga Spitali Infektiv, po ashtu edhe Learti. Lajmi i mirë për Korçën u dha nga mjeku infeksionist Pëllumb Pipero. E enjte 3 prill, të shëruarve iu shtua edhe një peson katërt. Shpresat për t’u rikthyer në qytetin e Korçës shëndoshë e mirë të 16 personat janë maksimale. Sipas mjekut Pipero, në një intervistë ekskluzive për RTSH-Korçën, tha:  “…Po ashtu kemi pacientë të cilët presin të testohen, dhe shpresojmë të dalin, ndërkohë kemi edhe pacientë të tjerë në gjendje të ndryshme shëndetësore, sikundër ka në gjendje të mesme apo realativisht të rëndë; kemi edhe katër rastë të rënda të intubuar. Unë mendoj që korçarët janë ndoshta më qytetarë se qytetarët e tjerë të Shqipërisë, të cilët respektojnë vendimet e qeverisë”. Megjithatë shpresohet që qyteti i Korçës të jetë duke i thënë lamtumirë virusit corona.