PRESIONI I SHTETIT DHE SULM FIZIK NDAJ GAZETARËVE SHQIPTARË

68
Sigal

Në ditët e fundit, ka pasur dy raste të rënda të kërcënimeve ndaj lirisë së medias në Shqipëri.

PRESIONI I SHTETIT MBI GAZETARËT SHQIPTARË ANDI BUSHATI DHE ARMAND SHKULLAKU

Më 16 Prill në 13:30, në Tiranë, Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, pronarë dhe redaktues të botimit në online Lapsi.al, u thirrën për pyetje në zyrën e prokurorit nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) si pjesë të një hetimi zyrtarisht të hapur për rrjedhjen e një sistemi gjurmimi masiv prej 910,000 skedarësh të të dhënave personale të qytetarëve (dyshohet si një bazë të dhënash të  Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili përdoret për qëllime elektorale).

Bushati deklaroi se prokurorët i kërkuan të tregonte burimin nga e kishte marrë informacionin Lapsi.al por ai refuzoi ta deklaronte duke mbrojtur burimin e tij. Është e paqartë nëse hetimet penale kundër gazetarëve kanë filluar zyrtarisht.

Lapsi.al dhe më pas media të tjera publikuan detaje të një baze të dhënash që përmban informacionin personal të më shumë se 910,000 votuesve. Të dhënat e paraqitura përfshinin numrin e kartës së identitetit, emrin, atësinë, mbiemrin, datën e lindjes, qendrën e votimit, vendin e lindjes, kodin e vendbanimit, numrin e telefonit, nëse ata janë emigrant dhe nëse po në cilin vend po ashtu nëse ka gjasa të votojnë për Partinë Socialiste, punëdhënësin dhe patronazhistin.

Bushati e përshkroi takimin me prokurorët si “të shkurtër” dhe i nxiti ata të hetonin plotësisht se si të dhënat personale të qytetarëve përfunduan në duart e një partie politike.

“Unë nuk besoj se prokuroria do të zbulojë të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje”, tha Bushati.

“Kjo çështje po trajtohet thjesht si një rrjedhje e të dhënave personale, dhe si e tillë nuk është brenda kompetencës së SPAK, por kjo në fakt është shumë më keq, është një krim elektoral”, shtoi Bushati.

Kjo ishte hera e parë që ai thirrej pranë SPAK.

Më 19 Prill, Lapsi.al ka njoftuar se SPAK ka urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të një urdhri gjyqësor duke kërkuar që Lapsi.al të paraqesë provat se si ata morën në zotërim bazën e të dhënave të pretenduar që përmban të dhënat personale nga 910,000 njerëz. Pas kësaj, Lapsi konfirmoi se ata qëndrojnë të vendosur në refuzimin e tyre për të paraqitur bazën e të dhënave dhe kështu të rrezikojnë të zbulojnë burimin e tyre. Exit.al vëren se mbetet e paqartë nëse prokurorët kanë ndërmarrë ndonjë veprim kundër politikanëve ose partive politike që dyshohet se janë përfshirë në skandal. E vetmja lëvizje që ata kanë bërë publike deri më tani ka qenë kundër Lapsi dhe gazetarëve të tij.

“Është shumë shqetësuese kjo që ka ndodhur me të dhënat personale të qytetarëve të Tiranës, shkelje e qartë e Kushtetutës, Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe shkon përtej ligjit të GDPR të BE-së. Autoritetet në Shqipëri duhet të kryejnë një hetim transparent, të plotë dhe menjëhershëm. Është thelbësore që të lejohen mediat të bëjnë punën e tyre ivestigative, të mbrojnë burimet e tyre, por në të njëjtën kohë mediat duhet gjithashtu t’i përmbahen kodeve etike të sjelljes. Ajo që më shqetëson është se deri më tani vetëm gazetarët janë nën hetim dhe jo autoritetet publike ose institucionet e tjera që mund të jenë përgjegjëse për një shkelje të tillë skandaloze të të dhënave”, tha Blerjana Bino, studiuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri (Safejournalists).

SULM MBI GAZETARIN SHËIPTAR ROLDANDO SHARKA DHE EKIPIT TË XHIRIMIT.

Një rast tjetër ndodhi në një takim elektoral të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në Kavajë dhe u kthye në incidente kundër ekipit të xhirimit të Ora News TV dhe gazetarit Ronaldo Sharka.

Më 18 Prill, rreth mesditës, sipas informacionit të njohur deri më tani, gazetari Ronaldo Sharka dhe ekipi i tij u dëbuan nga një tubim politik.

Në një intervistë në studion e Ora News, gazetari Ronaldo Sharka tha: “Unë isha me një mikrofon, me një badge, me një logo mediatike, lehtësisht të identifikueshme dhe iu drejtova Z. Veliaj, për disa pyetje në interes të publikut, por situata ishte shumë serioze dhe aty kuptova që diçka nuk shkonte. Nuk ishin truprojat e Veliajt, truprojat e bashkisë e mbrojtën atë nga media. Kjo tashmë është bërë normale për mua dhe kolegët e mi. Por aty kishte njerëz që nuk i kisha parë kurrë, rreth dyzet prej tyre që na dëbuan mua dhe skuadrën time të xhirimit.”

Ronaldo Sharka tashmë ka ngritur akuza në policinë e zonës. Nuk ka ende asnjë reagim nga Kryetari i Bashkise në lidhje me këtë.

Në fillim të kësaj jave, kolegu i tij Isa Myzyraj, gjithashtu gazetar i të njëjtit stacion televiziv, në 12 Prill, u ndalua fizikisht ti drejtonte disa pyetje Kryetarit të  Bashkisë nga rojet e tij të sigurisë.

“Kryetari i Bashkisë nuk pranon t’u përgjigjet pyetjeve tona që janë çështje me interes publik, por ai nuk pranon ta bëjë këtë dhe gjithashtu ka sulmuar verbalisht median tonë në raste të tjera”, tha Isa Myzyraj për Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt (Safejournalists).

Ronaldo Sharko shprehu shqetësimin për “mungesën e vullnetit të Kryetarit të Bashkisë për t’iu përgjigjur pyetjeve nga gazetarët dhe armiqësinë e vazhdueshme ndaj kësaj media në veçanti”.

“Gazetarët dhe profesionistët e medias në Ora News TV kanë bërë publike incidente të ndryshme me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhe kjo është një çështje shqetësuese për lirinë e medias, por edhe për transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes vendore. Tani që gazetarët e Ora News kanë ngritur akuza në policinë vendore, është e rëndësishme që autoritetet ta hetojnë këtë çështe siç duhet”, tha Blerjana Bino, kërkuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri (Safejournalista).

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, qëndron në solidaritet me kolegët shqiptarë dhe dënon sulmin ndaj ekipit televiziv, por gjithashtu shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e ushtruar mbi gazetarët për të zbuluar burimet e tyre.

Në rastin e parë, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safejournalists) pret që autoritetet në Shqipëri të drejtojnë një hetim transparent dhe në rastin e dytë ne gjithashtu presin që Kryetari i Bashkisë të reagojë ndaj këtyre pretendimeve dhe të distancohet nga sulmet ndaj gazetarëve

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safejournalists) do të informojë të gjithë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për të dy rastet.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 19.04.2021

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi