Presidenti Meta vlerëson me titullin “Martir i Demokracisë” 4 të përndjekurit politikë në Korçë

185
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ditën e sotme ka vlerësuar me titullin “Martir i Demokracisë”, 4 të përndjekurit politikë dhe personalitete të Korçës: Ylber Merdani, Shpresa Merdani, Nevrus Golka dhe Petrit Bazelli.

Gjatë fjalës së tij, Meta vlerëson rezistencën antikomuniste të cilët i mbijetuan me dinjitet terrorit të regjimit, për të zhvilluar më pas, në vitet e demokracisë, një aktivitet të spikatur për dokumentimin e krimeve të komunizmit.

Është kënaqësi të jem sot, së bashku me ju, për të nderuar dhe vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e katër të mbijetuarve të diktaturës komuniste, të cilët i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin dhe një prej diktaturave më të egra që njohu bota.

Jemi pikërisht këtu për të nderuar zotin Ylber Merdani, zonjën Shpresa BallolliMerdani, zotin NevrusGolga dhe zotin Petrit Bazelli. Ata dhe familjet e tyre kanë përjetuar një përndjekje dhe dhimbje të jashtëzakonshme, në këtë sallë dhe ndërtesë, ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe ku ne sot, nderojmë dinjitetin njerëzor, nëpërmjet nderimit të katër qytetarëve dhe njerëzve të thjeshtë e të papërkulur.

Figura të tilla janë personalitete frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare, sepse ata sakrifikuan vitet e tyre më të bukura, në mbrojtje të dinjitetit, të lirisë dhe të së vërtetës!
Por për ne, kjo ditë nuk është vetëm një ditë vlerësimi. Ajo është, mbi të gjitha, edhe një ditë që na fton për të reflektuar!
Reflektim mbi të shkuarën e egër totalitare, përballje me këtë të shkuar dhe çlirim i shoqërisë nga makthet e krimeve të diktaturës.

Përvoja botërore na mëson se nëse harrohen, tragjeditë e së kaluarës janë të destinuara të rikthehen, në një formë apo mënyrë tjetër.
Vlerësimi dhe njohja e sakrificave të katër qytetarëve dhe njerëzve të thjeshtë, që u persekutuan padrejtësisht nga regjimi totalitar, vjen në respekt të një bashkësie, që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe si përgjegjësi e shoqërisë së sotme për rivlerësimin e këtyre figurave.

Vendi dhe shoqëria jonë duhet të vazhdojnë të trajtojnë të kaluarën totalitare me drejtësi, transparencë e paanshmëri, duke ndihmuar kështu në rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e plotë të shtresës së të përndjekurve politikë, por edhe njëkohësisht edhe për edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me vlerat më të mira qytetare, njerëzore dhe demokratike.
Njëkohësisht, një shoqëri e hapur dhe tolerante mirëkupton, respekton dhe nuk harron tragjeditë e së shkuarës dhe bashkëpunon e gjitha së bashku, për një të ardhme pa dhunë dhe shtypje.
Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë edhe iniciatorin e kësaj veprimtarie, Autoritetin për Informimin mbi Dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe kryetaren e tij zonjën Gentiana Sula, për punën e jashtëzakonshme me fokus përkujtimin dhe edukimin qytetar, për kthimin e identitetit dhe për mënyrën se si duhet ta trajtojmë të kaluarën tonë, në respekt jo vetëm të së shkuarës, por njëkohësisht edhe në shërbim të një ardhmeje më të mirë.

Emrat e propozuar nga Autoriteti për t’u nderuar sot, në Korçë vijnë jo vetëm në respekt e nderim të thellë për sakrificat e tyre të jashtëzakonshme njerëzore, por edhe me mirënjohje të veçantë për përfshirjen dhe angazhimin e tyre personal e të pakursyer në të gjitha proceset e lidhura me integrimin e të dënuarve politikë, për dokumentimin e të shkuarës, të krimeve dhe të pasojave të komunizmit, si dhe për nderimin e personaliteteve të solidaritetit dhe të rezistencës.
Ylber Merdani, NovrusGolka dhe Petrit Bazelli u dënuan në këtë ndërtesë, dikur gjykatë, në këtë sallë, ku u morën vendimet për ndëshkimin e tyre politik, si të dënuar të ndërgjegjes, ndërkohë që Shpresa BallolliMerdani e kaloi gjithë jetën e saj në internim. Por, sot, ata janë pjesëmarrës aktivë në jetën shoqërore dhe përfaqësojnë shembuj frymëzues njerëzorë të mbijetesës e karakterit, por edhe të sjelljes së tyre në shoqëri.

Me aktivitetin e tyre, ata dëshmojnë historitë përkatëse dhe të komunitetit në të cilin jetojnë, duke ruajtur një profil të ulët publik, për të vijuar me thjeshtësi e fisnikëri jetën me familjet e tyre, që përballuan jo pak vështirësi e sfida përballë shfytyrimit e depersonalizimit që kërkonte regjimi i asaj kohe. Ata janë shembuj të vetëdijes qytetare dhe kombëtare. Me mirënjohje e nderim të thellë për integritetin e tyre si dhe për shembullin e tyre frymëzues për brezat e sotëm e të ardhshëm i vlerësoj sot me Titullin ‘Martir i Demokracisë’.

Nder përjetë të gjithë luftëtarëve, demokratë, disidentëve, të cilët bënë gjithçka për të vendosur demokracinë në Shqipëri!”, u shpreh Meta.